Interpelanca/"Me masat e marra në Rinas është garantuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten" - Ministria e Brendshme
Postuar më: 18/04/2019

Interpelanca/”Me masat e marra në Rinas është garantuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten”

VIDEO – Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në interpelancën e sotme të kërkuar nga deputetët e opozitës, për grabitjen në Aeroportin “Nënë Tereza”:

Mirëdita i nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar deputetë të opozitës që keni kërkuar interpelancën,

së pari, ju falënderoj  për vëmendjen tuaj ndaj ngjarjes të cilën sot e kemi objekt të diskutimit në kuvendin e Shqipërisë. Është një ngjarje e cila e meriton një shqetësim dhe diskutim serioz. Sigurisht që z. Gjoni  më keni bërë aq pyetje sa që vetëm po të lexoj pyetjet tuaja më ikin 20 minutat që kam parashikuar, por gjithsesi do përpiqem dhe pse nuk i kam pasur para pyetjet, kështu që do përpiqem t’i qëndroj asaj linje për të cilën jam përgatitur, me synimin që t’i adresoj pyetjet e bëra.

Së pari, dua të them që ngjarja e dt. 9 prill 2019 në Rinas është një ngjarje e rëndë, madje shumë e rëndë, për arsye se është një episod i përsëritur, i cili ngarkon me përgjegjësi shumëkënd dhe nuk nderon shumëkënd. Sigurisht që kjo ngjarje ka marrë të gjithë vëmendjen e duhur të Policisë së shtetit, dhe të organeve të tjera ligj zbatuese, pavarësisht edhe ngarkesave të shumta paralele që ka Policia e Shtetit dhe organet e tjera për të menaxhuar situata mjaft të ndërlikuara, të cilat jo rrallë e kanë devijuar Policinë e Shtetit nga përqendrimi tek biznesi bazë i saj që është siguria dhe rendi publik. Dua të them që në krye të herës se diskutimi që ka shpërthyer si përherë, dhe kësaj herë rreth kësaj ngjarje, ka tentuar që të spostohet në një plan politik madje dhe emocional. Duke ju larguar një diskutimi racional, madje duk tentuar drejt absurdit, siç thotë latini “reductio ad absurdum”.

Ka pasur një gatishmëri të madhe për të prodhuar skenarë hipotetikë, apokaliptikë, të ndërtuar mbi argumentin se çfarë mund të kishte ndodhur tjetër përveç asaj që ndodhi?! Cila gjë mund t’i kishte gjetur disa dinjitarë ose funksionarë të shtetit që rastësisht përdorën aeroportin atë ditë, apo funksionarë të huaj që përdorën aeroportin?! Të tjerë kanë shtruar hipotezën se çfarë do të kishte ndodhur nëse do ishte rrëmbyer  avioni, nëse do të ishte një grup terrorist?! Nëse, nëse, nëse…

Sigurisht që të gjitha këto imagjinata e kujtdo mund t’i krijojë, mund t’i prodhojë, është e lirë, dhe janë legjitime në një farë mënyre, por nuk na çojnë asgjëkundi. Për arsye se i gjithë diskutimi nuk është bërë në funksion të nxjerrjes së mësimeve të duhura që ato gjëra që mund të kishin ndodhur, të mund të mos ndodhnin në të ardhmen. Dhe janë bërë më shumë në linjën se si mund të nxihet më shumë realiteti, dhe se si mund të ndëshkohen ata që janë përgjegjës për gjërat që mund të kishin ndodhur.

Në fakt kjo linjë diskutimi më duket pak e tepruar ndonëse e kuptoj, por them që rëndësia e çdo diskutimi, politik, publik, mediatik, apo dhe parlamentar duhet të fokusohet në kuptimin e mirë të ngjarjes. E cila është një episod në një seri ngjarjesh që kanë ndodhur më parë, me qëllimin e parë dhe të madh për të parandaluar përsëritjen e tyre, në të ardhmen, me të qëllimin e dytë për të nxjerrë përgjegjësitë institucionale dhe individuale në mënyrë që kjo ngjarje të mos ndodhi. Megjithëse dua ta them që në fillim se nuk është një ngjarje apokaliptike, nuk është një shkatërrim i sigurisë kombëtare të Shqipërisë.

Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë,

siguria  kombëtare e Shqipërisë nuk mund të cenohet nga një grup prej 5 vetësh, që cenojnë aeroportin  e vendit, dhe kjo duhet të përjashtohet nga diskutimi në këtë kontekst. Tani dua të them dy fjalë për ngjarjen. Ngjarja ka ndodhur me 9 prill 2019, në orën 14:57, kur në pistën  e aeroportit të Rinasit janë futur 5 persona të armatosur, me një fugon të kamufluar si ‘Hetimi Tatimor’, prej ku kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme mjetesh monetare dhe janë larguar pastaj shumë shpejt përmes portës veriore të aeroportit, në drejtim të Niklës, konkretisht Tapizës.

Besoj që ngjarja pak a shumë  është e njohur, por ngjarja është dëshmi e një serie dështimesh të disa hallkave të cilat janë përgjegjëse për sigurinë në aeroport. Sigurisht me ligj, me një ligj të miratuar në Kuvend para 15 vitesh, përgjegjësia e sigurisë së Aeroportit të Rinasit i është transferuar një kontraktori privat. Sigurisht unë nuk do e kisha votuar kurrë dhe nuk do ta kisha kuptuar kurrë këtë vendim, por ama duhet të dini që vendimi për ta transferuar këtë përgjegjësi të ruajtjes drejt operatori privat, madje të huaj privat, është marrë në këtë kuvend dhe është pranuar,  është toleruar dhe është pëlqyer 15 vjet me radhë dhe ju dini fort mirë se kush ka qëndruar në këto karrige gjatë 15 viteve dhe askush nuk e ka atakuar, adresuar asnjëherë faktin bazë që kjo çështje e rëndësishme e sigurisë së aeroportit të Rinasit është transferuar në duar private.

Operatori privat i ngarkuar me sigurinë e aeroportit ka njoftuar 5 minuta e 21 sekonda më vonë Policinë  e Shtetit, pasi policia kishte marrë ndërkohë në rrugë të treta njoftimin për ndodhjen e ngjarjes dhe për cenimin e sigurisë. Ndërkohë që në mënyrë zyrtare kompania e ruajtjes së aeroportit ka njoftuar sallën operative të Komisariatit Rinas 6 minuta e 30 sekonda më vonë nga fillimi i ngjarjes.

Në të njëjtën kohë TIA, pra ‘Tirana International Airport’ ka njoftuar Aviacionin Civil shqiptar 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja. Po ashtu kontraktori privat i sigurisë së aeroportit nuk ka lejuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të hyjnë në aeroport, pasi kishin marrë njoftimin siç thashë në rrugë të tretë, kanë tentuar të futen brenda, por nuk është lejuar për arsye se porta përkatëse nuk është hapur dhe portën e ka nën komandë kompania që është e ngarkuar me sigurinë e Aeroportit.

Ju thashë që kjo është një ngjarje  e përsëritur, ka ndodhur një e ngjashme, pra  sa i përket vjedhjes së parave gjatë transportit në datën 3 dhjetor 2015, kur në Qafë Kashar është vjedhur një sasi prej 3.4 milionë eurosh. Më 3 qershor 2016 brenda aeroportit Nënë Tereza  të Rinasit është realizuar pothuajse një skenar i ngjashëm dhe është vjedhur një sasi mjetesh financiare në vlerën e afërsisht 1 milion euro. Me 9 shkurt 2017 po në Qafë Kashar, në drejtim të universitetit ‘Epoka’, përsëri është realizuar një sulm i organizuar, madje i mirë organizuar ndaj një transporti vlerash monetare ku është vjedhur një sasi prej 2.87 milionësh.

Nga gjithë kjo seri sulmesh, grabitjesh në aksin që lidh Tiranën me Rinasin ose brenda aeroportit, është arritur që më datën 14.02.2017, pra 5 ditë pas ngjarjes së katërt, të realizohet operacioni “Patriot”, ku në fakt u zbardh vjedhja e datës 3.12.2015 dhe ajo e datës 09.02.2017, prej nga ku u identifikuan 9 persona përgjegjës prej të cilëve u arrestuan 4 prej tyre.

Kjo pak a shumë është ngjarja e fundit dhe parahistoria e saj. Kush janë detyrimet e Policisë së Shtetit? Siç ua thashë në zbatim të ligji Nr.9312, datë 11.11.2004 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Koncesionit, Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Koncesionare “Tirana Airport Partners”, në pikën 12 thuhet: “Siguria dhe Mbrojtja,  citoj, “Shoqëria do të jetë përgjegjëse për sigurinë në zonën e Koncesionit”; dhe në Shtojcën 44: “Shoqëria do të jetë përgjegjëse për sigurinë në aeroport që nga data e fillimit, gjatë afatit të koncesionit në përputhje me këtë kontratë dhe ligjin e zbatueshëm dhe konventat përkatëse. E një shtojcë tjetër, nr. 25 thuhet që: “Rruga perimetër e aeroportit dhe perimetri i rrethimit të sigurisë” citoj: “Shoqëria do të sigurojë të gjitha hyrjet e sigurisë për automjetet, hyrjet për këmbësorët dhe crash gates janë sipas standardit 1722.”

Pra kështu janë të ndara dhe përgjegjësitë. Zona e aeroportit me ligj është zonë përgjegjësie e Koncesionarit, ndërkohë që pjesa tjetër, perimetri jashtë saj është përgjegjësi e Policisë së Shtetit, ashtu siç çdo centimetër i vendit.

Policia e Shtetit dhe autoritete të tjera përgjegjëse, kanë patur në monitorim të vazhdueshëm gjendjen e sigurisë së Aeroportit të Rinasit dhe kanë patur po ashtu vërejtje, objeksione të qenësishme sa i përket sigurisë këtu.

Ka patur një seri të madhe komunikimesh midis Policisë së Shtetit dhe Kontraktorit që është i ngarkuar me sigurinë e aeroportit. Në vitet e fundit janë rreth 12 komunikime, ku Policia i kërkon marrje masash për mangësi të shumta që janë konstatuar, ndërkohë që pothuajse në të gjitha përgjigjet, atëherë kur ka pasur përgjigje nga Koncesionari, po citoj njërën prej tyre, është e vitit 2016, TIA shprehet se: ajo (pra Kompania) përmbush dhe zbaton të gjitha detyrimet e  parashikuara në marrëveshjen e koncesionit, mënyrë të veçantë ato që lidhen me sigurinë e aviacionit, gjithashtu TIA sqaron se duke përfshirë incidentin e ndodhur në 30.06.2016 dëshirojmë t’ju kujtojmë se Plani kombëtar i sigurisë së Aviacionit Civil parashikon Autoritetin Civil si autoritetin kompetent për të trajtuar dhe koordinuar procesin. Me fjalë të tjera i thotë Policisë që me juve nuk komunikojmë dhe kjo pak a shumë është përgjigjja standarde për të 12 korrespodencat në të cilat, ose i është kujtuar policisë që nuk jeni ju organi që ne mund të merremi ose është heshtur.

Sigurisht çështja e sigurisë në aeroportin e Rinasit për arsye se ka qenë problematike ka marrë vëmendje edhe më të gjerë, në 04.05.2018 kjo është bërë objekt edhe i mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të drejtuar nga Presidenti i vendit, ndërkohë që është bërë edhe objekt i shumë diskutimeve dhe dokumenteve në që janë të reflektuara dhe pasqyruar të arkivuara në Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme, Aviacionin Civil e më tej. Vërejtjet kryesore që Policia e Shtetit ka adresuar në drejtim të Autoritetit Koncensionar, pra të aeroportit te Rinasit janë kryesisht lidhen me portat që nuk sigurojnë parametrat e duhur të sigurisë, janë disa referenca që i kujtohet që portat e aeroportit nuk janë të përshtatshme, rrethimi i jashtëm është pa sensorë, kamerat e ndryshme janë jashtë funksionit ose të pamjaftueshme, zona e tranzitit ka pasë problemet e duhura, ndriçimi i pistës dhe i perimetrit të saj është i pamjaftueshëm, shërbimet e sigurisë kanë qenë të pamjaftueshme dhe të paplota, jo, para shumë, nuk ka shumë kohë që Autoriteti i Aviacionit Civil pas shumë diskutimesh me Aeroportin, i ka hequr licencën drejtuesit te kompanisë të ruajtjes së Aeroportit, pikërisht për shkak të mangësive të pafundme që ka evidentuar në, cilësia e punonjësve të shërbimit me probleme, e nuk po i listoj e janë të paktën 12 probleme të mëdha të cilat janë evidentuar me kohë nga autoritetet përkatëse.

Pas ngjarjes janë marrë disa masa të rëndësishme në zbatim të urdhrit të ministrit të Brendshëm, të datës 10, pra një ditë më vonë, për marrjen e masave të menjëhershme për forcimin e sigurisë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas dhe urdhrit vijues të Drejtorit të Policisë – Komisariati i Policisë Rinas ka marrë përgjegjësinë për drejtimin, menaxhimin, dhe kontrollin dhe bashkëpunimin me ICDS-në për sigurinë e aeroportit në një farë mënyre kemi marrë drejtimin operacional të kësaj  kompanie sigurie, e cila pak a shumë, siç ka treguar e gjithë përvoja e saj ka humbur besueshmërinë tonë. Në të njëjtën kohë janë marrë masa për forcimin e patrullimit si brenda edhe jashtë zonës së aeroportit.

Policia e Shtetit siç thashë ka hyrë brenda aeroportit dhe ka marrë kontrollin e sigurisë brenda aeroportit duke përfshirë edhe sallën e monitorimit dhe kamerave, e cila ka qenë një zonë e ndaluar për Policinë e Shtetit. Me gjithë insistimin e disa hershëm për tu futur dhe për të patur kontroll në zonën e kamerave, por tashmë kjo ka ndodhur. Po ashtu perimetri i jashtëm është vënë nën mbikëqyrjen e strukturave të Forcave të Armatosura, ju tashmë e dini që ka patur një urdhër të Ministrit të Mbrojtjes për marrjen e përgjegjësisë së ruajtjes së perimetrit nga strukturat e Forcave të Armatosura edhe duke ju referuar përgjegjësisë që kanë Forcat e Armatosura për aeroportin i cili kryen funksione edhe në ndihmë edhe si aeroport ushtarak, dihet që Forca Ajrore ka qasje në aeroport, aeroporti shërben edhe për këtë qëllim, e kështu me rrallë dhe me masat e marra është garantuar tashmë që ngjarje të tilla të mos mund të përsëriten.

Ndërkohë që ju jeni në dijeni tashmë që gjëja e vetme që e ndryshon këtë episod nga episodet e mëparshme është reagimi i forcave të sigurisë, pra të Policisë së Shtetit, e cila për hir të së vërtetës, (nuk i pëlqej këto për të thënë: “për herë të parë ndodhi kjo etj.), por duhet të them që Policia e Shtetit ka reaguar, madje shumë shpejt. Thashë, ka reaguar, pa pasur asnjë njoftim nga ata që janë të ngarkuar për të bërë njoftimin. E ka marrë njoftimin në rrugë të treta. Ka tentuar të hyjë. Është bllokuar në hyrje. Është vënë në ndjekje të grabitësve. Ka pasur një përplasje të fortë me armë, prej të cilës ka mbetur një i vrarë dhe më tej është angazhuar e gjithë struktura në ndjekje të këtij krimi. Sigurisht ka qenë një krim i organizuar mirë dhe ka patur një përpjekje për të devijuar vëmendjen e Policisë së Shtetit përmes djegies së një mjeti identik me atë me të cilin ishin larguar grabitësit. Ndërkohë që grabitësit për një kohë shumë të shkurtër kanë përfunduar brenda një tuneli ushtrie të braktisur, prej nga i kanë humbur dhe vëmendjes së shpejtë të policisë.

Ngjarja është në hetim. Masat e marra nga policia, reagimi i saj i shpejt dhe i vendosur kanë siguruar prova të rëndësishme të cilat japin shpresë të madhe për sukses në hetimin dhe në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes. Besohet fort se kjo është episodi i një serie ngjarjesh me të njëjtët autorë. Kështu që besimi i autoriteteve përkatëse është shumë i fortë që ngjarja do të zbardhet përfundimisht.

Duhet ta kemi të qartë që nuk ka qenë një rast i thjeshtë. Kemi të bëjmë me një grabitje prej autorësh profesionistë të cilët kanë arritur të shpërthejnë edhe zona sigurie më të mëdha. Kanë shpërthyer një burg të sigurisë së lartë në një vend anëtar të BE. Janë larguar prej andej të gjithë, kanë vrarë dhe punonjës policie. Dhe nuk kanë arritur të kapen as atje ndërkohë që është hera e parë që këtu ne kemi të paktën një sukses fillestar.

Unë garantoj qytetarët, deputetët, që me masat e marra, siguria e aeroportit është e garantuar dhe me masat që do të merren në vijim ajo do të arrijë në ato nivele të cilat na japin qëndrueshmëri të gjatë.

Dua të them, për të gjithë ata që janë përpjekur që këtë situatë ta keqinterpretojnë, ta keqpërdorin, të them që nuk është një situatë apokaliptike. Nuk është e vërtetë që është e vetmja ngjarje që ka ndodhur në botë. Aeroporte dhe zona të tjera të sigurisë janë goditur, jo në Shqipëri, por në shumë e shumë vende të tjera të botës që janë shumë herë më të mëdha, më të fuqishme se Shqipëria. Po ju them, Gjermani, Nju Jork, Bruksel, Meksikë… ose po ju them një rast të shkurtër sa për ta vendosur pak në kontekst shqetësimin tonë me realitetin.

Me 18 shkurt 2013, 8 persona të armatosur hynë në aeroportin e Brukselit në pistë dhe vodhën 50 milionë USD diamante. Hynë me 2 makina, me kallashnikovë, u larguan nga aeroporti, e dogjën automjetin e grabitjes jashtë aeroportit, vodhën 130 thasë. Dhe operacioni i tyre brenda aeroportit të Brukselit zgjati 20 minuta. Te ne ka zgjatur 5 minuta. Nuk po them që ta relativizojmë këtë punë. Më vonë u kapën rreth 31 persona. Dhe kjo që po them, nuk ka ndodhur në Shqipëri, por ka ndodhur në këtë planet, në Europë, në Bruksel, aty ku është qendra, edhe e NATO-s, edhe e BE-së. E them këtë, edhe njëherë, jo për të relativizuar atë që ka ndodhur, për arsye se ajo që ka ndodhur është mjaft e rëndë dhe ne do t’i nxjerrim të gjitha përgjegjësitë për këdo qoftë, edhe në aspektin administrativ, drejtues, por edhe në aspektin ligjor. Por duhet të them që rëndësi ka të mendojmë për një zgjidhje afatgjatë e cila duhet të orientohet drejt burimit të kësaj situate që është ligji, i cili e ka transferuar përgjegjësinë, nga duart e policisë, te një kontraktor privat, dhe ky ligj është ende në fuqi sot. Dhe uroj që nesër dikush të mos vijë të trokasë prapë te Policia e të thotë: – pse keni shkelur ligjin, duke ndërhyrë në zonën e aeroportit, e cila nuk është përgjegjësia juaj, por është përgjegjësi e një kontraktori privat. Faleminderit!

Replika e ministrit Lleshaj me deputetin demokrat Myslim Murrizi:

I nderuar zoti Murrizi,

megjithëse nuk kam arritur ta kap 100%  fjalën tuaj, për shkak të akustikës ndoshta, por do ta lexoj më vonë, do ta studioj më vonë. Megjithatë e vlerësoj edhe pasionin që nuk ju mungon, por edhe racionalitetin e diskutimit tuaj për arsye se vlerësoj disa çështje racionale që diskutuat, që kanë të bëjnë kryesisht me krijimin e kapaciteteve.

Sigurisht që thelbi i çështjes është që ne duhet të kemi kapacitete të reja, përveçse duhet të bëjmë kujën e nevojshme për këtë ngjarje. Nuk dua të dekurajoj askënd për ta vazhduar kujën, por në thelb na duhet që të mendojmë për të ardhmen. E thashë dhe në fillim  që ne duhet të mendojmë për krijimin  e kapaciteteve.

Sigurisht komisariati i Rinasit është ai më i afërti dhe i fundit që keni parë, por po të shihni morinë e komisariateve të Shqipërisë, do të shihni edhe më keq se Rinasi, për arsye se këto janë mundësitë  e këtij vendi, kjo gjendje është  e trashëguar prej shumë e shumë vitesh. Kryesisht Shqipëria është fokusuar në sektorë të tjerë prioritarë, si në: shkolla, spitale ndërkohë që tek Policia ende ka nevoja të mëdha për të bërë dhe ne do të bëjmë përpjekje të mëdha për të ndërhyrë qoftë në Komisariatin e Rinasit, qoftë në Komisariatin e Maliqit, që nuk ekziston fare apo të Vaut të Dejës që nuk ekziston fare e kështu me radhë.

Në lidhje me ato shifra që thatë për shpërndarjen e personelit, që kryesisht janë sportelist – Po, kështu janë. Komisariati i Rinasit është një komisariat i ristrukturuar pas marrëveshjes koncensionare në funksion të saj dhe stafi i  Komisariatit të Rinasit është thjesht sportelist për të kontrolluar pasaportat në hyrje-dalje, nuk ka qenë një komisariat që ka pasur funksione të mëdha sigurie, sepse siguria ka qenë e kontraktuar. Ky është problemi dhe këtu e shoh dhe thelbin e problemit që duhet adresuar dhe do të adresohet shpejt, ndërkohë që ka filluar.

Sa janë shifrat e grabitura? Jua kam thënë diku, nuk jam futur shumë në detaje të kësaj, megjithëse nuk është sekret kjo është diku te rreth 5 milionë euro të grabitura. Ajo banka e re që përmendi është në fakt vërtetë një bankë e re, e cila ka blerë një bankë të vjetër, ka blerë “Societe General” më duket se kështu është, më duket bankë e re por në fakt është një bankë e vjetër ajo. Sa i përket punonjësve të ICTS-së, arrogancës së kësaj kompanie të cilën e ka nxjerrë policia është e vërtetë, ne do të marrim masa, deri më sot kjo kompani nuk është licencuar asnjëherë nga Policia e Shtetit , është e vetmja kompani sigurie në Shqipëri, e cila nuk licencohet nga Policia e Shtetit, por nga Aviacioni Civil dhe masat do të merren që edhe kjo kompani të futet në suazës e licencimit të Policisë së Shtetit në mënyrë që kjo situatë të mos ndodhi më. Faleminderit!