Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 89 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/06/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 89

Raporti Javor Nr. 89

“3 – 9 Qershor 2019”

Berlin/Ministri Lleshaj për “DW”: Publikimi i përgjimeve në gazetën “Bild” nuk cënon imazhin e Shqipërisë

Ministri i Brendshëm në një intervistë dhënë për ‘Deutsche Welle’ gjatë qëndrimit të tij në vizitë zyrtare në Gjermani është shprehur se publikimi i video-përgjimeve nga gazeta “Bild” nuk e prish imazhin e Shqipërisë dhe duhet të pritet derisa çështja të sqarohet, pasi është ende në proces hetimor. “Unë mendoj që ajo, e cila është publikuar sot në mediat gjermane është pjesë e një dosje hetimore që po zhvillohet. Pra bëhet fjalë për rastin konkret dhe përgjithësisht në të gjithë kuptimin e së drejtës, përgjimet nuk janë prova, janë thjesht indicie që të çojnë tek provat, kështu që ne duhet të presim derisa rasti të sqarohet përfundimisht nga organet përkatëse ligjore, të cilat po e hetojnë”, ka thënë ai. I pyetur për fenomenin e kanabisit ministri Lleshaj është përgjigjur krenar se tashmë ky është një kapitull i mbyllur. “Është bërë një punë e madhe për ta çrrënjosur këtë fenomen, i cili e ka njollosur Shqipërisë gjatë 3 dekadave të fundit, ndërsa sigurisht që energjia kriminale nuk është diçka që shteron sot. Lufta vazhdon, edhe me kanabisin lufta vazhdon”, ka thënë ai. Ndërsa në lidhje me fenomenin e azilkërkimit në Francë Lleshaj ka shpjeguar se po bëhet shumë punë për të ndërgjegjësuar qytetarët shqiptarë që mos ta ndjekin këtë opsion. “Unë kam qenë para pak kohësh në Francë kur kemi diskutuar për masa konkrete për të adresuar këtë problem me Ministrin francez të Punëve të Brendshme, me qëllim që të rrisim bashkëpunimin, shkëmbimin e të dhënave midis dy qeverive, dy policive dhe kjo po ndodh në mënyrë intensive. Ne kemi shkëmbyer oficerë ndër vite, kemi 4 oficerë në Francë tani të cilët merren pikërisht me këtë, kemi intensifikuar rikthimet ose riatdhesimet e qytetarëve shqiptarë, të cilët gjenden në kushte të paligjshme në Francë. Po rrisim punën hetimore në Shqipëri për të vënë para drejtësisë rrjete kriminale, të cilat nxisin këtë trafik dhe përfitojnë prej tij, të kamufluara në trajtën e shoqërive turistike, në trajtën e shoqërive të tjera, të cilat prodhojnë certifikata nga më të çuditshmet “certifikata gjakmarrje”, “certifikata orientimi seksual”, etj, nuk lënë gjë pa shpikur rrjetet e trafikut, për t’u krijuar qytetarëve një iluzion sikur do të përfitojnë azil në Francë”, ka thënë ai.  Përsa i përket protestës së radhë së opozitës dhe thirrjeve të Lulzim Bashës për revolucion, Lleshaj u përgjigj se: “Fatkeqësi e madhe që vjen në Gjermani zoti Basha, takon Parti Kristian-Demokrate apo Kristian-Sociale dhe flet për revolucionin, duke harruar që revolucioni dhe vlerat kristiane nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetrën. Por për t’u kthyer tek pyetja juaj, ne sigurisht i shohim me keqardhje, urojmë që udhëheqësve të këtij grupimi politik që ka dalë nga Parlamenti t’i kthehet arsyeja për t’u futur në rrugën e ligjit e të arsyes. Urojmë që ata të mbeten në nivelin politik dhe mos të afrohen drejt skajit kriminal të sjelljes, sepse sulmet ndaj Policisë nuk mund të konsiderohen më si protesta politike, por janë sulme kriminale”.

Berlin/Ministrat Lleshaj e Gjonaj vizitë zyrtare: Progresi i arritur nga Shqipëria, atribut i reformave shtetformuese të Qeverisë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj zhvilluan një vizitë pune tre ditore në Gjermani në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe për integrimin e vendit në 2018. Ata zhvilluan takime me përfaqësues të Kancelarisë, Ministrisë së Brendshme, si dhe deputetë të Bundestagut gjerman, gjatë të cilave kanë falenderuar Gjermaninë për mbështetjen ndaj Shqipërisë në integrimin në BE. Në vijim të rekomandimit pa kushte të Komisionit për hapjen e negociatave të BE-në me Shqipërinë, delegacioni shqiptar informoi partnerët kyç në Gjermani mbi ecurinë e reformave shtet-formuese të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, si dhe përmbushjen plotësisht të kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në Qershorin e 2018. Bisedimet mes palëve janë fokusuar në arritjet e Qeverisë shqiptare kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Ministri i Brendshëm Lleshaj, gjatë ekspozëse së tij ka theksuar se bashkëpunimi dy palësh policor me Gjermaninë është shumë i kënaqshëm në nivelin operacional dhe me rezultate konkrete. Ai gjithashtu, vuri në dukje faktin se Shqipëria tashmë ka dalë nga harta e kultivimit të kanabisit. Në lidhje me fenomenin e azilkërkimit ka sqaruar se Shqipëria është një vend i sigurt ku garantohen të drejtat e njeriut dhe se çdo përpjekje për azil në BE në mënyrë abuzive duhet penguar në bashkëpunim nga autoritetet e të dy vendeve, marrëveshja me FRONTEX është një hap i rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta për të frenuar migracionin e paligjshëm, nëpërmjet territorit të Shqipërisë, drejt vendeve të BE. Në ditën e dytë të vizitës Ministrat Lleshaj dhe Gjonaj u takuan me deputetë të Bundestagut Gjerman, Johann Wadephul, anëtar i Komitetit për Punët e Brendshme dhe i Komitetit për Çështjet Evropiane në Bundestag, Joaschim Falenski, Këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë I Partisë CDU dhe Christian Schmidt, Reporter për Shqipërinë në Bundestag. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se progresi i arritur nga Shqipëria vitet e fundit i atribuohet reformave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare. Si kurrë më parë Shqipëria ka rritur bashkëpunimin me shtetet e BE-së në shumë sektorë të vendit dhe populli shqiptar është më Pro anëtarësimit në BE, ndër vendet e rajonit. Ministri i Brendshëm gjithashtu theksoi se Shqipëria ka bërë një progres të lartë në luftën kundër krimit të organizuar duke prezantuar shifrat e larta të numrit të grupeve kriminale të kapura gjatë kësaj kohe në Shqipëri. Në ditën e fundit të vizitës së punës në Berlin, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj morën pjesë si të ftuar në konferencën “One Forensic and Integrity Services”. Ministri Lleshaj ofroi tek të pranishmit ndërkombëtarë një retrospektive të historisë së Shqipërisë, duke u shpjeguar se e ardhmja europiane e vendit ka qenë gjithmonë pjesë e kulturës, sjelljes dhe aspiratës së shqiptarëve, dhe se Shqipëria tashmë është shumë pranë portës europiane. “Është mirë të kesh ura, por jo aq mirë të jesh në vetvete urë. E shpesh Shqipëria ka luajtur këtë funksion pa përfituar asgjë”, tha z. Lleshaj. Ai prezantoi sfidat e vendit në luftën kundër krimit, duke nënvizuar faktin se krimi ekonomik-financiar dhe pastrimi i parave mbeten objektivi kryesor i zhvillimit të hetimeve në Policinë e Shtetit. Ekspertë financiarë që dinë të lexojnë shifrat e transaksionet dhe të analizojnë zgjuarsisht lëvizjet financiare, të kamufluara ose jo, janë sot çfarë Policia e Shtetit po trajnon dhe rekruton, me qëllim luftën ndaj rezultateteve fundore të aktivitetit kriminal dhe aseteve të personave të përfshirë në veprimtari kriminale.

Tiranë/Aplikimi për Karta ID, zv.ministrja e Brendshme: Shërbim cilësor dhe zgjat pak minuta, mos e lini për ditën e fundit!

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda dhe Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj inspektuan zyrat e aplikimit për pasaporta dhe karta ID, në Njësinë 1 dhe 2 në Tiranë. Voda u shpreh se zyrat e reja kanë krijuar kushte më të mira që shmangin radhët e gjatë dhe shpejton procesin e aplikimit. Duke renditur përfitimet e dokumentit të ri, Voda ftoi çdo qytetar të shfrytëzojë këto javë për rinovimin e kartave që u mbaron vlefshmëria, para kthimit të emigrantëve për pushime.“Një thirrje unë do të kisha për të gjithë qytetarët e Tiranës, por jo vetëm, edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë: Ju lutem, ejani dhe aplikoni në zyrat e reja të hapura nga ALEAT në bashkëpunim me bashkitë në vendbanimet tuaja, pasi shërbimi është tepër cilësor! Ju do ta merrni atë në një kohë rekord. Keni punonjësin e Shërbimit të Gjendjes Civile pranë për çfarëdo lloj problematike, kartat e reja kanë elemente sigurie më shumë, ato nevojiten për të përfituar shërbimet si në institucionet publike, ashtu edhe në ato jopublike. Por mos të harrojmë që kemi edhe një proces zgjedhor përpara, pavarësisht shtyrjes së afatit me vendimin e Qeverisë. Aplikimi për karta të reja sigurisht që është një vlerë e shtuar, por do të shmangë edhe përplasjen që do të kemi ndoshta edhe me fluksin e madh gjatë sezonit veror për shkak të emigrantëve që do të vijnë, studentëve që kthehen, por edhe aplikimit që do të fillojë për pasaportat biometrike”, apeloi Voda.

Krujë/Zv.ministrja Voda mbledh Task Forcën Vendore Antikanabis

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda ka drejtuar Task Forcës Vendore Antikanabis në Bashkinë e Krujës. Në të morën pjesë Prefekti i Qarkut Durrës Roland Nasto, Drejtori Vendor i Policisë së Durrësit Alfred Çepe, Zv.kryetari i Bashkisë Krujë, përfaqësues nga Policia e Shtetit, kryepleqtë e fshatrave etj. Në takim u kërkua intensifikim i bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin dhe luftimin e fenomenit të kultivimit të kanabisit. “Nga sot e në vijim kërkohet një ritëm i lartë pune, kontrolle në terren duke aktivizuar të gjithë sistemet e informacionit, të cilat do të bëjnë të mundur një kontroll të plotë e një monitorimin të territorit. “Kruja konsiderohet zonë risku dhe vigjilenca duhet të jetë përherë maksimale”, u shpreh znj. Voda.

Sarajevë/SEESAC vlerëson seriozitetin e MB për realizimin e projektit për parandalimin e mbajtjes së armëve të zjarrit

Një delegacion me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, morën pjesë në takimin e Sarajevës në Bosnjë – Hercegovinë, i organizuar nga SEESAC, mbi zbatimin e Udhërrëfyesit / Planit të Veprimit për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të iniciativës franko-gjermane për këtë problem. Në këtë takim me prezencën edhe të mjaft donatorëve ndërkombëtarë, u bë një përditësim mbi ecurinë e harmonizimit të legjislacionit me kornizën rregullatore të BE-së dhe instrumenteve të tjera ligjore ndërkombëtare; dokumentet strategjike të kontrollit të armëve (strategjitë kombëtare), duke përfshirë në veçanti progresin në vendosjen e Njësisë Qendrore të armëve të zjarrit (FFP); sfidat dhe përditësimi i aktiviteteve / statistikave për parandalimin dhe luftën ndaj tregtisë së paligjshme / trafikimit të armëve të zjarrit; masat e kontrollit të eksportit të armëve për të siguruar parandalimin e devijimit të armëve të zjarrit dhe municionit nga tregtia e ligjshme; reduktimin e zotërimit të paligjshëm të armëve të zjarrit nëpërmjet konfiskimeve, aktiviteteve të ndërgjegjësimit, dorëzimit vullnetar, çaktivizimit, standardizimin e të dhënave të Policisë dhe të sistemit të drejtësisë penale, si dhe numrin e ulët të dënimeve etj., në të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.  Në konkluzionin e përgjithshëm të këtij takimi u theksua se shtetet e Ballkanit Perëndimor, kanë vlerësuar dhe po ndjekin me seriozitet realizimin e detyrimeve në kuadër të këtij projekti për parandalimin e mbajtjes se armëve të zjarrit në mënyrë të paligjshme apo për trafikimin e tyre.  Në këtë kuadër edhe institucionet e shtetit shqiptar kanë përgatitur Strategjinë për kontrollin e armëve të vogla, të lehta, municioneve dhe eksplozivëve 2019 – 2024 dhe Planin e Veprimit 2019 – 2021 që tashmë janë miratuar me VKM Nr. 50 datë 6.2.2019, ku parashikohen aktivitete për të gjithë strukturat dhe institucionet në Shqipëri, si dhe zhvillimi i aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese me mediat, shkollat, komunitetin, etj.

Policia e Shtetit, masa për mbarëvajtjen e zhvillimit të provimit të Maturës Shtetërore 2019

Policia e Shtetit në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrisë së Brendshme dhe Postës Shqiptare “Për koordinimin e masave në organizimin dhe zhvillimin e Maturës Shtetërore 2019 në Republikën e Shqipërisë”, në lidhje me zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2019, ka marrë një sërë masash.  Gjatë ditës së enjte, në zbatim të telegramit të Drejtorit të Departamentit për Sigurinë Publike “Për marrjen e masave për shoqërimin e automjeteve të Postës Shqiptare me materialet e provimit të Maturës Shtetërore të datës 07.06.2019, u bë shoqërimi i materialeve të provimit në 10 linja apo destinacione të ndryshme në të gjithë vendin, ku nga Policia e Shtetit kishte angazhuar rreth 20 punonjës police dhe 10 automjete të policisë.  Gjatë natës deri sot në orën 08:00 të datës 7 qershor ambientet e DAR/ZA në rrethe u siguruan nga Policia e Shtetit, ku u angazhuan 40 punonjës policie. Në rreth 206 shkolla në të gjithë vendin do të zhvillohet provimi i parë i Maturës Shtetërore 2019.  Për sigurimin e mbarëvajtjes së provimeve, Policia e Shtetit ka planifikuar me shërbim rreth 560 punonjës police dhe 45 automjete policie.

Hetimet e SHÇBA çojnë në pranga 4 punonjës të Policisë Kufitare, 6 të tjerë pezullohen nga detyra

SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtorinë e Doganave kanë zbuluar një rast të kontrabandës së automjeteve ku ishin të përfshirë edhe 10 punonjës policie nga të cilët 4 u arrestuan në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Botës dhe 6 të tjerë janë pezulluar. Këta të fundit janë pezulluar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, sepse dyshohet se janë përfshirë në skemën e kontrabandës. Dyshohet se punonjësit e policisë kufitare në 19 raste nuk kanë pasqyruar numrin e shasisë duke i bërë të paidentifkueshme duke u shënuar vetëm autoveturë. Po hetohet për identifikimin e autorëve të tjerë dhe nëse makinat mund të jenë përdorur në ngjarje kriminale.

Shkodër/Zbulohet skema e mashtrimit me Certifikatat për SHPSF, procedohet një punonjës i Policisë

Drejtoria e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), Drejtoria Rajonale e SHÇBA Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve disa mujore zbuluan dhe goditën një skemë mashtrimi ku ishin të përfshirë dhe punonjës policie nga DVP Shkodër, që merren me shërbime ndaj të tretëve. Hetimi zbuloi se disa shtetas që aplikonin për përfitimin e Certifikatave si punonjës të shërbimit të SHPSF-ve, dyshohet se janë pajisur me dokumente të falsifikuara duke anashkaluar procedurat verifikuese e trajnuese të detyrueshme, si Akademia e Sigurisë, Shoqëritë Private të Sigurisë të licensuara për trajnime, si dhe Komisionin e Certifikimet në DVP Shkodër.  Në vijim të procedimit, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” (për arsye shëndetësore), ndaj punonjësit të Policisë Nënkomisar V.N., me detyrë Specialist për Shërbimin ndaj të Tretëve, në DVP Shkodër. SHÇBA, në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet ndaj personave të tjerë të implikuar në këtë skemë mashtrimi dhe shpërdorimi detyre, si dhe ndaj shtetasve që kanë përfituar certifikata në kundërshtim me ligjin për ushtrimin e këtij profesioni në subjektet e SHPSF. SHÇBA nxit qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor.

Finalizohet operacioni ndërkombëtar i koduar “Wanted 3”

Realizohet me sukses operacioni ndërkombëtar i koduar “Wanted 3”, i cili u finalizua me arestimin e një 49-vjeçari nga Lezha, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, në vitin 1996 e ka dënuar me “Burgim të përjetshëm” për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Më datë 12.06.1993 ky shtetas ka vrarë me armë zjarri tre shtetas për motive të dobëta. Operacioni u zhvillua dhe finalizua në Itali falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën dhe Zyrat ndërlidhëse reciproke UCI Albania në Shqipëri dhe Bari në Itali në bazë të informacioneve të siguruara më parë nga Sektori për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB, për vendndodhjen dhe gjeneralitetet që përdorte i kërkuari.