Fier - Hapet zyra e re e aplikimeve për dokumente biometrike - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/06/2019

Fier – Hapet zyra e re e aplikimeve për dokumente biometrike

Fier – Hapet zyra e re e aplikimeve për dokumente biometrike   VIDEO

Në bashkinë Fier u hap zyra e re e aplikimeve për dokumente biometrike e cila është ngritur në bashkëpunim me kompaninë koncesionare koncensionare.

Në inspektim morën pjesë Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, Prefekti Baki Bala, Drejtuesi i Kompanisë Koncesionare Jean Alain Jouan, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, nënkryetarja e Bashkisë Fier Enkelejda Peshkëpia.

Zyrtarët e lartë nga pushteti qendror dhe ai vendor inspektuan sportelet e aplikimit dhe panë nga afër procedurat përkatëse për pajisjen e shtetasve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike.

Duke vlerësuar angazhimin e bashkisë Fier në këtë proces, zv.ministrja Voda u shpreh:

“Sot jemi në Fier, jemi në zyrat e reja të të hapura në bashkëpunim me bashkinë Fier. Besoj është një shembull shumë i mirë që po ndiqet nga bashkia Fier.

Kemi qenë faktikisht në bashkinë Tiranë, kemi parë një model shumë të mirë, por sot kemi shansin edhe rastin që këtë model shumë të mirë të shërbimit ndaj qytetarëve për pajisjen me karta identiteti, ne ta shohim edhe në bashkinë Fier.

Ambientet në fakt janë shumë të mira me të gjitha standardet, kushte komode. Falënderoj nga zemra bashkinë Fier për bashkëpunimin e shkëlqyer edhe me kompaninë Aleat, por edhe me Ministrinë e Brendshme, sigurisht që mundësuam që t’u shërbejmë qytetarëve me këtë ambient, në mënyrë që ata të kenë mundësinë të pajisen me karta identiteti në kushte shumë të mira.

Siç e shikoni dhe vetë, procedura e aplikimit është shumë e shkurtër, radhë nuk krijohen. Qytetarët pra kanë mundësi të vijnë këtu edhe të pajisen me karta identiteti.

Unë do të përsërisja të njëjtën thirrje që, ju lutem, ju lutem qytetarëve të vijnë dhe të aplikojnë sa më parë për t’u pajisur me karta identiteti. Tashmë këtë shans e kanë edhe qytetarët e Fierit, nëpërmjet këtyre zyrave shumë të mira dhe shumë komode, të vijnë të pajisen me to. Mos harrojmë që përpara kemi një proces zgjedhor, i cili është shumë i rëndësishëm, por patjetër kartat e reja të identitetit duke pasur edhe elementë sigurie, e theksoj sërish, do të shërbejnë që ata të përfitojnë shërbime edhe në institucionet e tjera shtetërore apo edhe ato jo shtetërore.

Mos të harrojmë dhe një gjë, shpejt, me afrimin e korrikut, gushtit vjen edhe fluksi i emigrantëve që vijnë në Shqipëri, të studentëve që kthehen nga studimet jashtë, por mos harrojmë që vjen dhe afati i aplikimit dhe për pasaportat e reja biometrike, kështu që për të shmangur dhe fluksin të paktën në këtë periudhë, thirrja ime për të gjithë qytetarët do të ishte: Ejani dhe aplikoni në këto zyra të reja, të mrekullueshme për t’u pajisur me karta identiteti!”, tha Voda.

Drejtuesit i Kompanisë Koncensionare Jean Alain Jouan, gjatë fjalës ndër të tjera theksoi:

“Është kënaqësi për mua të jem këtu në Fier dhe dëshiroj të falënderoj zv.ministren e Brendshme Rovena Voda dhe zv.kryetaren e Bashkisë Fier Enkelejda Peshkëpia, që na priti sot në Fier.

Ne jemi të kënaqur që shohim se bashkia e Fierit është duke përmirësuar standardet e zyrave të aplikimit të shtetasve për pasaporta dhe karta identiteti.

Dita e sotme është një ditë e rëndësishme që Fieri është në gjendje të tregojë të njëjtin vullnet për të përmirësuar cilësinë e zyrave për shtetasit shqiptarë.

Për mua është një kënaqësi të shoh që kjo u bë edhe në Fier, pra që u hap kjo zyrë e madhe, e cila siguron standarde në përputhje me cilësinë e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike”.

Nënkryetarja e bashkisë Fier Enkelejda Peshkëpia u shpreh se ishin të gatshëm për thellimin e bashkëpunimit me kompaninë koncesionare për hapjen e zyrave të reja moderne.

“Në emër të bashkisë së Fierit doja të falënderoja kompaninë Aleat që shtoi sportelet e shërbimit ndaj qytetarëve të Fierit. Duke shtuar këto sportele ne ofrojmë dhe njëherë shërbim më të mirë ndaj qytetarëve tanë. Ky është dhe qëllimi final i bashkisë Fier, përmirësimi i shërbimeve në të gjitha fushat.

Ne jemi të hapur për bashkëpunim me kompaninë edhe për hapjen e disa zyrave të reja në zonat rurale, të cilat do të lehtësojnë shumë shërbimin në këto zyra edhe do të mbajnë qytetarët afër zonave të banuara. Edhe njëherë faleminderit,” u shpreh Peshkëpia.

Bashkia Fier pason shembullin e dhënë nga Tirana dhe disa qytete të tjera për çeljen e zyrave të reja moderne të aplikimit për dokumente identiteti, pasi pritet që ky vit të ketë fluks të shtuar për shkak të skadimit të një numri mbi 1.4 milion dokumentesh të prodhuara në vitin 2009.