“Presidenti i Republikës kërkon të marrë kompetenca që nuk i janë deleguar nga populli përmes kushtetutës” - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/06/2019

“Presidenti i Republikës kërkon të marrë kompetenca që nuk i janë deleguar nga populli përmes kushtetutës”

VIDEO – Fjala e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në seancën e sotme plenare, gjatë diskutimit të Rezolutës mbi shfuqizimin e Dekretit të Zgjedhjeve të 30 Qershorit nga Presidenti i Republikës:

Të nderuar deputetë,

Për fat të keq Presidenti i Republikës ka dëshmuar në mënyrë krejt të veçantë, një lexim ndryshe të Kushtetutës dhe të kuptimit për rolin e tij në sistemin tonë kushtetues dhe demokratik. Është krejt pa kuptim, arsyetimi se “çdo lloj autoriteti mund të zhbëjë përmes anulimit, apo zhdekretimit, akte të nxjerra më parë prej tij”.

Sipas një logjike të tillë, një mësues mund ta zhdekretonte notën e dhënë dikur dhe të na degdiste në klasën e parë krejt papritur, një shitës mund ta zhdekretonte kontratën e shitjes së shtëpisë dhe të na nxirrte përsëri në rrugë, ndërsa Kuvendi mund ta zhdekretonte edhe vendimin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe ta dërgonte përsëri atë tek partia e tij, e kështu me radhë.

Zoti Meta ka dëshmuar vazhdimisht një oreks shumë të madh për kompetenca, të cilat për fat të keq Kushtetuta jonë nuk mund t’ia plotësojë. Këmbëngulja e tij për të marrë rol substancial në emërimin e ministrit të Brendshëm, apo bllokada e tij e paprecedentë për të mos dekretuar ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, janë dëshmi e një kuptimi shumë të shtrembët madje dhe të rrezikshëm për të marrë kompetenca, të cilat vërtet populli shqiptar nuk ia ka deleguar atij përmes Kushtetutës.

Sigurisht që janë mjaft problematike precedentët e krijuar me dekretimin e ministrave, por ajo që u tentua me zhdekretimin e zgjedhjeve ka një përmasë krejt të veçantë. Zgjedhjet janë institucioni më i epërm në një sistem demokratik, në njëfarë mënyrë, ato nuk caktohen, por thjesht vijnë. Pavarësisht dëshirave, planeve apo vullnetit të partive politike, ato vijnë në mënyrë të pashmangshme ashtu siç vjen mëngjesi, muaji, stina apo viti. Ato vijnë si vullnet dhe e drejtë e patjetërsueshme e popullit shqiptar. E dimë se ardhja e mëngjesit nuk mund të shtyhet, se dikush dëshiron të flejë pak më gjatë, ashtu sikundër ardhja e dimrit nuk mund të negociohet me ata që nuk janë të përgatitur për ta pritur ashpërsinë e tij. Nuk është arsye, pra, për anulimin apo shtyrjen e zgjedhjeve fakti që dikush, qoftë edhe parti politike, nuk i do apo nuk është i përgatitur për to.

Por me 10 qershor 2019, vetëm 20 ditë para zgjedhjeve, në mes të fushatës, shqiptarët u njohën më dekretin për anulimin e tyre, i cili shprehte vullnetin e vetëm 1 personi, pra Presidentit të Republikës sonë parlamentare.

Pas leximit të dokumentit presidencial me titull “Arsyet për shfuqizimin e Dekretit”, rezulton pak a shumë kjo narrativë: – meqenëse kemi një tentativë për të marrë peng sistemin nga një grup i caktuar politik, atëherë le të dalim jashtë tij; le të kërkojmë zgjidhje përtej kushtetutës.

Meqë jemi në kushtet e një pengmarrjeje, atëherë le të negociojmë me pengmarrësit, por këtu vlen të mos harrojmë një parim me shumë vlerë: Asnjëherë nuk lejohet shpërblimi i pengmarrësve. Nëse kjo do të ndodhte edhe një herë sot, nesër do të na shfaqen shumë pengmarrës të tjerë, të inkurajuar nga suksesi i të parëve.

Një ndër arsyet për shfuqizimin e Dekretit, krahas të tjerash, sipas Presidentit lidhet me sigurinë kombëtare e këtu po citoj: “Presidenti si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka vënë re se sjellja e aktorëve politikë në vend ka krijuar një klimë të theksuar konflikti, që rrezikon stabilitetin e rendit publik”. Sigurisht që Presidenti nuk është aty për të vënë re. Ai është aty për të ushtruar përgjegjësi kushtetuese dhe institucionale. Në vend të vërejtjeve të tij subjektive të Presidentit, publikut i duhen konkluzionet e institucioneve, që kanë përgjegjësi kushtetuese për sigurinë e vendit. Përballë një rreziku kaq serioz të pretenduar nga Presidenti, do të duhej që ai si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare ta kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për ta analizuar gjendjen e sigurisë në vend. Por në vend të saj ai thjesht ka konstatuar apo ka perceptuar në mënyrë subjektive, vetë rrezikun dhe po ashtu vetë, në mënyrë të njëanshme ka gjetur përgjigjen ndaj tij, duke shpërfillur rolin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare apo institucioneve të tjera përgjegjëse në vend. Tentativa për ta nxjerrë diskutimin për sigurinë kombëtare jashtë institucioneve kushtetuese dhe për shndërrimin e kësaj teme në një argument të rëndomtë politik, është shumë problematike.

Debati i sotëm është me rëndësi për demokracinë në vend dhe shtrohet një çështje: A ka nevojë sot vendi për tolerancë? Në qoftë se unë do t’i referohesha një filozofi të madh Karl Popper-i, do të thosha se toleranca në kushte të tilla është e dëmshme, madje e rrezikshme. Ai thotë kështu: “Toleranca pa kufij na çon në zhdukjen e vetë tolerancës. Nëse ne tregojmë tolerancë pa kufij edhe ndaj atyre që janë intolerantë, nëse ne nuk jemi në gjendje, të përgatitur ta mbrojmë një shoqëri tolerante përballë sulmit të intolerantëve, atëherë tolerantët do të shkatërrohen dhe bashkë me ta edhe vetë toleranca”.
Faleminderit!