“Gjendja e sigurisë në Aeroport është rivendosur në parametrat maksimal të sigurisë” - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/04/2019

“Gjendja e sigurisë në Aeroport është rivendosur në parametrat maksimal të sigurisë”

Replika e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në seancën parlamentare:

Zoti Gjonaj ju falënderoj për konsideratën në nivelin personal dhe dua t’ua kthej me të njëjtin nivel konsideratën, në nivelin personal. Sigurisht që përpiqem të mirëkuptoj alertin tuaj, të cilin megjithatë e konsideroj se  e keni pak të tepruar. Mu duk pak emocional, por megjithatë keni të drejtë të jeni emocional sepse ajo ngjarje për të cilën ju referoheni na prek të gjithëve.

Sigurisht, ajo nuk ishte ngjarja  e parë, ishte seria e pestë e një seriali që ka nisur prej kohësh, në të cilën ka shumë aktorë dhe autorë. Ajo që ndodhi pardje,  ajo  e veçanta në raport me seritë  e mëparshme të këtij seriali është që forcat e sigurisë kanë reaguar, kanë reaguar fort dhe kanë dhënë një goditje që nuk është dhënë prej shumë e shumë kohësh ndaj bandave kriminale që kanë tentuar të cënojnë një aset të rëndësishëm të infrastrukturës kritike të vendit, po deshe edhe të sigurisë kombëtare.

Sigurisht që kushdo mund ta ketë të drejtën që t’i japë udhë të lirë imagjinatës dhe të thotë se çfarë mund të kishte ndodhur nëse do të bëhej kjo, apo ajo, por unë them që futja në këtë rrugën e imagjinatës se çfarë mund të kishte ndodhur, nuk na çon asgjëkundi, sepse gjëra të tilla mund të ndodhin edhe kudo.  Nuk është kjo arsyeja për ta dramatizuar se çfarë mund të kishte ndodhur nëse.., ne do të merremi me atë çfarë ka ndodhur, por ajo që ka ndodhur është mjaftueshmërisht  e rëndë.

Duhet të them që ne kemi marrë masa të plota, të forta, si rrallëherë për të zhbërë një histori turpi, e cila ka filluar gati para 20 vjetësh me transferimin  e një aseti të rëndësishëm të infrastrukturës kritike të vendit dhe të sigurisë kombëtare në duar të panjohura pothuajse, në duar private.

Është një ngjarje  e rëndë, një precedent i rëndë i ndodhur kur ne kemi transferuar sovranitet në duart të një Koncesionari privat, të cilin në qoftë se t’i hynit historisë së tij mund të shihni të gjithë duart që kanë kontribuar në të dhe besoj që do të gjeni edhe shumë duar dhe emra të njohur që kanë kontribuar në këtë situatë.

U tha nga shumëkush që është cënuar siguria kombëtare. Sigurisht që edhe mund ta pranojmë këtë gjë, është një cënim i sigurisë kombëtare, jo rrëzim i sigurisë kombëtare. Këtë nuk  e pranoj kurrsesi, sepse është absurde të pranoj që ka rënë siguria kombëtare  e vendit,  sepse ka ndodhur një incident në aeroport. Kjo nuk është e vërtetë nuk mund të pranohet kështu. Por megjithatë në vlerësimin maksimal që i është bërë ngjarjes, qeveria ka marrë masa të shpejta, të forta si rrallë herë për ta marrë nën kontroll për të përjashtuar edhe teorikisht çdo mundësi që ky aset i rëndësishëm i sigurisë së vendit të mund të cënohet.

Dje janë marrë masa për marrjen e kontrollit të perimetrit të jashtëm të Aeroportit nga një strukturë e Forcave të Armatosura.

Megjithëse të gjithë autoritetet ose faktorët politik që janë përfshirë në këtë diskutim thonë që është cënuar siguria kombëtare, të gjithë qenkan shqetësuar sot se pse Forcat e Armatosura janë angazhuar për të kontribuar në rivendosjen e një elementi të cënuar.

Bie në kontradiktë në çastin e parë, sapo merret masa e parë serioze që çon në më shumë siguri, aktorë dhe përgjegjës të kësaj situate të krijuar ndër vite, shqetësohen menjëherë për kushtetutshmërinë e aksionit të ndërmarrë nga qeveria, a thua se Forcat e Armatosura të Shqipërisë nuk janë këtu për të mbrojtur sigurinë kombëtare të vendit, por janë për t’u përcjellë e për t’u harxhuar miliona në misione jashtë Shqipërisë.

Jo, të nderuar zotërinj, për ju edhe për të tjerë që janë të shqetësuar për këtë, po ju them qartësisht: Forcat e Armatosura të Shqipërisë e kanë në mision kushtetues sigurinë  kombëtare të Shqipërisë. Nëse ne konstatojmë se kjo siguri është cënuar, apo edhe thjesht kërcënuar e pa u prekur, po thjesht ka një kërcënim, Forcat e Armatosura kanë detyrë kushtetuese të japin kontributin e tyre, për këtë situatë.

Sigurisht, ato nuk kanë hyrë atje si Forca të Armatosura, ato kanë hyrë në detyrë si mbështetje ndaj strukturave të Policisë së Shtetit. Ju them, ju e patë të gjithë dhe këtu s’ka asgjë për të fshehur që siguria fizike e Aeroportit ishte atje ku nuk mund të pranohet, që gardhi edhe porta e saj u cënuan në harkun e disa sekondave. Atëherë në këtë situatë kemi dy rrugë – ose ta lëmë siç është sigurinë fizike, ose ta përforcojmë. Dhe përforcimi do kapacitete dhe kapacitete këto janë, dhe ne do t’i përdorim të gjitha kapacitetet që i shërbejnë sigurisë këtij vendi.

Nuk e konsideroj dhe nuk jam kurrë dakord që këtë ta quajmë një turp kombëtar, ky është një incident. Mos harroni ka patur shtete shumë më të fuqishme që kanë rënë në gjunjë në situata të tilla. Të fillojmë nga superfuqia e madhe e botës, mos harroni “11 Shtatorin” se ç’ndodhi, apo edhe shumë e shumë raste të tjera incidente, goditje terroriste, goditje nga të gjitha llojet kanë ndodhur, por asnjë komb nuk çohet të vetë-akuzojë dhe ta shpallë turp, gjendje të pashpresë. Nuk ka asnjë gjë për t’u alarmuar. Ju them miqësisht, nuk ka asnjë gjë për t’u alarmuar.

Ne duhet të jemi shumë të qetë dhe shumë krenarë që instrumentet tona të sigurisë funksionuan, megjithëse ra një instrument, që ishte siguria fizike e aeroportit, funksionuan instrumente të tjera. Policia e Shtetit ka reaguar në kohë rekord dhe në mënyrë të paparë ndonjëherë. Po ju them, ka reaguar në kohë rekord, në mënyrë të paparë, është vënë përballë një sulmi të armatosur, masiv nga një grup kriminal, por ka arritur që ta dominojë situatën, ka arritur që të sigurojë prova të rëndësishme, të cilat do t’i shërbejnë procesit të hetimit. Dhe jam i bindur që procesi i hetimit do të na sjellë shpejt rezultate shumë të qarta, të cilat nuk i kemi patur kurrë më parë. Dhe kjo është falë angazhimit serioz të Policisë së Shtetit, të atyre punonjësve e oficerëve të saj, të cilët kanë rrezikuar seriozisht jetën. Nuk e them për metaforë, por e them konkretisht dhe realisht ata kanë rrezikuar jetën, janë vënë përballë një situate krejtësisht të pallogaritur, në skenarët e riskut që llogarit Policia e Shtetit. Policia e Shtetit nuk llogarit që të vendoset përballë një sulmi të armatosur ku përdoren dhe granatat luftarake, nuk është opsion dhe skenar për të cilin Policia e Shtetit llogaritet.

Por mos të harrojmë ama edhe një tjetër që ky grup kriminal që u kap këtu, është arratisur nga një burg i një vendi të BE-së. Dhe atje nuk është shpallur turp kombëtar, dalja e një grupi të tillë jashtë. Ka vrarë policë në një vend të BE-së, por nuk është shpallur gjëmë kombëtare dhe turp kombëtar arratisja e këtij grupi, dështimi tmerrësisht më i rëndë i situatës së sigurisë atje ku çahet një burg, del një grup i tërë, ikën ka vazhduar. Sigurisht që kjo nuk është justifikim, ne nuk justifikojmë asgjë.

Dhe meqë më përmende dorëheqjen, kam një lehtësi jashtëzakonisht të madhe, besoj nga kushdo tjetër; nuk kam luftuar asnjë ditë të jetës sime për ta pasur këtë post. Dhe nuk kam asnjë brengë, asnjë çast në jetën time për ta lënë atë në mënyrën më dinjitoze, por atë e gjykoj unë.

Ju faleminderit për rekomandimin që më bëni për të, por gjykimi për të është thjesht personal i imi dhe lidhet me dinjitetin tim personal, momenti se kur unë do ta marr atë vendim. Por ju them, edhe njëherë, për ta mbyllur, që unë them të mos kalojmë në një situatë histerie kolektive për një ngjarje e cila është plotësisht e menaxhueshme dhe do të menaxhohet dhe do të zgjidhet në mënyrën më të saktë, më të shpejtë, më të drejtë dhe më të vendosur.

Situata në Aeroport, që nga sot është e padiskutueshme e sigurt. Kam kënaqësi t’i njoftoj të gjithë qytetarët, të gjithë Operatorët që përdorin Aeroportin e Rinasit që gjendja e sigurisë në Aeroport është rivendosur në parametrat maksimal të sigurisë dhe gjithë veprimtaria e Aeroportit do të vazhdojë e pacënuar.

Ndërkohë që Policia e Shtetit, organet e tjera ligj zbatuese do të vazhdojnë pa u ndërprerë dhe pa u devijuar, punën e tyre, për të goditur atë që është më e rëndësishme dhe që është tema e këtij diskutimi të sotëm, lufta kundër krimit të organizuar, e cila është beteja që do na hapë derën e integrimit në Bashkimin Europian.

Faleminderit!