Intervista e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për DW - Ministria e Brendshme
Postuar më: 06/06/2019

Intervista e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për DW

VIDEO – Intervista e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për DW

Intervista e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhënë për ‘Deutsche Welle’ gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Gjermani:

DW: Në Gjermani pati një publikim që besoj ja prish shumë imazhin Shqipërisë, që është publikimi i përgjimeve të Prokurorisë në çështjen Vangjush Dako dhe lidhjen e tij me krimin.

Ministri Lleshaj: Me thënë të drejtën unë nuk besoj që një publikim i tillë prish imazhin e Shqipërisë, se Shqipëria është shumë më e madhe se sa një rast i shkëputur i një publikimi të një përgjimi të caktuar, këtë dua ta ndaj. Sigurisht që asnjë lajm sado i vogël të jetë që s’është pozitiv, nuk na pëlqen dhe si pëlqen askujt, por besoj që çështja ka nevojë të merret me qetësinë e duhur, për arsye se bëhet fjalë për një çështje e cila është në proces hetimor. Kjo thjesht është një rrjedhje e pa autorizuar nga një proces hetimor në zhvillim dhe duhet të presim fundin, nuk duhet të kërcejmë te konkluzionet shumë herët se kam frikë se i bëjmë dëm gjithë procesit.

DW: Procesit hetimor kundër krimit të organizuar, po këtu ka dalë diçka tjetër ndërkohë që inkriminon në një farë mënyre dhe politikën apo jo?

Ministri Lleshaj: Unë mendoj që ajo, e cila është publikuar sot në mediat gjermane është pjesë e një dosje hetimore që po zhvillohet. Pra bëhet fjalë për rastin konkret dhe përgjithësisht në të gjithë kuptimin e së drejtës, përgjimet nuk janë prova, janë thjesht indicie që të çojnë tek provat, kështu që ne duhet të presim derisa rasti të sqarohet përfundimisht nga organet përkatëse ligjore, të cilat po e hetojnë.

DW: Ju thoni se e keni pastruar vendin nga kanabisi dhe tani ka mbetur ndoshta heroina dhe kokaina të paktën sipas të dhënave të statistikave. Sa e madhe është puna juaj, tani që keni për ta hequr Shqipërinë dhe nga kjo hartë?

Ministri Lleshaj: Së pari, sa i takon kanabisit, e themi me plot krenari që është bërë një punë e madhe për ta çrrënjosur këtë fenomen, i cili e ka njollosur Shqipërisë gjatë 3 dekadave të fundit, ndërsa sigurisht që energjia kriminale nuk është diçka që shteron sot. Lufta vazhdon, edhe me kanabisin lufta vazhdon.

DW: Ka kanabis akoma?

Ministri Lleshaj: Ka përpjekja, sigurisht që ka përpjekje, sepse energjia kriminale përpiqet të shfrytëzojë hapësirat e mundshme, e rëndësishme është që energjisë kriminale ne i përgjigjemi me një angazhim të jashtëzakonshëm të strukturave tona. Edhe me kanabisin ne po luftojmë përditë për të mbajtur kontroll, çdo centimetër katror të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe po e arrijmë këtë me sukses të madh; dhe jam shumë i sigurt që ne do ta thellojmë edhe në fushën e kanabisit, sigurisht që Shqipëria tashmë nuk është më pjesë e ndonjë harte të madhe rreziku, por potencialisht ekziston rreziku që të rikthehet nëse ne zbehim sado pak forcën goditëse, kështu që ne këtë gabim nuk ja lejojmë vetes. Sa i përket drogërave të tjera, drogërave të forta, sigurisht që kriminelët me origjinë shqiptare e kanë zbuluar si të thuash këtë treg kriminal dhe po mundohen të futen në të, ndonëse ky treg ka dhe aktorë të tjerë shumë herë më të mëdhenj se shqiptarët.

DW: Ky trafik droge a kalon nga Shqipëria?

Ministri Lleshaj: Jo domosdoshmërisht. Në përgjithësi rrugët e drogës në Europë janë tashmë të njohura, janë portet e mëdha, portet e mëdha evropiane janë ato vende ku zhvillohet ky trafik, pra nuk është Shqipëria në këto hartat e trafikut të madh.

DW: Një nga rezervat e Francës për sa i përket Shqipërisë, negociatave me Shqipërinë, është përveç problemeve të brendshme që ka, edhe rezerva konkrete ndaj Gjeorgjisë dhe Shqipërisë, sidomos ndaj Shqipërisë që zë vendin e dytë për sa i përket numrit të azilkërkuesve në Francë. Si shpjegohet që Shqipëria ka një numër kaq të madh azilkërkuesish? A mendoni ju se e keni bërë punën tuaj sqaruese në këtë drejtim, që ata njerëz të mos shkojnë në Francë?

Ministri Lleshaj: Sigurisht që është një problem specifik me Francën sa i përket numrit të shqiptarëve që kërkojnë azil. Kjo lidhet me shumë arsye, sigurisht që faktori kryesor është fuqia tërheqëse e vetë Francës për këto kategori shqiptarësh, për arsye se Franca aplikon politika më liberale, të ndryshme nga vendet e tjera të BE dhe kjo bën që edhe qytetarët shqiptarë ta zbulojnë si adresë, prej së cilës mund të përfitojnë. Po bëhet punë në Shqipëri në shumë aspekte për të ndërgjegjësuar qytetarët shqiptarë që mos ta ndjekin këtë opsion. Por nga ana tjetër, ne po thellojmë masat e bashkëpunimit me qeverinë franceze. Unë kam qenë para pak kohësh në Francë kur kemi diskutuar për masa konkrete për të adresuar këtë problem me Ministrin francez të Punëve të Brendshme, me qëllim që të rrisim bashkëpunimin, shkëmbimin e të dhënave midis dy qeverive, dy policive dhe kjo po ndodh në mënyrë intensive.
Ne kemi shkëmbyer oficerë ndër vite, kemi 4 oficerë në Francë tani të cilët merren pikërisht me këtë, kemi intensifikuar rikthimet ose riatdhesimet e qytetarëve shqiptarë, të cilët gjenden në kushte të paligjshme në Francë. Po rrisim punën hetimore në Shqipëri për të vënë para drejtësisë rrjete kriminale, të cilat nxisin këtë trafik dhe përfitojnë prej tij, të kamufluara në trajtën e shoqërive turistike, në trajtën e shoqërive të tjera, të cilat prodhojnë certifikata nga më të çuditshmet “certifikata gjakmarrje”, “certifikata orientimi seksual”, etj, nuk lënë gjë pa shpikur rrjetet e trafikut, për t’u krijuar qytetarëve një iluzion sikur do të përfitojnë azil në Francë.

DW: Në 30 qershor do të ketë zgjedhje. Opozita vazhdon të jetë në protesta të cilat herë pas herë bëhen dhe të dhunshme. Këto protesta mund të përshkallëzohen sepse mesa duket ngërçi politik nuk do të zgjidhet dhe zoti Basha e tha dhe në intervistë me DW, që quajeni si të doni kryengritje ose revolucion, ne duam që të heqim zotin Rama nga detyra. Si do ta përballoni ju këtë sfidë?

Ministri Lleshaj: Unë nuk e kam dëgjuar zotin Basha t’i ketë thënë këto. Po më çudit nëse paska arritur deri në këtë regjistër të komunikimit publik që flet për revolucion. Fatkeqësi e madhe që vjen në Gjermani zoti Basha, takon Parti Kristian-Demokrate apo Kristian-Sociale dhe flet për revolucionin, duke harruar që revolucioni dhe vlerat kristiane nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetrën.

Por për t’u kthyer tek pyetja juaj, ne sigurisht i shohim me keqardhje, urojmë që udhëheqësve të këtij grupimi politik që ka dalë nga Parlamenti t’i kthehet arsyeja për t’u futur në rrugën e ligjit e të arsyes. Urojmë që ata të mbeten në nivelin politik dhe mos të afrohen drejt skajit kriminal të sjelljes, sepse sulmet ndaj Policisë nuk mund të konsiderohen më si protesta politike, por janë sulme kriminale.

DW: Qytetarët e Tiranës janë ankuar sepse ka patur gjatë protestave, që është hedhur gazi lotsjellës, ata janë ankuar dhe e kanë quajtur gaz helmues. A është e vërtetë kjo, keni bërë analizat ju?

Ministri Lleshaj: Nuk ka rëndësi për asnjë analizë, për arsye se bëhet fjalë për një gaz, i cili është në standardet e përdorimit te policive të të gjithë botës. Ai gaz është një prodhim standard i certifikuar, i cili për fat të mirë nuk është blerë nga ne është blerë nga ata që sot bëjnë opozitë përballë nesh. Është blerë prej tyre. Policia Shqiptare e ka përdorur në minimumin e mundshëm, por mund t’iu them janë 191 vende të botës, të cilët e kanë të deklaruar në posedim të Policive të tyre këtë gaz dhe absurditeti për këtë është se stilizohet politikisht ky gaz, i cili është blerë po nga opozita e sotme, është blerë në ditë mbas 21 Janarit ku u vranë qytetarë.

DW: Ju keni shkruar në një status në Facebook, ku e keni akuzuar zotin Basha si vrasës. Kjo është një akuzë që kur del nga ministri i Brendshëm pritet dhe që të merren dhe masat e nevojshme ndaj një vrasësi?

Ministri Lleshaj: Kjo është çështja e Prokurorisë shqiptare, unë di të them vetëm këtë, që ministri i Brendshëm nuk është organi i akuzës që mund të bëjë akuzë penale. 21 Janari është çështje, është një rast shumë i rëndë në historinë e vetë Shqipërisë, i cili ka mbetur pa një përgjigje përfundimtare ligjore, për të dhënë përgjegjësi atyre që duhet të mbajnë përgjegjësi. Besoj edhe Zoti Basha se thotë dot të kundërtën, që s’ka qenë ai ministër i Punëve të Brendshme në kohën kur në Bulevard, nga strukturat që ai drejtonte, u vranë 4 qytetarë, u plagosën dhjetëra të tjerë, u zbraz një arsenal i tërë armësh dhe plumbash në ajrin e Tiranës. Ne nuk po i hyjmë më tepër kësaj historia, por kjo është thjesht një fakt. Sigurisht që nuk i vjen mirë ta dëgjojë, por s’kam çfarë ti bëj unë.

DW: Ju sapo takuat dhe zotin Wadephul, që është ofruar për ta zgjidhur, për të marrë pjesë në këtë zgjidhjen e kësaj krizës politike në Shqipëri, si mendoni, çfarë sinjali morët prej tij, a ka shans që Gjermania të ndërhyjë ose zoti Wadephul të ndërmjetësoj mesh jush dhe opozitës?

Ministri Lleshaj: Ne kemi patur disa takime me përfaqësues të Qeverisë Gjermane dhe të Bundestagut Gjerman dhe pothuajse, për të mos hyrë në emrat dhe diskutime individuale ose emrat konkret, duhet të them vetëm kaq, që në unison unë shoh dy qëndrime: së pari, qëndrimin e Qeverisë Gjermane, i cili është fare i qartë, i thjeshtë në mbështetje të perspektivës europiane të Shqipërisë dhe në refuzim të të gjitha formave të dhunës. Por të njëjtën gjë shoh edhe të deputetët e Bundestagut Gjerman, kryesisht ata me të cilët unë jam takuar janë të grupit CDU-CSU dhe po ashtu edhe tek ata sigurisht që s’mund të ketë qëndrim tjetër, për sa kohë ata janë anëtarë të një Partie popullore, Partie Kristian Demokrate apo Kristian Sociale, sigurisht që nuk mund të pres asgjë tjetër përveçse mesazhet më të mirat të mundshme që kanë të bëjnë me maturinë politike, me distancimin nga dhuna, me dialogun e kërkesa të tjera të cilat janë ABC-ja e demokracisë. Faleminderit!