Kurbin - Kontrolle të imtësishme për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike - Ministria e Brendshme
Postuar më: 28/03/2019

Kurbin – Kontrolle të imtësishme për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike

Kurbin – Kontrolle të imtësishme për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike

  • Finalizohet operacioni i koduar “Miloti”
  • Shkatërrohet një miniserë ku ishin mbjellë fara kanabis në kubikë.
  • Në pranga kultivuesi i tyre

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit për marrjen e masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike që në embrion, forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin duke bashkëpunuar me të gjithë aktorët e tjerë që i ngarkon ligji, dhe në mënyrë të veçantë me aleatin më kryesor të Policisë, me qytetarët.

Policia e Kurbinit pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe punës hetimore të bërë si dhe kontrolleve të imëtësishme të kryera për këtë qëllim, bëri të mundur gjetjen dhe shkatërrimin e një mini-sere në territorin e banesës së shtetasit F.H në Milot, në të cilën ishin mbjellë 295 fara kanabisi në kubikë.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit F.H. 50 vjeç, banues në Milot, si kultivues i tyre.

Policia e Kurbinit në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vepre penale, për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale të tentativës për kultivim tê bimëve narkotike.