Mbyllet përfundimisht aktiviteti i 12 guroreve, që ushtronin veprimtari në malin e Krujës - Ministria e Brendshme
Postuar më: 04/03/2019

Mbyllet përfundimisht aktiviteti i 12 guroreve, që ushtronin veprimtari në malin e Krujës

Fund krimit mjedisor në Shqipëri! Zhbëmë dëmet e shkaktuara në mjedis, në mbi dy dekada. Pas aksionit 1 mujor të Task Forcës së 4 ministrive u mbyll përfundimisht aktiviteti i 12 guroreve, që ushtrojnë veprimtarinë në malin e Krujës.

Nga inspektimet rezultoi se operatorët nuk kanë zbatuar kërkesat e ligjit, që rregullojnë këtë veprimtari në disa procese, nga shkelja e lejes minerare tek ajo mjedisore, kushtet e sigurisë në punë si edhe kushtet e transportit të lëndëve inerte. Ulim nivelin e ndotjes, rigjenerojmë zonat e dëmtuara, përmirësojmë imazhin e zonave turistike.

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko ka përshëndetur vendimin e Task Forces për mjedisin në lidhje me disa subjekte që zhvillojnë veprimtari në zonën e mbrojtur të Krujës, duke shkaktuar dëmtime të rënda të mjedisit. Ajo njoftoi masat e marra nga Policia e Shtetit gjatë vitit 2018 kundra shkelësve të ligjit, ndër të cilat shënohen edhe 9 arrestime autorësh e 41 procedime penale gjithsej.

VIDEO – Fjala e plotë e zv.ministres Kuko:

Sa i përket pjesës së Ministrisë së Brendshme, strukturat e Policisë së Shtetit por edhe si pjesë përbërëse e të gjithë Task Force-s të ngritur me urdhër të Kryeministrit janë angazhuar tërësisht për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit. Duke kërkuar nga subjektet që ushtrojnë veprimtaritë e tyre minerare brenda territorit të shpallur “Pejsazh i Mbrojtur Natyror”, zbatimin e kërkesave të standardeve ligjore lidhur me veprimtaritë për shfrytëzimin minerar.
Lidhur me sigurinë rrugore, gjatë kontrollit të mjeteve që transportojnë lëndë inerte, për vitin 2018 shërbimet e Policisë Rrugore në DVP Durrës, janë bllokuar gjithsej 55 mjete të tonazhit të rëndë me një vlerë totale prej 600 mijë lekësh. Gjithashtu gjatë vitit 2018, nga ana e Komisariatit të Policisë Krujë janë proceduar për veprën penale “Ndotje të ajrit” furrat artizanale të gëlqeres, 41 raste, me 48 autorë të proceduar nga të cilët 9 janë arrestuar në flagrancë dhe 38 janë lënë në gjendje të lirë.

Aktualisht vazhdon kontrolli në akset rrugore por kryesisht në zonat ku punojnë këto subjekte që janë edhe objekt kontrolli. Puna e policisë është përqendruar kryesisht në drejtim të kontrollit të mjeteve që transportojnë lëndë inerte në zbatim të kërkesave të mbrojtjes nga zjarri si dhe në kufizimin apo ndalimin e dhënies për autorizimin për magazinimin, transferimin dhe asgjësimin e lëndëve plasëse për përdorim civil për 12 subjekte të cilët janë objekte kontrolli.

Në zonën e mbrojtur Krastë – Vrion – Krujë ushtrojnë veprimtarinë me lëndë plasëse 12 subjekte të cilat janë objekte kontrolli dhe janë të pajisura me licencë. 3 prej këtyre subjekteve kanë në pronësi depo për magazinimin dhe ruajtjen e lëndëve plasëse të miratuara dhe të licencuara.
Nga komisariati i policisë Krujë vazhdon pezullimi për pajisje me autorizime të të gjitha subjekteve në “Zonën e Mbrojtur” për furnizimin me lëndë plasëse të subjekteve, të cilat janë objekte kontrolli dhe janë ndaluar të kryejnë shpërthime.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës po vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe të mbështesin në terren grupet e inspektimit të Task Forcës që merren me kontrollin, vlerësimin dhe marrjen e masave ligjore ndaj subjekteve, që janë objekt kontrolli sipas fushave dhe përgjegjësive, të cilat kanë të bëjnë me procesverbalet për shkeljet e konstatuara duke informuar drejtpërdrejt Task Forcën.

Në zbatim të kërkesave të ligjit numër 8378, datë 22.07.1998, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë i ndryshuar, lidhur me sigurinë rrugore në këtë zonë, po bashkëpunohet me Autoritetin Kombëtar Rrugor dhe me Bashkinë Krujë për marrjen e masave për të vendosur sinjalistikën e duhur lidhur me mënyrën e lëvizjes ose moslëvizjes, të automjeteve të tonazhit të rëndë në rrugët për “Zonën e Mbrojtur”.

Në bashkëpunim edhe me pjesëtarët e tjerë të Task Forcës do të merren në analizë shkeljet e konstatuara për çdo subjekt kontrolli me qëllim aktivizimin e specialistëve për hetimin e krimit ekonomiko-financiar dhe në bashkëpunim me prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë.