Ministri Lleshaj i ftuar në 'Top Show' në Top Channel - Ministria e Brendshme
Postuar më: 14/05/2019

Ministri Lleshaj i ftuar në ‘Top Show’ në Top Channel

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ishte i ftuar në emisionin ‘Top Show’, me gazetarin Alban Dudushi.

Pjesa e parë e emisionit – VIDEO

Pjesa e dytë e emisionit – VIDEO

Pjesa e tretë e emisionit – VIDEO

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i ftuar në studion e “Top Show” ka folur për menaxhimin e protestave, përgatitjet e procesit zgjedhor, parametrat e sigurisë publike. Ai ka sqaruar se gjatë protestës të datës 11 maj, ka qenë në Policinë e Shtetit, por mohoi të ketë pasur rol në drejtimin e operacionit policor.
“Kam qenë në Policinë e Shtetit. Detyra ime është të jem aty në ditë normale, por sidomos në ditë anormale. Por, nuk kam qenë në drejtim të operacionit, pasi në sallën e drejtimit kanë qenë sy ndërkombëtarë dhe unë nuk ia lejoja dot vetes idiotësinë të futem në një sallë ku nuk kam rol dhe ku ka njerëz prezentë që vëzhgojnë sjelljen tonë”, tha ministri i Brendshëm.

Në lidhje me dhunën e ushtruar gjatë protestave të opozitës, ministri Lleshaj u shpreh se ato kanë pasur dy objektiva: të godasin Policinë e Shtetit, si dhe godinat e institucioneve. Duke u ndalur tek përdorimi i molotovit, ai tha se po hetohet për furnizuesit e tyre në protestë, pasi molotovët janë prodhuar dhe shpërndarë në sasi të mëdha, në konspiracion të plotë.

“Molotovi është prodhuar nga njerëz që dinë ta bëjnë dhe është shpërndarë më tej. Pra, kemi të bëjmë me organizim të mirëfilltë, për të cilin nuk kishim dijeni. Janë futur molotov në vendin tonë në mënyrë ilegale, sepse janë futur nën koperturë politike. Ne pritëm qytetarë në protestë, jo njerëz të armatosur. Kjo është situatë që i kalon të gjitha kufijtë e logjikës”, shtoi Lleshaj.

I pyetur në lidhje me përdorimin e gazit dhe akuzat e krerëve të opozitës se është përdorur gaz helmues ndaj qytetarëve protestues, kreu i Ministrisë së Brendshme u shpreh se kurrsesi nuk bëhet fjalë për gaz helmues, por për gaz lotsjellës dhe është përdorur vetëm pas krijimit të situatave ekstreme.

“Gazi është përdorur vetëm pasi flaka ka marrë udhë, kur janë thyer dyert e Kryeministrisë, kur ka arritur në nivel ekstrem dhune. Gazi u përdor në kushte shumë herë më të agravuara, sesa ndodh nga policitë në botë në situata shumë herë më të thjeshta”, tha ai. Më tej Lleshaj ka sqaruar se gazi i përdorur është blerë në vitin 2011 me firmën e Lulzim Basha, kur ai drejtonte Ministrinë e Brendshme. “Sot e quan lëndë helmuese, atë që bleu vetë”, theksoi ministri.

Ai u ka kërkuar ndjesë qytetarëve edhe në emër të opozitës, por ka sqaruar se kjo ka ardhur për shkak se opozita gjatë protestave, në mënyrë tinzare, ka devijuar vendet ku ka marrë leje për të protestuar dhe është zhvendosur në zona të populluara.

Ministri nuk ka lënë pa theksuar se Policia e Shtetit ka paguar shumë kosto gjatë këtyre protestave dhe janë plagosur shumë police, ndaj kërkoi nga të gjithë solidaritet me ta. “Presidenti Meta gjeti kohë të vizitonte një protestues, por nuk vizitoi asnjë polic të lënduar në spital”, tha Lleshaj.

Sipas tij, situata e krijuar nga opozita në thelb ka vetëm një arsye: frika nga Reforma në Drejtësi. “Opozita nuk do qeverisjen, ka një merak tjetër: Reformën në Drejtësi. Sepse e vetmja rrugë për të bllokuar Reformën është rrëzimi i shtetit bashkë me reformën. Kur janë të fortë të bllokojnë zgjedhjet, pse nuk qenka të fortë të garantojnë zgjedhje korrekte? Kontradiksion”, tha ai.