“Një kontroll - Një ndalesë” në kufirin me Kosovën/Miratohet marrëveshja në Komisionet parlamentare - Ministria e Brendshme
Postuar më: 17/04/2019

“Një kontroll – Një ndalesë” në kufirin me Kosovën/Miratohet marrëveshja në Komisionet parlamentare

Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar”.

Akti është iniciuar në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të dy qeverive, me qëllim thjeshtëzimin dhe lehtësimin e procedurave e të masave, lidhur me kontrollet kufitare të menaxhimit të qarkullimit ndërkufitar. Kjo duke marrë parasysh fluksin në rritje të qarkullimit të shtetasve dhe të mallrave, vullnetin për të forcuar dhe zhvilluar më tej bashkëpunimin, si dhe synimin për arritjen e objektivave për përmirësimin e infrastrukturës së transportit rajonal e europian.

Marrëveshja parashikon që pikat aktuale jo të përbashkëta të kalimit kufitar, të ndryshojnë statusin në pika të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërsa pikat e kalimit kufitar që mund të hapen në të ardhmen do të rregullohen sipas parashikimeve të saj.

Ajo lehtëson qarkullimin e shtetasve dhe të mjeteve gjatë kalimit të kufirit, si në pjesën e regjistrimit dhe në pjesën e kontrollit. Verifikimi kufitar kryhet i përbashkët dhe për pasojë minimizohet koha e përpunimit të të dhënave të shtetasve dhe mjeteve gjatë kalimit të kufirit, rritet bashkëpunimi për përmbushjen e interesave të sigurisë dhe përmirësohet shkëmbimi i shpejtë i informacionit e intensifikohet më tej bashkëpunimi policor.

“Parimi që do të zbatohet është “Një ndalesë – Një kontroll”, me vetëm një kontroll në hyrje, duke shmangur kontrollet e dyfishta. Kjo marrëveshje vjen në kohë edhe me një investim të madh nga BE në pikën kufitare të Morinës, ku numri i korsive është dyfishuar, në 12 korsi, të ndara 6 për Shqipërinë dhe 6 për palën kosovare, si edhe një godinë e përbashkët, ku do të qëndrojnë autoritetet policore dhe doganore të Kosovës dhe të Shqipërisë”, tha zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda.