» Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 66
Postuar më: 24/12/2018

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 66

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 66

(17 – 23 dhjetor 2018)

MINISTRI

“4 elementët themelorë, pse duhen ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit”

20 dhjetor 2018 – Parlamenti miratoi disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit. Më herët, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj prezantoi pikat kryesore mbi të cilat mbështeten propozimet për ndryshime në ligj. Ministri iu përgjigj interesit të deputetëve të Komisionit në lidhje me ndryshimet e propozuara dhe në fjalën e mbajtur, argumentoi nevojën për këto ndërhyrje. Ai tha se Policia është e pakët në burime njerëzore dhe me mungesa thelbësore në shumë prej niveleve të saj, çka e vështirëson përmbushjen e detyrave sipas ligjit. Më tej ai parashtroi 4 çështjet kryesore mbi të cilat bazohet propozimi për ndryshime ligjore: së pari, plotësim i boshllëqeve ekzistuese në nivelin bazë të piramidës së gradave të Policisë së Shtetit; së dyti, pasurim të nivelit të ekspertizës së Policisë së Shtetit me specialitete të munguara; së treti, specializim të kategorive të policisë, pra të Policisë Kriminale, të Policisë së Rendit, të Policisë së Kufirit dhe të Emigracionit; së fundi, hapja e një mundësie për pranimin e disa specialiteteve të veçanta nga FA, nga ushtarakët në radhët e policë. Për secilën nga pikat, Ministri Lleshaj paraqiti argumente ligjore përkatëse dhe raportoi shifra konkrete që lidhen me ndryshimet e propozuara.

Urdhër i 3 ministrave, për ndalimin e fishekzjarrëve

18 dhjetor 2018 – Në kuadër të masave ligjore që ndërmerren nga Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera shtetërore për vendosjen e një regjimi të ri që synon bllokimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve është firmosur urdhri i përbashkët nga ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë. Në urdhër përcaktohen masat dhe hapat që do të ndërmerren për ndalimin e hedhjes në tregun e brendshëm të artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil nga publiku i gjerë. Në urdhrin e përbashkët të tre ministrave është specifikuar se artikujt që do të ndalohen të hidhen në treg. Strukturat vendore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Policisë së Shtetit, Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi do të jenë përgjegjëse për kontrollin dhe verifikimin e kushteve të transportit, magazinimit dhe të shitjes në dyqanet sipas juridiksionit territorial dhe fushave të përgjegjësisë.

Ministri Lleshaj i ftuar në emisionin ‘Real Story”

20 dhjetor 2018 – Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka qenë i ftuar në studion e “Real Story” të Sokol Ballës, ku ka sqaruar disa nga zhvillimet më të fundit në vend.  Mes të tjerash ministri LLeshaj është shprehur se nuk do të nguronte të rihapte ngjarjen e 21 Janarit 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues. “Për ngjarjen e ’21 janarit’, sikur ta kisha në dorë nuk do nguroja ta hapja si çështje. Ngjarja është e paprecedentë, një histori e shëmtuar. Sigurisht që ka përgjegjës. Shteti nuk vret kurrë pa dashje. Kjo nuk mund te pranohet”, është shprehur ai. Për sa i përket ndryshimeve të reja që priten në ligjin për Policinë e Shtetit dhe xhandarmërinë, ministri Lleshaj është shprehur se çështja e xhandarmërisë kërkon diskutim e debat dhe është një çështje që kërkon kohën e vet për t’u realizuar. (E PLOTË)

Takim me kryetarët e bashkive

21 dhjetor 2018 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zhvilluar një mbledhje me Prefektët, Kryetarët e Bashkive dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, ku në fokus të takimit ishin çështjet që lidhen me përgatitjet e MB-së dhe njësive vendore, për procesin e zgjedhjeve lokale të qershorit 2019. Ministri pati një bashkëbisedim me drejtuesit vendorë, duke ndarë opinione për çështje e shqetësime që lidhen me përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Ministri Lleshaj, që në krye të herës e konsideroi procesin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale, me rëndësi të dyfishtë: për mirëqeverisjen nga njëra anë dhe për të dhënë një dëshmi të fortë të pjekurisë, që duhet të tregojë vendi për të qenë gati për hapjen e negociatave me BE-në. Ndër detyrat e lëna nga Ministri i Brendshëm për njësitë vendore, veçohen: afishimi në vende të dukshme i listave zgjedhore; zgjedhja në kohë e ambienteve për qendra votimi, për të shmangur në maksimum ambientet private; përditësimi i Adresarit; shtimi i zyrave të Gjendjes Civile përgjatë 2019, vit kur duhen rinovuar rreth 1.4 milion karta identiteti të cilave u skadon vlefshmëria. Ministri u kërkoi Kryetarëve të Bashkive të tregojnë kujdes të shtuar, për të shmangur lëvizjet dhe regjistrimet fiktive të shtetasve, para periudhës elektorale duke theksuar se do të ketë kontrolle dhe do të merren masa për shkeljet. Në funksion të nismës së Policimit në Komunitet, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë vendore do të krijojnë zyra për Zonat Policore, duke ofruar shërbimet më pranë qytetarëve.

Festa e organizuar me fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës

22 Dhjetor 2018 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, morri pjesë në aktivitetin festiv, të organizuar nga Policia e Shtetit me rastin e festave të fundvitit, me fëmijët dhe familjarët e punonjësve të Policisë të rënë në krye e për shkak të detyrës.  Në aktivitet ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, drejtues të lartë të PSH e përfaqësues nga donatorët. Ministri Sandër Lleshaj vlerësoi veprën e dëshmorëve të Policisë, duke theksuar se Policia e Shtetit është e vetmja organizatë që është goditur më rëndë në kryerjen e detyrës. Ai premtoi mbështetje dhe vëmendje, edhe në emër të Qeverisë për ta.  Drejtori Veliu u shpreh se fëmijët dhe familjarët e dëshmorëve të Policisë janë pjesë e pandarë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit dhe dera e Policisë do jetë përherë e hapur për ta. Në përfundim të aktivitetit festiv, fëmijëve iu shpërndanë dhurata si dhe vlera monetare të grumbulluara nga donacionet e kompanive private e bankave te nivelit të dytë, por edhe nga vetë punonjësit e Policisë së Shtetit.

Takim pret homologun e Kosovës

22 Dhjetor 2018 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj priti ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, z.Ekrem Mustafa dhe delegacionin që e shoqëronte, në përbërje të të cilit ishin Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë e Policisë.  Gjatë takimit u diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh, me fokus të posaçëm forcimin e kontrollit të kufijve dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në dy shtetet tona. Takimi mes dy ministrave të Brendshëm, pason mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, mbajtur në Pejë disa javë më parë. Delegacionet diskutuan gjithashtu mbi thellimin e bashkëpunimit policor dhe koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta në proceset e integrimit evropian, në të dy vendet.

Ministri pret punonjësen e Policisë, Ina Nuka

22 Dhjetor 2018 – Ministri Lleshaj priti sot në zyrë punonjësen e Policisë, Ina Nuka, që u plagos në një protestë dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale të vështirë. Pas takimit ai shkruajti në rrjetet sociale “sot prita në zyrë Inën, të rikthyer plot forcë, energji dhe vullnet për të vazhduar shërbimin ndaj sigurisë tonë. Një model domethënës angazhimi për rininë e vendit tonë”.

POLICIA E SHTETIT

21 dhjetor 2018 – Ina Nuka, punonjësja e Policisë e cila mbeti e plagosur nga një kapsollë gjatë protestës më 22 Nëntor para Parlamentit, është rikthyer në atdhe pas trajtimit mjekësor të specializuar që mor i në Ankara të Turqisë.  Në Rinas Ina Nuka u prit nga Zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Gjovalin Loka, Zv/drejtori për Rendin në DVP Tiranë Dhimitraq Ziu, drejtues të tjerë të lartë të Policisë, kolegë, miq e të afërm. Gjatë një prononcimi për median Ina Nuka u shpreh: “Policia është ëndrra ime, nuk do tërhiqem kurrë, çka më ndodhi më ka bërë më të fortë, më të motivuar. Ndjehem e përulur para gjithë shqiptarëve të cilët u bënë pjesë me mesazhet e tyre”.

19 dhjetor 2018 – Në Tiranë nga kontrollet në formën e patrullimit dhe monitorimit me mjete të uniformuara dhe të pauniformuara në zonat e kryqëzimeve nga Policia Rrugore janë evidentuar dhe konstatuar 235 mjete të ndryshme në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Për kundërvajtësit janë përpiluar procesverbalet e konstatimit të shkeljeve dhe do bëhet njoftimi zyrtar i tyre, sipas normave të parashikuara në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

18 dhjetor 2018 – Në Gjirokastër u përmbyll operacioni “Drino 2”, në vijim të operacionit “Drino 2018” me fokus parandalimin dhe ndëshkimin e imigracionit të parregullt dhe të çdo forme tjetër të krimit ndërkufitar. Ky operacion kishte nisur me datë 30 nëntor dhe u mbyll me 17 dhjetor ndërsa shtrirja e tij ishte në të gjithë kufirin e gjelbër që mbulon stacioni i Policisë Kufitare Kakavije. “Drino 2” është operacioni i dytë i përbashkët mes Policisë Kufitare Shqiptare, të Bosnje Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë, Sllovenisë dhe EUROPOL, i organizuar nga Departamenti i Policisë Kufitare Në Policinë e Shtetit, DCAF Lubjana dhe GIZ. Gjatë ditëve të operacionit janë kapur 56 imigrantë të parregullt të cilët në përfundim të procedurave të verifikimit sipas legjislacionit janë kthyer mbrapa në shtetin grek.

21 dhjetor 2018 – Vijojnë kontrollet në dyqane dhe pika shumicash në bazë të planit të masave për parandalimin dhe sekuestrimin e kapsollave dhe lëndëve piroteknike me rrezikshmëri për jetën. Si rezultat i kontrolleve deri më tani nuk janë konstatuar kapsolla, apo produkte piroteknike që dyshohet se kanë në përbërje lëndë shpërthyese me rrezikshmëri për shëndetin dhe jetën. Policia e Shtetit fton qytetarët për të denoncuar çdo rast të tregtimit të këtyre lëndëve në numrin pa pagesë 112 apo në aplikacionin “Komisariati Dixhital”.