“Miratimi i ligjit për Policinë Gjyqësore, edhe një mesazh i madh në drejtim të implementimit përfundimtar të reformës në drejtësi”                                                                                                                                                                - Ministria e Brendshme
Postuar më: 25/04/2019

“Miratimi i ligjit për Policinë Gjyqësore, edhe një mesazh i madh në drejtim të implementimit përfundimtar të reformës në drejtësi”                                                                                                                                                               

VIDEO – Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në seancën parlamentare, gjatë diskutimit për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”:

Të nderuar deputetë,

ligji për Policinë Gjyqësore, që propozohet sot për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, shënon një fazë shumë të rëndësishme në procesin e reformës në drejtësi, e cila tashmë ka hyrë në një fazë kreshendo, dhe po shkon drejt përfundimit duke realizuar pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, nevojën e tyre të madhe për më shumë drejtësi, dhe duke justifikuar mbështetjen e gjithë partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kanë qenë të pa lëkundur në këtë proces jetik për Shqipërinë.

Ligji në vetvete shënon një hap të mëtejshëm në drejtim të konsolidimit të procesit të hetimit, i cili për hir të së vërtetës në harkun e viteve ose tre dekadave të shkuara ka pasur oshilacione të shumta, për arsye se duke qenë i ndarë në disa duar nuk ka arritur të dëshmohet si një proces i integruar, i konsoliduar dhe i pacenuar.

Historia e këtyre viteve të shkuara ka në të shkuarën treguar mjaft problematikë, dhe ligji që do të miratohet sot i jep një përgjigje të qëndrueshme këtij problemi, duke ndihmuar në konsolidimin e procesit të hetimit, duke krijuar kushtet e plota që procesi i hetimit të jetë një proces i integruar, ku të gjitha palët  që marrin pjesë në të, të flasin me një gjuhë. Pra me një ligj, të ndjekin të njëjtën qasje, të njëjtën procedurë dhe të arrijnë në ato përfundime të cilat shpresohen fort.

Ligji, ndër të tjera krijon mundësi të mëdha  për rritjen e bashkëpunimit dhe forcimit midis Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, bashkëpunim, i cili është parakusht themelor për një proces hetimi të integruar dhe të konsoliduar. Ky ligj krijon kushtet bazë për rritjen dhe forcimin e mëtejshëm të profesionalizmit në radhët e oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Ky ligj krijon kushtet bazë për rritjen dhe forcimin  e mëtejshëm të profesionalizmit në radhët  e oficerëve të Policisë Gjyqësore, për arsye se vendos kushte të qarta për gjithë ciklin profesional të jetës së tyre brenda kësaj strukture, duke filluar që nga momenti i rekrutimit, momentet  e arsimimit, trajnimit, kualifikimit dhe po ashtu duke vendosur standarde të larta dhe shumë të qarta që lidhen me  karrierën profesionale të punonjësve ose të oficerëve të policisë gjyqësore.

Rregullimi i gjithë këtij cikli të menaxhimit të jetës profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore, kontribuon jo vetëm në rritjen e profesionalizmit të oficerëve të policisë gjyqësore, por në fund të herës në rritjen e nivelit të hetimit.

Para pak ditësh besoj, shumë prej jush  e keni parë që ne inauguruam përfundimin  dhe implementimin  e një sistemi shumë të rëndësishëm që ka një emër të thjeshtë “Sistemi i Menaxhimit të Çështjes”. Ky sistem i cili u mundësua falë bashkëpunimit dhe mbështetjes financiare të partnerëve tanë të rëndësishëm: SHBA, BE, sigurisht edhe të Qeverisë shqiptare. Një sistem, i cili bën bashkë  në mënyrë virtuale institucionet kryesore që marrin pjesë në procesin  e hetimit. Pra bën bashkë policinë, prokurorinë dhe gjykatat dhe mundëson që çdo çështje penale që hapet në Republikën e Shqipërisë të marrë një numër unik, në fillim të saj dhe pastaj të ndiqet në mënyrë të integruar nga të gjithë aktorët që marrin pjesë në sistem.

Ky sistem duke i bërë bashkë të gjitha institucionet mundëson dhe krijon kushtet bazë që problematika të rëndësishme të së kaluarës të mos përsëriten më kur çështjet thjeshtë humbasin në xhunglën e dosjeve të pafundme të hetimit, por ato të ndiqen në mënyrë sistematike dhe të mundësojë që nga sistemi jo vetëm të vlerësohet puna, performanca e çdo pjesëtari në të, pra çdo oficeri të policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit, prokurori apo gjykatësi, por edhe të mund të gjenerohen raporte, analiza, pra mund të mësohet prej vetë sistemit, në mënyrë që sa më shpejt sistemi i drejtësisë të hyjë në hullinë profesionale ashtu siç janë edhe sistemet e drejtësisë në vendet ku ne aspirojmë të përqasemi, të afrohemi.

Fatkeqësisht, krahas pritshmërive dhe mbështetjes së lartë publike për reformën në drejtësi, krahas mbështetjes së lartë ndërkombëtare për reformën në drejtësi, e cila duartrokitet nga të gjithë partnerët tanë, europianë dhe euroatlantike, ata partnerë të cilët i kanë qëndruar pranë Shqipërisë, për hir të vërtetës që nga ora e parë e lindjes së saj, po ashtu edhe Kosovës në të njëjtën kohë, fatkeqësisht, kjo reformë nuk gjen të njëjtën mbështetje nga segmente të caktuara të politikës shqiptare, që tashmë është shndërruar në parapolitikë, duke tentuar të krijojë një mjedis tjetër, pothuajse skizofrenik për të relativizuar, për të zbehur dhe për ta dëbuar pak a shumë fjalën “reformë në drejtësi” nga gjithë diskursi politik dhe nga  gjithë diskursi publik.

Besoj jemi të gjithë të ndërgjegjshëm dhe të qartë se çfarë ndodh gjatë të gjithë këtyre ditëve me përpjekjen për të krijuar axhenda paralele ku vetëm fjala drejtësi apo reforma në drejtësi nuk përmendet, ku gjithçka përmendet, ku një pjesë e klasës parapolitike është gati të vërë zjarr kudo të hedhë baltë mbi këdo për arsye nga më të ndryshmet, por asnjë fjalë dhe asgjë nuk flitet për Reformën në Drejtësi. Një shembull i qartë i kësaj ishte sot, ndoshta ju ka shpëtuar nga vëmendja, por para Parlamentit sot nuk pati protestë si zakonisht gjatë këtyre muajve të fundit, por pati një grup të vogël të rinjsh, të cilët në përpjekjen për të qenë “inovativ” kishin vënë një banderolë të turpshme përpara Kuvendit të Shqipërisë ku shkruhej: “Ti Shqipëri s’më jep nder!”

Është një shenjë e trishtë e degradimit të madh jo vetëm politik, por edhe moral dhe atdhetar të një grupi të caktuar parapolitik, i cili krijon dëm në përpjekjen e tij për të mbijetuar në kushtet e vështira të një reforme, e cila e bën të vështirë mbijetesën e atyre që kanë borxhe të mëdha me ligjin dhe me publikun në tërësi.

Edhe sulmi ndaj Policisë së Shtetit krahas institucioneve është shenjë e këtij dëshpërimi të madh. Ditët e fundit kemi qenë të gjithë dëshmitarë të një intensifikimi të madh të sulmeve ndaj Policisë së Shtetit, jo vetëm sulmeve fizike me fishekzjarrë dhe gurë, por dhe sulmeve verbale, të cilat për çudi nuk po pushojnë edhe në rastet kur policia shënon suksese shumë të rëndësishme. Rasti i Rinasit, i cili u përmend pak nga z. Balla, është vetëm njëri prej tyre. Në një hark shumë të shkurtër kohor, vetëm pak ditë pas një sulmi i cili u finalizua me një grabitje të madhe mjetesh financiare në Rinas, Policia e Shtetit arriti të zbardhi shumë shpejt, në mënyrë shteruese, të dokumentojë, të provojë në mënyrë shkencore me dëshmi dhe me prova materiale, një vepër shumë të rëndë kriminale, e cila ka tronditur me të drejtë një pjesë të madhe të opinionit publik. Dhe ajo që nuk kuptohet është që edhe në këto kushte vijon një sulm, i habitshëm, për shumëkënd, për mua jo i habitshëm, i cili kryesohet nga një person, të cilit nuk po ia përmend emrin. I kam vënë edhe unë një emër, i them “Haxhi Mileti”, në shenjë proporcioni me faktin që edhe ai zotëria ka hequr dorë nga adresimi i njerëzve me emrin e vërtetë. Të gjithëve u vë një emër tjetër. Edhe unë i kam gjetur një emër. Besoj nuk ka nevojë ta shpjegoj se çfarë nënkupton. Ata që kanë lexuar Kadarenë e dinë se kush është ‘Haxhi Mileti’.

Do doja vetëm të sillja në vëmendjen tuaj vijimin me konsistencë të sulmit të këtij personi ndaj Policisë së Shtetit, në këtë rastin konkret që nuk është thjesht një sulm verbal, retorik, por është dhe një përpjekje për të intimiduar procesin e hetimit që po zhvillohet nga policia dhe prokuroria duke bërë në një mënyrë krejt të hapur avokatinë e një prej bandave më të rrezikshme me të cilat është ndeshur Policia e Shtetit, dhe për këtë jemi dëshmitarë të gjithë, një bandë e cila ka arritur të krijojë problematika të mëdha në disa vende, jo vetëm në Shqipëri, por në Shqipëri, në Greqi, në Kosovë, ka sulmuar, ka thyer burgje, ka dëmtuar, ka vjedhur banka, ka grabitur parà, ka sulmuar me armë Policinë e Shtetit. Ka lidhje të dokumentuara me celula terroriste të rrezikshme dhe mbetet, për ne të gjithë, por dhe për publikun shqiptar, me rëndësi që të mbahet në vëmendje kjo situatë, e cila është aq e pazakontë dhe e papranueshme.

Në fund, unë doja të thosha që përkundër këtyre sulmeve që i bën Policisë së Shtetit edhe në ditët kur ajo performon në mënyrë dinjitoze, gjej rastin të falënderoj për mbështetjen e madhe që jep publiku shqiptar, parlamenti, por edhe mbështetjen e madhe që japin partnerët tanë ndërkombëtarë. Ishte vetëm sot një shenjë interesante vlerësimi që “E Ngarkuara me Punë” e SHBA-së i adresonte Policisë së Shtetit, duke e cilësuar atë si një ndër policitë më të mira në kontinent, përkundër baltës së pamerituar që hidhet nga një pjesë e parapolitikës shqiptare.

Duke përfunduar ju ftoj që ligjin për Policinë Gjyqësore ta miratoni mundësisht me një mazhorancë të theksuar, për arsye se përmes kësaj, jo vetëm që miratojmë një ligj, por japim dhe një mesazh të madh në drejtim të implementimit përfundimtar të reformës në drejtësi. Faleminderit!