Dropull/Ministri Lleshaj merr pjesë në llogaridhënien e Policisë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 25/01/2019

Dropull/Ministri Lleshaj merr pjesë në llogaridhënien e Policisë

VIDEO – Takim i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në bashkinë e Dropullit, Gjirokastër

Në bashkinë e Dropullit u zhvillua sot një takim llogaridhënës për parandalimin e krimit. Takimi ishte konceptuar si një mundësi komunikimi ku banorët e zonës patën rastin të shtrojnë probleme, të drejtojnë pyetje dhe të japin opinione për çështje që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë publike. Në këtë takim, të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme holandeze, morën pjesë Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Prefekti i Qarkut, përfaqësues të Policisë, Prokurorisë dhe zv.ambasadorja e Holandës në Tiranë.

Banorët vlerësuan nismën si një platformë e mirë komunikimi dhe për rreth 2 orë i drejtuan pyetje panelit si dhe ngritën shqetësime, që hasin në jetën e përditshme. Bashkia e Dropullit, e banuar kryesisht nga minoriteti grek, ka në përbërje 41 fshatra. Zona e Dropullit ka një nivel kriminaliteti ndër më të ulëtit në qark.

“Ne duhet që Policinë ta konsiderojmë si Policinë tonë. Dhe ka shumë mënyra për t’u afruar me policinë. Së pari, duhet që vetë Policia ta fitojë besimin e qytetarëve, duhet që ajo ta bëjë hapin e parë. Por, duhet që edhe qytetarët të mundohen të gjejnë tek Policia një partner të tyre. Unë besoj se rruga më e mirë për ta bërë këtë dhe, këtu gjej rastin për ta përsëritur këtë thirrje, është që ne duhet t’i shohim djemtë dhe vajzat e minoritetit grek pjesë të Policisë tonë. Do të ishte një investim i madh për Policinë e Shtetit tonë, por dhe për miqësinë tonë, edhe për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve, që pjesëtarë të minoritetit etnik grek të bëhen pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit tonë”, nënvizoi ministri Lleshaj në fjalën e tij.

Për mua është hera e parë që vizitoj një bashki. Si Ministër i Brendshëm nuk kam shkuar në ndonjë Bashki dhe nuk besoj se do kem shumë mundësi të tilla. Por kam ardhur këtu për arsye se vërtetë besoj që duhet të kemi vëmendje të lartë për minoritetin. Është një pjesë e Shqipërisë vërtet e bukur këtu”, shtoi Ministri.

“Takimet llogaridhënëse janë forma më e mirë e një komunikimi, mbi të gjitha për të vendosur ura për të ardhmen me qëllim që të punohet për më shumë siguri, rend, investime”, u shpreh Sotiraq Hroni, nga IDN.