Deklarata e ministrit Lleshaj për protestën e dhunshme të opozitës - Ministria e Brendshme
Postuar më: 14/04/2019

Deklarata e ministrit Lleshaj për protestën e dhunshme të opozitës

VIDEO – Deklarata për media e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj:

Policia e Shtetit dha dje një tjetër shembull kuptim-plotë dinjiteti në krye të detyrës, ndërsa dhunuesit e saj një tjetër arsye për t’u braktisur nga çdo qytetar i denjë i kësaj Republike.

Çdokush ka të drejtën të mos e ketë votuar dhe as të mos e mbështesë këtë qeveri, por gjithkush ka detyrën ta dënojë moralisht grupimin parapolitik, që ka krijuar braktisja e parlamentit nga dy parti të rrënuara në arsye e në moral.

Ky grupim nuk po godet qeverinë, madje po e forcon! Nuk po godet partinë e shumicës, madje po e forcon! Ky grupim po godet shtetin dhe po dëmton të ardhmen euro-atlantike të vendit.

 

Deklaratë e plotë për media e Ministrit Lleshaj:

Mirëdita,
Të nderuar qytetarë,

Normalisht sot do të ishte e mbara që edhe unë, edhe ju, t’i kushtoheshim jetës sonë familjare, të kishim nja dy orë për familjen dhe për gjërat tona të përditshme, por qenka e thënë që edhe të dielën duhet të dalim për të folur, për të diskutuar dhe për të njoftuar disa gjëra që nuk i përkasin normales.

Mbrëmë Tirana, por edhe Shqipëria përjetoi për të nëntën herë një ngjarje të pazakontë, një protestë të dhunshme, të paligjshme dhe të rrezikshme.

Ndoshta protesta e kësaj here pati disa të reja, së pari ajo ishte një devijim i rëndë nga ligji. Pati shumë më pak pjesëmarrës, gjë që përbën një lajm pozitiv, për arsye se tregon që shqiptarët përditë e më tepër po kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë e pas kujt duhet të shkojnë e pas kujt nuk duhet të rendin.

Por ajo pati shumë më tepër dhunë dhe ky është një lajm i keq, është një shenjë që tregon dëshpërimin e organizatorëve të kësaj proteste.
Së treti, ajo pati shumë më tepër maska, gjë që e bën atë protestë më të rrezikshme dhe që sollën produkt më të keq, pra më shumë dhunë.

Nga ana tjetër protesta e mbrëmshme u zhvendos në mënyrë të pabesë, tinëzare nga vendi ku ishte kërkuar nga organizatorët e saj, pra para Kryeministrisë së vendit, drejt Parlamentit, që ishte i boshatisur, pra drejt selisë së sallës plenare të parlamentit, duke krijuar pasoja të rënda. Duke përfshirë qytetarë të palidhur me protestën, duke sjellë dëme edhe për biznese, për mjete, edhe për sende të tjera.

Nga ana e organizatorëve, si përherë por veçanërisht kësaj radhe, nuk ishte marrë asnjë masë, në bazë të ligjit, për sigurinë e saj. Nuk ishte shpenzuar asnjë burim njerëzor apo material për të garantuar që protesta të zhvillohej brenda kornizës ligjore, brenda hullisë së normalitetit dhe ligjit.

Përkundrazi u pa qartë se nga organizatorët, në vend të marrjes së masave për sigurinë e protestës, ishin marrë masa për të hartuar plane sulmi, për të angazhuar grupe sulmi dhe për të përdorur dhunë të mirëfilltë kundër institucioneve kushtetuese dhe kundër forcave të rendit publik.

Gjithashtu gjatë protestës u konsumuan thirrje të hapura antikushtetuese për kryengritje, për revolucion, për dhunë. Thirrje të cilat e shoqërojnë këtë vend për fat të keq prej dekadash, por që ditët e fundit po intensifikohen, ndonëse nga grupe përherë e më të vogla njerëzish.

Gjatë protestës u përdor një arsenal i tërë lëndësh shpërthyese, të ndaluara, të rrezikshme, të cilat shkaktuan dhe dëme të mëdha, qoftë materiale, qoftë për jetën e qytetarëve apo të forcave të rendit publik.

Por ajo që është më e keqja, protesta edhe njëherë kontribuoi për ta zhvendosur fokusin e policisë dhe forcave të rendit publik, nga lufta kundër elementëve apo grupeve kriminale në përballimin e një proteste të paligjshme. Përmes kësaj, organizatorët arritën edhe njëherë që t’i krijojnë një zonë komoditeti dhe qetësie grupeve kriminale, veçanërisht në ditët e sotme kur lufta dhe angazhimi i forcave të policisë ndaj tyre është më i domosdoshëm se kurrë.

Nga ana e saj Policia e Shtetit dha dje edhe njëherë tjëtër një shembull kuptimplotë dinjiteti në krye të detyrës. Ndërsa dhunuesit e saj një tjetër arsye për t’u braktisur nga çdo qytetar i denjë i kësaj republike.

Policia e Shtetit reagoi me profesionalizëm, trimëri dhe minimalisht përballë njerëzve që kanë vrarë protestues për mbrojtjen e gardheve të tyre.

Ajo përballoi një dhunë të egër, madje shumë të egër dhe joproporcionale nga një grup i mirorganizuar dhe i mirëpajisur.

Policia e Shtetit e zbatoi edhe njëherë dje me konsekuencë strategjinë e saj tashmë të quajtur “1 – 1 – 0” që do të thotë, një hap më mbrapa në kohē, reagimi se ata që janë përballë, një shkallë më poshtë reagimi në nivelin e dhunës së përdorur dhe zero viktima.

Por megjithatë, Policia e Shtetit edhe dje pësoi shumë, u godit, shumë policë u lënduan, 5 prej të cilëve përfunduan në spital.

Vetëm disa të reja në aspektin e koreografisë u shënuan në protestën e djeshme.

Së pari, ajo kishte natën, si element koreografik, si maskën e madhe për të maskuar veprimet e dhunshme dhe të padenja ndaj institucioneve kushtetuese dhe Policisë së Shtetit.

Edhe kolona zanore ishte disi ndryshe dje, kishin zgjedhur ‘Trojën’ në vend të ‘Skënderbeut’, ndonëse simbolika e kështjellës mbeti në mes, a thua se institucionet e shtetit shqiptar janë një kështjellë, e cila duhet sulmuar nga jashtë për t’u rrëzuar nga njerëz që i kanë pasur dikur në dorë dhe i kanë rrëzuar, edhe kur ishin brenda dhe tani tentojnë t’i rrëzojnë nga jashtë. Sigurisht, pa as më të voglin shans.

Dhe së fundmi u përdor himni kombëtar për të disatën herë keq, u përdor himni nga ata që nuk i dinë as fjalët, as melodinë dhe madje as kuptimin. Për më tepër kur e përdorin himnin për të inspiruar, për të frymëzuar njerëz të verbër kundër Policisë së Shtetit dhe institucioneve kushtetuese të cilat në thelb, trupëzojnë domethënien e himnit kombëtar të shqiptarëve.

Pas protestës janë marrë masa të forta të shpejta nga organet ligjzbatuese, nga Policia e Shtetit, nga prokuroria për të shoqëruar, ndaluar, arrestuar personat që kanë konsumuar vepra të ndryshme penale. Nga ana tjetër do të vazhdojë puna për dokumentimin e mëtejshëm ligjor të shkeljeve nga organizatorët e kësaj proteste.

Vlen të theksohet me keqardhje, se përshkallëzimi i protestës po e zhvendos atë nga një protestë dhe nga një problem i rendit publik, në një problem të rendit kushtetues. Çka do të thotë që organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj mund të përballen së shpëjti me akuzën që kanë të bëjnë, me cënimin dhe sulmin ndaj organeve dhe rendit kushtetues të vendit. Me ktë rast dua që të shpreh solidaritetin tim më të thellë me fëmijët, bashkëshortet, nënat, baballarët e policëve të lënduar dhe të plagosur nga dhuna e verbër e protestës që u organizua dje.

Nga ana tjetër dëshiroj të bëj thirrje për qytetarët që të vijojnë edhe më tej të distancohen, nga dhuna dhe ta braktisin atë edhe më tej, siç kanë bërë deri tani. Çdokush e ka të drejtën të mos e votojë, apo të mos e ketë votuar, apo të mos e mbështesë këtë qeveri, por gjithkush ka detyrën ta dënojë moralisht, të paktën, grupimin parapolitik që ka rezultuar nga braktisja e parlamentit, nga dy parti parlamentare të dikurshme, të cilat tashmë kanë dalë jashtë institucioneve kushtetuese të vendit.

Ky grupim nuk po godet qeverinë, madje në një farë mënyre e forcon atë, nuk po godet as partinë e shumicës që ka qeverinë, ndoshta edhe atë po e forcon. Ky grupim parapolitik në radhë të parë po godet shtetin shqiptar, po dëmton vendin, imazhin e tij dhe perspektivën e tij euroatlantike.

Duhet nga ana tjetër gjithashtu të jap garanci të plota që Policia e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese, do të vijojnë me përkushtim shërbimin e tyre në mbrojtje të rendit publik dhe atij kushtetues në luftë kundër krimit dhe çdo shkeljeje të qetësisë publike, të mirëqenies dhe mbarëvajtjes së jetës normale të qytetarëve. Faleminderit!

Pyetje: Gjatë protestës së djeshme ne pamë një intensitet të shtuar të hedhjes së mjeteve piroteknike në drejtim të policisë. A keni të dhëna se nga janë siguruar këto mjete, pasi, z. Ministër, nga ajo tribunë ku ju jeni duke folur sot, paraardhësit tuaj kanë folur për tolerancë zero në Republikën e Shqipërisë, të këtyre mjeteve piroteknike?

Ministri Lleshaj: Sigurisht, mjetet piroteknike të përdorura dje me shumicë, janë të gjitha mjete të ndaluara, mjete të futura në mënyrë ilegale dhe të përdorura po ashtu në mënyrë ilegale kundër forcave të rendit dhe të sigurisë publike.
Përderisa janë ilegale unë nuk mund të them se nga kanë hyrë, ende jo.

Por ju garantoj që strukturat e policisë dhe strukturat e tjera ligj zbatuese janë në aktivitet të plotë për të gjurmuar, për të ndjekur origjinën, burimin, rrugët e ardhjes së këtyre mjeteve piroteknike dhe për më tepër, për të vënë përpara ligjit përdoruesit e tyre, të cilët i kanë përdorur këto mjete ndaj një policie të papajisur për t’u mbrojtur ndaj tyre. Faleminderit!