Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në seancë parlamentare - Ministria e Brendshme
Postuar më: 03/04/2019

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në seancë parlamentare

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në seancë parlamentare:

  • Lleshaj: Ndoqa me shqetësim mos ndonjë polic dëmtohej nga marrëzia e një proteste, e cila nuk ka as kuptim as objektiv
  • Lleshaj: Kishim 300 mijë shqiptarë pa adresë, pas një pune 3 mujore ky numër sot është drejt zeros
  • Lleshaj: Qasja është të afrojmë zyrat me standarde të aplikimit për karta ID te qytetarët, dhe jo qytetarët te zyrat e aplikimit
  • Lleshaj: Propozim KQZ, të hiqet dorë nga qendrat e votimit pranë mjediseve private dhe të aplikohen qendra të lëvizshme votimi

Zoti Kryetar,

Gjatë këtyre muajve të parë të detyrës, një ndër preokupimet dhe një nga momentet më të vështira ka qenë komunikimi me familjarët e mbi 224 policëve të rënë në detyrë. Ata kanë dhënë jetën për të na kujtuar se ky vend është ende jo normal, për sa kohë detyrohet të paguaj për sigurinë e tij, jetën e aq shumë policëve. Dhe teksa kjo seancë zhvillohej kam ndenjur me merakun e madh se mos ndonjë polic cenohet ose dëmtohet nga marrëzia e një proteste, e cila nuk ka as kuptim as objektiv. Për sa kohë një grup njerëzish që pretendojnë dhe konsiderohen si grupim politik, por që për mua, në rastin më të mirë janë një grup parapolitik, angazhon apo punëson qytetarë të verbër, të rinj, nganjëherë edhe minorenë që dhe të maskuar ngrenë dorën dhe përsëri qëllojnë me kapsolla, gurë e mjete të tjera kundër Policisë së tyre, pa ditur se përse. Dhe në fund të herës përfundojnë ose në shtëpitë e tyre të mjera, ose në qelitë e paraburgimit. Ndërkohë që masterat e tyre politik vazhdojnë të artikulojnë premtime për një Shqipëri të re, të cilën askush nuk e kupton sesi do të jetë.

Megjithatë unë do të përqendrohem pak te tema që ka të bëjë me zgjedhjet, për arsye se zgjedhjet janë krye-institucioni i çdo demokracie, për të cilat në Shqipëri flitet pak ose aspak. Dhe mua më vjen mirë që sot kemi qetësi për të folur pak për zgjedhjet, qetësi relative kuptohet, nëqoftëse marrim në konsideratë dhe faktin që përjashta bëhet pak zhurmë.

Ministria e Brendshme për shkak të përgjegjësisë së saj shtetërore, edhe si Ministri e Pushtetit Vendor, ose që ka pra në fushën e përgjegjësisë, edhe në pushtetin vendor ka një përgjegjësi të madhe në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Dua të ndalem në një aspekt të veçantë, i cili ka të bëjë me regjistrimin e qytetarëve shqiptarë, me Gjendjen Civile. Dua të them që në ditët e para të detyrës time kam konstatuar me befasi dhe me habi të madhe se rreth 300 mijë shqiptarë nuk kishin ende asnjë lloj adrese të regjistruar në regjistrin themelor të shtetit, që është Regjistri i Gjendjes Civile, aty ku qytetarët pra kanë të depozituar edhe identitetin e tyre si shqiptarë. Pra rreth 300 mijë shqiptarë me datën 9 dhjetor 2018 nuk kishin ende asnjë lloj adrese në Shqipëri, përjashtuar disa kodeve të pakuptimta 000, 999 apo 888, që do të thonë asgjë. Pas një pune të mirë, besoj unë, që u organizua dhe me intensitet të lartë, u arrit që në datën 3 mars 2019, pra në harkun e 3 muajve afërsisht, ky numër të shkonte nga 300 mijë pothuajse drejt zeros dhe sot kam kënaqësinë që t’i njoftoj edhe deputetët, por edhe qytetarët që të paktën në regjistër shqiptarët kanë një adresë, e cila përfaqëson një zhvillim të madh, pozitiv në drejtim edhe të mbarëvajtjes së zgjedhjeve, por nga ana tjetër përfaqëson vetëm një hap shumë të vonuar por gjithsesi tashmë të kryer, i cili duhet të ndiqet nga hapi tjetër po aq rëndësishëm, që është implementimi edhe në terren i një sistemi adresash, përpjekje e cila do të na çojë dalëngadalë drejt vendosjes së një standardi minimal shtetëror, standardi të munguar në këtë vendin tonë, i cili gjatë këtyre pothuajse 30 vjetëve shkatërroi shumë nga gjërat bazike të shtetit. Përveçse u mbush me ndërtime informale, u mbush dhe me qytetarë informalë, për arsye që siç ju thashë rreth 300 mijë syresh nuk ishin as një adresë qoftë edhe formale në regjistrin e tyre.

Puna e strukturave të Ministrisë së Brendshme, e Njësive të qeverisjes vendore, e Prefektëve do të vazhdojë në një faze intensive e cila synon që të vendosë në terren pra fizikisht në çdo derë shqiptare një adrese, në çdo rrugë shqiptare një emër, në çdo shesh shqiptar një emër, dhe në çdo qytet apo fshat të Shqipërisë një emër. Për arsye se edhe emrat e qyteteve dhe të fshatrave të Shqipërisë, janë zhdukur nga qarkullimi, në kuadrin e kësaj historisë së çuditshme që ne e kemi quajtur informale, në fakt është ilegale, ajo që ka ndodhur por ne e kemi zbutur kemi krijuar një neologjizëm, që i themi informale ndërtime informale biznese informale, pra të gjithat në gjuhën normale do të ishin të paligjshme, e kemi relativizuar me elegancën politike dhe kemi mbërritur tek këto termat ‘informal’ saqë kemi krijuar pastaj edhe Agjenci të mëdha shtetërore që adresojnë pikërisht informalitetin.

Por të paktën mendojmë që informaliteti në fushën e administrimit të territorit të emër adresave, element të tjerë që sapo përmenda të marri dalëngadalë fund, për arsye se jo vetëm zgjedhjet nuk mund të realizohen kurrë me standardin e kërkuar nëqoftëse nuk dimë se ku banojnë njerëzit dhe qytetarët e këtij vendi, por as shërbimet aq të domosdoshme dhe aq shumë të nevojshme për qytetarët e këtij vendi, nuk mund të ofrohen pa një sistem adresash, i cili është funksional.

Besoj ju kujtohet të gjithëve se para disa ditësh gjykatat e Shqipërisë, për paradoksin më të madh kërkonin në media adresën e ish-Presidentit të vendit për ta thirrur për një seancë gjyqësore. Është një detaj, i cili na bën që jo vetëm të qeshim, por të ndihemi pak me turp sesi kemi arritur pas pothuajse 30 vjetësh përpjekje drejt demokracisë, jemi ende të fazën që kërkojmë me Gjykatë dhe me Polici të gjejmë adresën e ish-kreut të fundit të shtetit. Atyre më para, ndoshta është më vështirë t’u gjendjet në të vërtetë.

Sigurisht për të realizuar këtë Ministria e Brendshme në bashkëpunim me organet e tjera të qeverisjes vendore dhe Prefekturat ka organizuar një proces dhe një plan masash ambicioz, i cili shpresojmë dhe jemi besim-plotë që do të na çojë tek një sistem i ri, që i shërben administrimit të mirë të zgjedhjeve për arsye se tymi i krijuar nga mungesa e adresave ka krijuar kushtet që edhe administratorë të caktuar lokalë apo dhe aktorë të caktuar politikë, ta përdorin mungesën e adresën si një mjegull të nevojshme për të realizuar edhe manipulime të caktuara, transferime zgjedhësish në mënyrë fiktive, shtime artificiale të listave zgjedhore e kështu me radhë, duke prodhuar efekte të padëshiruara edhe në procesin zgjedhor e ndonjëherë edhe në rezultatin zgjedhor.

Në këtë proces një rol të madh do të marrin edhe Prefektët, të cilët kanë detyrën që si përfaqësues të qeverisë qendrore në nivelin vendor, të koordinojnë përpjekjet e të gjitha institucioneve dhe degëve territoriale dhe të njësive të qeverisjes vendore për të mundësuar një proces zgjedhor, i cili duhet të shënojë edhe një kërcim kuantik pozitiv përpara, me qëllim që të kreditohet edhe si një arritje pozitive e Shqipërisë në procesin e integrimit të saj në BE.

Një element tjetër i rëndësishëm në prag të zgjedhjeve lidhet me kartat e identitetit të qytetarëve shqiptarë. Ju e dini që gjatë vitit 2019, një numër i madh i kartave përfundon, ose skadon për arsye se janë prodhuar, shumica e tyre, në një hark të shkurtër kohor në vitin 2009. Dhe përveç masave që u morën nga ky Kuvend për zgjatjen e vlefshmërisë së tyre, Ministria e Brendshme po merr masa edhe për krijimin e kushteve që problemi të mos postohet në fund të vitit 2019, por pajisja e qytetarëve me karta të marrë fund gjatë vitit. Për këtë janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të aplikimit. Dua të them se megjithëse shqiptarët marrin sot një kartë të standardeve europiane, kushtet në të cilat ajo jepet, pra kushtet ku qytetarët aplikojnë apo shpërndahen, nuk janë në të njëjtin nivel me vetë kartën. Pra, nuk kemi kushte europiane, ndonëse japim një kartë europiane dhe ne kemi kërkuar dhe tashmë po zbatojmë në terren masa, të cilat çojnë drejt krijimit të mjediseve të reja të aplikimit për qytetarët.

Ka filluar ky proces në Tiranë, ku janë ndërmarrë dhe janë kryer ndryshime substanciale, sa i përket cilësisë së aplikimit për qytetarët, dhe ky proces do të shtrihet në të gjitha qarqet, edhe në njësi të tjera administrative të vendit me qëllim që qytetarët të marrin shërbimin e merituar në kushte europiane për kartat e tyre, që janë të standardit europian. Politika dhe qasja që Ministria e Brendshme po ndjek është që të afrojmë zyrat e aplikimit te qytetarët, dhe jo të afrojmë qytetarët te zyrat e aplikimit. Sigurisht që kjo do të ketë kosto, por kostoja është plotësisht e justifikueshme përballë nevojave dhe pretendimeve të drejta të qytetarëve të këtij vendi. Kështu që ky proces vazhdon. Dua t’i inkurajoj dhe t’i bëj thirrje gjithë qytetarëve të vendit, që të nxitojnë për t’i bërë aplikimet për kartat dhe pasaportat e tyre, për arsye se data 31 dhjetor 2019 vjen shpejt dhe duhet të evitohen të gjitha radhët dhe presionet mbi zyrat e aplikimit në fund të vitit, që na ndodh jo rrallë.

Njëkohësisht në takimet që kam zhvilluar me kryetarët e bashkive të vendit, kam diskutuar dhe kam marrë prej tyre edhe një kërkesë të rëndësishme që ka të bëjë me qendrat e votimit. Dihet që vendi ynë, për shkaqe të ndryshme të infrastrukturës, strukturës, nuk ka arritur ende që të ketë mjedise të mjaftueshme për të organizuar zgjedhjet në mjedise publike. Dhe një pjesë e madhe e qendrave të votimit në Shqipëri janë mjedise private, nganjëherë janë edhe restorante, pijetore, mejhane ku dita e zgjedhjeve shndërrohet në një lloj rituali të pakëndshëm për shumë qytetarë, të cilët tek dera e lokalit ku shkojnë për të votuar, ndeshen dhe me gjysmën e fisit të pronarit. Shpeshherë intimidohen, shpeshherë vihen në kushte të vështira, por jo rrallëherë edhe heqin dorë nga votimi. Kështu që, ne i kemi propozuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të aplikohet një standard tjetër, që të hiqet dorë nga qendrat e votimit pranë mjediseve private dhe të aplikohen qendrat mobile ose të lëvizshme të votimit. Është gati Bashkia e Tiranës për ta aplikuar, por mendojmë që në të gjithë vendin mund të aplikohet një standard tjetër, i cili aplikohet në vendet e Bashkimit Europian, ku qendrat e votimit afrohen pikërisht në vende publike, në vendet më të arritshme nga qytetarët dhe eliminohet rituali i vizitës së tyre në restorante dhe në pijetore për të votuar. Faleminderit!