Tepelenë - Takim me strukturat e Task Forcës Vendore Antikanabis - Ministria e Brendshme
Postuar më: 27/05/2019

Tepelenë – Takim me strukturat e Task Forcës Vendore Antikanabis

Tepelenë – Takim me strukturat e Task Forcës Vendore Antikanabis

U zhvillua ditën e sotme në Tepelenë takimi i zgjeruar i Task Forcës Vendore të Luftës kundër Trafikimit dhe Kultivimit të Kanabisit.

Në takim morën pjesë Zv.ministrja e Brendshme dhe njëkohësisht drejtuese e Task Forcës Qendrore e Luftës kundër Trafikimit dhe Kultivimit të Kanabisit, Rovena Voda, Prefekti i Qarkut Gjirokastër, njëkohesisht edhe Kryetar i Task Forcës Vendore kundër Kultivimit të Kanabisit Astrit Aliaj, Zv.drejtorja e Përgjithshme e Policisë Aida Hajnaj, kryetari i Bashkisë Tepelenë Tërmet Peçi, Drejtori Vendor i Policisë Gjirokastër Perlat Vatoci si dhe anëtarë të Task Forcës Vendore.

Takimi u zhvillua në kuadër të forcimit të kapaciteteve në drejtim të intensifikimit të përpjekjeve të përbashkëta të strukturave shtetërore në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Në fjalën e tij, Prefekti i Qarkut Aliaj vlerësoi arritjet dhe punën e bërë nga institucionet përgjegjëse në kuadër të luftës kundër mbjelljes, kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Pavarësisht masave të ndërmarra dhe rezultateve të arritura, Prefekti theksoi se është e domosdoshme nevoja për vigjilencë të shtuar duke vijuar me një intensitet të lartë takimesh dhe kontrollesh në terren.

Zv.ministrja Voda kërkoi nga strukturat përgjegjëse plane kontrolli veprimi në terren me data të paracaktuara nën monitorimin e Prefektit të Qarkut dhe tolerancë zero në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.