Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 86 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 20/05/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 86

Raporti Javor Nr. 86

“13 – 19 Maj 2019”

Miratohen ndryshimet në ligjin e Vettingut në Polici

Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar me shumicë votash dekretin e Presidentit të Republikës nr.11175, datë 19.04.2019 për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr.20/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa  në ligjin nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar  dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për çështjet  e brendshme dhe ankesat, në Ministrinë e Brendshme”. Ministri I Brendshëm Sandër Lleshaj, gjatë seancës plenarë të radhës ka theksuar sërish se pretendimi i Presidentit të Republikës nuk qëndrojnë, sepse ndryshimet e bëra në ligj nuk prekin thelbin dhe standardet mbi të cilat është ndërtuar ligji. “Ligji i cili është marrë në shqyrtim në këtë parlament për herë të dytë, nuk ndryshon në substancë aspak nga i pari. Ndryshimet e bëra në ligjin e dytë po e quaj tani, janë ndryshime të natyrës kozmetike që nuk prekin aspak thelbin e ligjit të vjetër”, u shpreh ministri. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, ministri Lleshaj ka folur dhe për protestat e opozitës, që sipas tij tregojnë qartazi frikën e opozitës nga zbatimi i Reformës në Drejtësi.  “Unë besoj fort që i gjithë diskutimi politik në Shqipëri dhe gjithë trazira  politike në Shqipëri është e lidhur me vetingun. Me frikën se ky Vettingu, po prish raporte të vjetra, llogari të vjetra dhe po krijon  frikë dhe panik të ri për shumëkënd, i cili ka llogari të hapura në këtë vend dhe besoj fort që gjithë dhuna që ka shpërthyer rrugëve të Shqipërisë, të Tiranës, gjithë zjarri apo molotovi që derdhet rrugëve të këtij vendi në prag të vendimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, nuk ka për qëllim pushtetin e opozitës, por ka për qëllim final dhe primar rrëzimin e Reformës në Drejtësi, duke shpresuar se bashkë me rrëzimin e Reformës në Drejtësi do të rrëzohet dhe rreziku që vjen prej saj, për të gjithë ata që janë mëkatarë të mëdhenj në këtë vend, prej tre dekadash”, tha Lleshaj.

Ministri Lleshaj në Korçë: Kush guxon të sabotojë zgjedhjet, do të japë llogari përpara ligjit

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një vizitë pune në Qarkun e Korçës, ku pjesë të axhendës pati dhe një takim me drejtues vendorë të qarkut, përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve lokale. Gjatë fjalës së tij, ministri Lleshaj është ndalur në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit dhe ka paralajmëruar mbajtjen e përgjegjësisë ligjore, për këdo që do të tentojë të cenojë procesin zgjedhor. “Kushdo që del nga binarët e arsyes dhe thjesht mendon që mund të cenojë të drejtën legjitime dhe sovrane të qytetarëve shqiptarë për të votuar, të jetë nën kujdesin ligjor të Policisë, në mënyrë që asgjë të mos ngelet e paditur, e paevidentuar dhe e pandëshkuar në ato raste që ndëshkimi do të jetë i merituar. Besoj se do të jetë pak ose aspak, por dhe sikur një rast i vetëm që dikush guxon të sabotojë ngjarjen më të rëndësishme, në momentin më të rëndësishëm të vendimmarrjes së popullit shqiptar që është votimi, do të japë llogari përballë ligjit”, ka thënë ministri Lleshaj. Pjesë e bisedës ishin dhe çështje të sigurisë, Policimit në Komunitet, përgatitjet për procesin zgjedhor të 30 Qershorit.

Inspektim në Kapshticë: Së shpejti kontrolle të përbashkëta me FRONTEX

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, gjatë vizitës që zhvilloi në qarkun e Korçës ka inspektuar Pikën e Kalimit kufitar të Kapshticës, ku ka kërkuar shtimin e masave për përballimin e fluksit të turistëve gjatë sezonit të verës, por edhe të flukseve migratore që mund të shfrytëzojnë Shqipërinë për të kaluar drejt vendeve të BE-së.  Ministri ka bërë të ditur se javën tjetër nis zbatimi në terren i marrëveshjes me FRONTEX për menaxhimin e përbashkët të kufirit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. “Së shpejti ne do të fillojmë një operacion të gjerë në bashkëpunim me FRONTEX, i cili synon të rrisë kapacitetet e Policisë shqiptare për menaxhimin më të mirë të pikave të kufirit dhe kufirit të gjelbër. Është hera e parë që BE nënshkruan një marrëveshje të tillë me një vend jo anëtar, pra e bënë me Shqipërinë për herë të parë dhe synojmë që përmes këtij projekti shumë të rëndësishëm, të mund të forcojmë kapacitetet e kontrollit të kufirit, të frenojmë flukset migratore, të frenojmë trafikun dhe të rrisim bashkëpunimin  e Policisë së Shtetit me këtë agjenci shumë të specializuar të BE, prej të cilës mendojmë që do të përfitojmë shumë eksperiencë dhe shumë mbështetje teknike dhe materiale. Në datën 21 do të zhvillohet një aktivitet i madh në Tiranë, i cili do ta lançojë fillimin e këtij projekti të rëndësishëm, të cilin ju ftoj ta ndiqni pastaj për më shumë detaje”, ka thënë Lleshaj.

Mal i Zi, nënshkruhet protokolli i bashkëpunimit

Zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko ka nënshkruar në emër të Ministrisë së Brendshme Protokollin e Bashkëpunimit me Qendrën për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Norvegjisë (CIDS). Protokolli u nënshkrua në një ceremoni të organizuar në Budva, në kuadrin e konferencës rajonale që shënoi fillimin e zbatimit formal të Marrëveshjes së Grantit Norvegjez për Ndërtimin e Integritetin, në Ballkanin Perëndimor. Granti mbështet Ministritë e Brendshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi si dhe Ministritë e Mbrojtjes së Bosnje Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi, për forcimin e kapaciteteve në fushat e ndërtimit të integritetit dhe antikorrupsionit. Fushat e bashkëpunimit në kuadër të këtij granti përfshijnë: ofrimin e asistencës dhe mbështetjes në sferën e burimeve njerëzore, prokurimit publik, sistemeve të organizimit dhe menaxhimit; ngritjen e kapaciteteve në drejtimin e përgjithshëm organizativ dhe menaxherial të Ministrisë, duke u bazuar në profesionalizëm dhe gjithë përfshirje dhe duke respektuar barazinë gjinore; si dhe forcimin e mekanizmave për promovimin e integritetit dhe zvogëlimin e ekspozimit ndaj korrupsionit.

Bruksel – Raportim për progresin në çështjet e brendshem dhe drejtësisë

Me ftesë të Presidencës Rumune në Këshillin Evropian, në Bruksel u zhvillua takimi i Zyrtarëve të Lartë të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për Çështjet e Brendshme dhe ato të Drejtësisë. Takimi u fokusua në raportimin për progresin e arritur dhe sfidat për çështjet e drejtësisë dhe punëve të brendshme, për të cilat raportoi për Ministrisë e Brendshme, zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda.

Lleshaj në ‘Top Show’: Molotovët, janë siguruar nën koperturë politike

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka qenë i ftuar në studion e “Top Show”, ku ka biseduar rreth menaxhimit të protestave të opozitës, përgatitjet për procesin zgjedhor të 30 Qershorit, parametrat e sigurisë publike, etj. Ai ka sqaruar se gjatë protestës të datës 11 maj, ka qenë në Policinë e Shtetit, por mohoi të ketë pasur rol në drejtimin e operacionit policor. “Kam qenë në Policinë e Shtetit. Detyra ime është të jem aty në ditë normale, por sidomos në ditë anormale. Por, nuk kam qenë në drejtim të operacionit, pasi në sallën e drejtimit kanë qenë sy ndërkombëtarë dhe unë nuk ia lejoja dot vetes idiotësinë të futem në një sallë ku nuk kam rol dhe ku ka njerëz prezentë që vëzhgojnë sjelljen tonë”, tha ministri i Brendshëm. Në lidhje me dhunën e ushtruar gjatë protestave të opozitës, ministri Lleshaj u shpreh se ato kanë pasur dy objektiva: të godasin Policinë e Shtetit, si dhe godinat e institucioneve. Në lidhje me përdorimin e molotovit, ai theksoi se po hetohet për furnizuesit e tyre në protestë. “Molotovi është prodhuar nga njerëz që dinë ta bëjnë dhe është shpërndarë më tej. Pra, kemi të bëjmë me organizim të mirëfilltë, për të cilin nuk kishim dijeni. Janë futur molotov në vendin tonë në mënyrë ilegale, sepse janë futur nën koperturë politike. Ne pritëm qytetarë në protestë, jo njerëz të armatosur. Kjo është situatë që i kalon të gjitha kufijtë e logjikës”, shtoi Lleshaj.

Protesta e 13 majit, 22 të proceduar për aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë e institucioneve

Policia e Tiranës ka proceduar 22 persona për aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore në protestën e opozitës së datës 13 Maj, ndër ta 7 janë arrestuar. Gjatë protestës së opozitës së bashkuar, fillimisht para Kryeministrisë dhe më pas pranë DPPSH, Parlamentit, Ministrisë së Brendshme si dhe tek Drejtoria Vendore e Policisë, pjesëmarrësit kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarrë, tymuese punonjësit e Policisë. Për pasojë kanë mbetur të plagosur 3 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën e parë pranë spitalit të Traumës. Bazuar në prova, pamje filmike, raporte shërbimi u arrestuan në flagrancë 7 persona, për kryerjen e veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Janë proceduar gjithashtu në gjendje të lirë edhe 15 persona të tjerë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

“Akuila 2019”, arrestohen 8 persona, nga këta 5 në Francë dhe 3 në Shqipëri

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Policinë Franceze dhe organet e drejtësisë franceze, të koordinuara nga EUROPOL, kanë finalizuar me sukses operacionin ndërkombëtar të koduar “Akuila 2019“. Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në Francë dhe në Shqipëri dhe është e bërë e mundur shkatërrimi i një grupi të strukturuar kriminal që operonte në fushën e vjedhjeve të banesave dhe lokaleve, ku përfunduan në pranga të gjithë anëtarët e këtij grupi kriminal. Gjatë operacionit të zhvilluar u arrestuan 5 persona në Francë dhe  3 persona të tjerë u arrestuan në Shqipëri. Gjatë kontrolleve të kryera u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i disa objekteve të vjedhura në Lorraine, Francë, në fund të vitit 2018.