» Ministri Lleshaj, takim me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit
Postuar më: 30/12/2018

Ministri Lleshaj, takim me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi sot një takim me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit – VIDEO

Mirëmëngjes,

Arsyeja e organizimit të këtij takimi në fund të vitit ka të bëjë me një detyrë shumë të rëndësishme, e cila fillon në minutat e parë të vitit 2019. Dhe konkretisht bëhet fjalë për fillimin e një detyrimi shumë të madh që organet e Policisë së Shtetit kanë në zbatim të ligjit 75/2018, bëhet fjalë për ndalimin e lojërave të fatit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Siç jeni në dijeni ligji 155/2015, i ndryshuar me atë 75/2018 parashikojnë ndërprerjen e veprimtarisë së lojërave të fatit, duke filluar nga data 1 janar 2019. Dhe 1 janari fillon në orën 00.00, pra jo kur gdhihet por që në 00.00 të datës 1 janar 2019, në territorin e vendit ndalohen disa veprimtari të lojërave të fatit si: bastet sportive, baste për gara në pistë, lojërat elektronike në distancë. Po ashtu ndalohen reklamat audio vizive për bastet sportive, publiciteti në median e shkruar, në shtypin sportiv, në faqet elektronike të tyre etj..

Me rëndësi të madhe është të kuptohet fakti që Policia e Shtetit, në rastin e këtij ligji është strukturë e ngarkuar drejtpërdrejt me zbatimin e tij. Unë jam informuar nga strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit lidhur me masat që janë marrë ndërkohë nga Policia e Shtetit për krijimin e hartave të detajuara të vendndodhjes dhe për të dhënat e mbledhura nga strukturat e Policisë së Shtetit lidhur me veprimtarinë e këtyre subjekte që zhvillojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu jam i informuar mirë për masat e mira që janë marrë nga strukturat e Policisë së Shtetit lidhur me njoftimin, kontaktimin e pronarëve dhe me masat paraprake për ndërprerjen e veprimtarisë, ashtu sikurse jam edhe i informuar për faktin se shumë pronarë të lokaleve apo të subjekteve të kësaj fushe kanë marrë masa ndërkohë për ndërprerjen e aktivitetit, për mbylljen, apo për zbatimin e të gjithë detyrimeve të tjera ligjore.

Por nga data 1 janar kjo veprimtari bëhet veprimtari e paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ndalimi i saj bëhet, siç thashë më parë, detyrim i rëndësishëm për Policinë e Shtetit.

Nga data 1 janar 2019, çdo lokal ku ushtrohet në mënyrë të hapur, apo edhe të kamufluar veprimtari e lojërave të fatit dhe basteve sportive duhet të konsiderohet si parcelë kanabisi dhe si e tillë duhet trajtuar dhe si e tillë duhet të jetë e gjithë qasja e Policisë së Shtetit ndaj këtyre aktiviteteve, nëse ka mbetur ende ndonjë në funksion.

Në këtë këndvështrim, e plotë dhe e pandashme do të jetë përgjegjësia ligjore e të gjithë zyrtarëve shtetërorë, duke filluar nga ata të Policisë së Shtetit dhe zyrtarëve të tjerë që kanë përgjegjësi për administrimin e zonave ku kryhet kjo veprimtari e paligjshme.

Drejtuesit e Policisë së Shtetit, punonjësit e administratës tatimore, apo të administratës vendore do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore në çdo rast të konstatimit të shkeljeve apo paligjshmërisë në zonat e tyre të përgjegjësisë.

Zbatimi me rigorozitet të lartë i këtij ligji do të thotë që në radhë të parë të bëhet një goditje ndaj një veprimtarie kriminale, e cila sjelle efekte të jashtëzakonshme e të dëmshme, kryesisht në fushën e pastrimit të parave. Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje do të bëhet një dekurajim i rëndësishëm i manisë për të përfituar në mënyrë të paligjshme dhe të papunë; do të kontribuohet në lehtësimin e plagëve të mëdha sociale që janë krijuar nga varësia ndaj lojërave të fatit; do të pësojë goditje të rëndësishme fenomeni i korrupsionit, si dhe do të inkurajohet puna e ndershme dhe investimet në veprimtari të ndershme, si në fushën e prodhimit, edhe në atë të shërbimeve … (E PLOTË)