“Një kontroll – Një ndalesë” në kufirin me Kosovën/Miratohet marrëveshja në Kuvend - Ministria e Brendshme
Postuar më: 18/04/2019

“Një kontroll – Një ndalesë” në kufirin me Kosovën/Miratohet marrëveshja në Kuvend

Parlamenti miratoi me 86 vota pro, marrëveshjen që parashikon që pikat aktuale jo të përbashkëta të kalimit kufitar, të ndryshojnë statusin në pika të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërsa pikat e kalimit kufitar që mund të hapen në të ardhmen do të rregullohen sipas parashikimeve të saj.

Ajo lehtëson qarkullimin e shtetasve dhe të mjeteve gjatë kalimit të kufirit, si në pjesën e regjistrimit dhe në pjesën e kontrollit. Verifikimi kufitar kryhet i përbashkët dhe për pasojë minimizohet koha e përpunimit të të dhënave të shtetasve dhe mjeteve gjatë kalimit të kufirit, rritet bashkëpunimi për përmbushjen e interesave të sigurisë dhe përmirësohet shkëmbimi i shpejtë i informacionit e intensifikohet më tej bashkëpunimi policor.

Fjala e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në seancë plenare ku paraqiti marrëveshjen kufitare me Kosovën:

Faleminderit zonja drejtuese e seancës,
Të nderuar deputetë,

Iniciativa për të paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë një marrëveshje të re e cila rregullon ose përmirëson regjimin e kontrollit të kufirit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, ka ardhur para së gjithash nga nevojat e mëdha që lidhen me shtimin e madh të fluksit të lëvizjes së qytetarëve në të dyja anët e kufirit.

Një nga lajmet e mira dhe më të rëndësishme që ka të bëjë me kufijtë e Shqipërisë në vitet e fundit është fluksi i madh i hyrjeve dhe daljeve në kufijtë e vendit tonë.

Po ju jap një shifër: nëse në vitin 2008 kaluan gjithsej, hynë dhe dolën 8 milion e 966 mijë qytetarë shqiptarë dhe të huaj, në vitin 2018 ky numër arriti në 23 milionë. Pra kemi të bëjmë me një rritje spektakolare, të jashtëzakonshme të fluksit të qytetarëve që hyjnë dhe që dalin në kufijtë e Shqipërisë, dhe në qoftë se në vitin 2008 pika e parë kufitare për nga numri i qytetarëve që hynin dhe dilnin, pra që e frekuentonin atë ishte Kakavija, dhe në vendin e dytë ishte Kapshtica dhe në të tretin ishte Rinasi.

Në vitin 2018 kemi një zhvendosje të rëndësishme të rankimit të pikave kufitare. Në vendin e parë tashmë është Morina, nëpërmjet së cilës vetëm në vitin 2018 kaluan rreth 6 milion qytetarë, pastaj është Rinasi, dhe i treti është Muriqani. Iniciativa për ta sjellë projektligjin që ratifikon marrëveshjen midis dy qeverive, pra midis qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, është në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të qeverive, me qëllim për të thjeshtëzuar dhe lehtësuar procedurat dhe masat në kontrollin dhe menaxhimin e qarkullimit në pikat kufitare të vendit.

Projektligji është iniciuar duke u mbështetur në fluksin në rritje, në vullnetin e madh të dy qeverive për ta thelluar më tej bashkëpunimin. Dhe me synimin për ta përmirësuar dhe më tej infrastrukturën e përgjithshme të transportit si në nivelin rajonal, edhe në nivelin europian.

Marrëveshja është në pajtim, në harmoni me aktet më të rëndësishme strategjike dhe ligjore të miratuara nga qeveria. Dhe ajo është një vijim i punës së bërë për të hartuar zbatimin e strategjisë ndërsektoriale të menaxhimit e integruar të kufirit, dhe të planit përkatës të implementimit që shtrihet në harkun kohor 2014-2020.

Aplikimi i kësaj marrëveshje do të sjellë një sërë lehtësish në rritjen të mobilitetit, në lehtësinë e lëvizjes e të shkëmbimeve midis Shqipërisë e Kosovës, jo vetëm në aspektin e lëvizjes së qytetarëve por ashtu dhe në aspektin e lëvizjes së mallrave

Marrëveshja në thelbin e saj parashikon që, nga dy kontrolle që zhvilloheshin në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës, tashmë të zhvillohet një.

Një kontroll, i cili i aplikuar për rreth 6 milion qytetarë në vit, besoj e kuptoni vetë se çfarë kursimesh të jashtëzakonshme në kohë sjell dhe çfarë lehtësie ofron për ata miliona njerëz që lëvizin në dy anët e kufirit. Duke lehtësuar kohën ne kontribuojmë edhe në shtimin e mundësisë apo atraksionit për lëvizje të reja drejt Shqipërisë. E dimë shumë mirë që fluksi i kosovarëve që vijnë e frekuentojnë Shqipërinë për qëllime turistike, tregtare etj., është përherë në rritje dhe anasjelltas, fluksi i qytetarëve shqiptarë, që shkojnë drejt Kosovës është po në të njëjtin kah.

Deri tani është bërë punë e madhe në stacionin e policisë kufitare në Morinë, si në aspektin e përmirësimit të procedurave, ashtu edhe në aspektin e përmirësimit të infrastrukturës, edhe falë investimeve të rëndësishme që janë bërë në bashkëpunim edhe me BE, ku gjatë vitit 2018 përfundoi dhe u inaugurua edhe investimi i ri i rëndësishëm në këtë pikë kufitare.

Qeveria shqiptare parashikon që nën frymën e kësaj marrëveshjeje me Kosovën, e cila tashmë besoj do të marrë miratimin e këtij Kuvendi, të ecim nën të njëjtën frymë edhe sa i përket bashkëpunimit dhe lehtësimit të procedurave të menaxhimit të lëvizjeve në kufi edhe me Republikën e Maqedonisë së Veriut, po ashtu edhe me Republikën e Malit të Zi, duke vendosur kështu standarde të reja, të një fryme europiane dhe duke i prirë një procesi integrues në rajon…

Përveç Kosovës, ne jemi në bisedime me Republikën e Maqedonisë së Veriut për të aplikuar të njëjtin standard edhe në pikat tona kufitare me këtë Republikë, të cilat po ashtu do të kontribuojnë për ta lehtësuar sa më shumë lëvizjen e qytetarëve, e cila siç e shohim nga tendenca e dekadës së fundit, sidomos e viteve të fundit është në një rritje pothuajse eksponenciale.

E njëjta gjë planifikohet dhe në fakt zhvillohen bisedime edhe me Malin e Zi, për të mundësuar që edhe pikat kufitare me këtë shtet, të aplikohen të njëjtat standard që po aplikojmë me Republikën e Kosovës.

Sigurisht që e gjithë kjo që bëhet është një lëvizje që synon zbatimin e parimeve europiane të lirisë së lëvizjes dhe frymës së Shengenit për të cilën ne mendojmë që duhet të jetë destinacioni i ardhshëm që dalëngadalë edhe në rajonin tonë të aplikohen ato standarde që tashmë për Europën janë kthyer në rutinë, pra lëvizje e lirë e shtetasve, në të dy anët e kufirit, pa kompromentuar, pa prekur, pa cenuar aspak sigurinë, e cila sipas vlerësimeve tona jo nuk vetëm që nuk komprometohet nga liria dhe lehtësimi i lirisë së lëvizjes, por nga zbatimi i metodave dhe praktikave europiane, mund të shpresojmë për rritje të parametrave të sigurisë ndonëse në pamje të parë duket si një kontradiktë në vetvete sesi mund të shtohet siguria, kur rritet liria e lëvizjes. Por duhet të kemi parasysh të nderuar deputetë që nuk është puna që bëjmë vetëm lehtësim të procedurave të kontrolleve në kufi, por paralelisht me lehtësimin e procedurave në kufirin tonë të përbashkët, shtohen masat përkatëse të sigurisë me qëllim që liria të mos e komprometojë sado pak sigurinë.

Me këtë rast duhet të përmend edhe diçka tjetër që lidhet me këtë çështje që ka të bëjë me fillimin e zbatimit në praktikë të protokollit dhe marrëveshjes së nënshkruar me Frontex, marrëveshje, e cila është e para e nënshkruar nga BE me një vend të rajonit dhe përmes së cilës synohet që angazhimi i strukturave të sigurisë të BE pra kryesisht të Frontex-it, të mund të rritet të kontribuohet më shumë për rritjen e sigurisë. Thënë ndryshe prania përherë e shtuar e strukturave dhe oficerëve të sigurisë të Frontex në kufijtë tanë, e cila tashmë është drejt fillimit praktik, do të jetë një faktor i shtuar për të arritur më tej nivelin e sigurisë së kufijve tanë dhe për të kontribuar që liria e lëvizjes së qytetarëve në anët e kufirit tonë, të mos shoqërohet me efekte të padëshiruara në sigurinë e tij.

Konsideruar gjithë këto ju ftoj që ta miratojmë këtë marrëveshje si një hap i parë i rëndësishëm drejt një serie marrëveshjesh të ngjashme, që duam të nënshkruajmë edhe me vende të tjera të rajonit për ta bërë Shqipërinë ashtu siç synohet të bëhet, një vend promotor të lirisë së lëvizjes në rajonin tonë.
Faleminderit!