» Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 65
Postuar më: 17/12/2018

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 65

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 65

(10-16 dhjetor 2018) 

MINISTRI

Ndryshime të kontrollit të qarkullimit rrugor

14 dhjetor 2018 – Përmes një shkrese drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërkon ndalimin e praktikës së ashtuquajtur ‘postoblloqe policore’ në akset e vendit, si dhe heqjen e praktikës së dublimit të semaforëve me punonjës policie, në kryqëzimet e rrugëve urbane. Ministri kërkon ndërhyrje për ndryshimin e menjëhershëm të situatës, e këtu thekson se prania e Policisë në numër të tepruar dhe statike, nuk sjell ndonjë vlerë të shtuar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Masa e dytë, ku kërkohet ndryshimi i shpejtë i situatës është shmangia në maksimum e punonjësve të Policisë Rrugore, që dublojnë semaforët. (E PLOTË)

“Asnjë procedim për pedagogë apo studentë”

13 dhjetor 2018 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, gjatë seancës plenare saktësoi për opinionin publik se nuk ka pasur asnjë lloj procedimi penal ndaj asnjë pedagogu, apo asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e ditëve të fundit. Lleshaj ka sqaruar se nuk ka procedime për studentë apo pedagogë, gjë që mund të verifikohet lehtësisht pranë organeve të Prokurorisë. “Pra edhe njëherë e përsëris, më shumë për opinion publik: Nuk ka pasur asnjë lloj procedimi penal ndaj asnjë pedagogu apo asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e ditëve të fundit, të zhvilluara në Tiranë apo në qarqet e tjera të vendit”, ka theksuar ministri. (E PLOTË)

Intervista e Ministrit në “A SHOW”

10 dhjetor 2018 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur për ndryshimet e propozuara në ligjin për Policinë e Shtetit gjatë një bisede në studio me gazetarin Adi Krasta në TV ‘News 24’. I pyetur për propozimin që në Policinë e Shtetit, të përfshihen oficerë të Forcave të Armatosura, Lleshaj u shpreh se këto janë të nevojshme, për shkak se policia ka nevojë për specialistë të fushave të ndryshme. “Qeveria ka miratuar një propozim të ministrit të Brendshëm dhe e ka dërguar në parlament për miratim disa ndryshime. Janë disa ndryshime të vogla, të cilat synojnë të sjellin disa efekte të mëdha. (…) Një ndër ndryshimet e sugjeruara ka të bëjë me hapjen e një kanali përmes të cilit ushtarakët e FA-ve, të të gjitha niveleve, mund të hyjnë në strukturat e Policisë së Shtetit për të plotësuar nevoja të veçanta,” tha ai në lidhje me p/ligjin. (E PLOTË)

MINISTRIA E BRENDSHME

Strategjia Kombëtare për Qeverisjen e Migracionit, Planin i Veprimit 2019-2022

13 dhjetor 2018 – Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, ka zhvilluar një takim konsultativ në lidhje me Strategjinë Kombëtare për Qeverisjen e Migracionit dhe Planin e tij të Veprimit 2019-2022 me përfaqësues të përfaqësive diplomatike të vendeve të BE-së, Delegacionit të BE-së dhe Ambasadës Britanike. Zëvendësministrja Voda ka njohur pjesëmarrësit me punën e bërë deri më tani dhe zhvilloi një diskutim konkret mbi objektivat dhe masat e parashikuara në strategji.  “Strategjia njeh rolin që strategjitë sektoriale (si ajo për menaxhimin e kufirit, diasporës ose punësimit, etj.) kanë në shfrytëzimin e burimeve, në përcaktimin e objektivave specifike dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale në menaxhimin e migracionit. Kështu, Strategjia dhe Plani i Veprimit nuk përsërisin angazhimet e bëra në këto strategji, por kërkojnë sinergji me këto dokumente duke identifikuar varësi të rëndësishme, dhe duke plotësuar ato aspekte të cilat nuk janë adresuar prej tyre. Kohëzgjatja e Strategjisë për Qeverisjen e Migracionit dhe Planit të Veprimit përkon me atë të strategjive të tjera, duke krijuar mundësinë që Strategjia e ardhshme për qeverisjen e migracionit të jetë edhe më gjithëpërfshirëse”, u shpreh Voda. Pjesëmarrësit bënë komente dhe sugjerimeve të vlefshme, të cilat do të ndihmojnë në përmirësimin e draftit final që Ministria e Brendshme do t’i paraqesë Këshillit të Ministrave për miratim.

Konferenca Kombëtare Kundër Trafikimit të Personave

14 dhjetor 2018 – Ministria e Brendshme ka organizuar Konferencën Kombëtare Kundër Trafikimit të Personave me moton: #BASHKË MUNDEMI, #NDALOJMË TRAFIKIMIN. Takimi është moderuar nga zëvendësministrja Rovena Voda, njëkohësisht Koordinator Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave dhe në të morën fjalën Leyla Moses-Ones, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA; Duncan Norman, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, Robert Wilton, Zëvendësambasador i Prezencës së OSBE-së. Në takim morën pjesë diplomatë, prefektë, përfaqësues të shoqërisë civile, etj. Zëvendëministrja Voda ka theksuar se Qeveria shqiptare dhe Ministria e Brendshme e kanë vendosur parandalimin dhe goditjen e trafikimit të personave, ashtu sikurse edhe mbrojtjen dhe ri-integrimin e viktimave në prioritetet kryesore të punës së tyre (E PLOTË)

POLICIA E SHTETIT

Shkup/Asambleja e Përgjithshme e SEPCA-s

11 dhjetor 2018 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës së Shefave të Policisë të Evropës Juglindore që u mbajt në Shkupit të Maqedonisë. Në Asamble u diskutua mbi mundësinë e forcimit të bashkëpunimit mes strukturave të SEPCA-s dhe platformave të IISG-së si dhe mbi kohët dhe mënyrat e përgatitjes në të ardhmen, të dokumenteve strategjikë të këtij forumi. Përfaqësuesi i EUROPOL-it i pranishëm në këtë takim, bëri një prezantim mbi vendosjen e Oficerëve Ndërlidhës të EUROPOL-it në Ballkanin Perëndimor dhe mbi përfitimet që kjo gjë do të sjellë në të ardhmen, për forcimin e bashkëpunimit mes këtyre vendeve dhe EUROPOL-it. Pjesëmarrësit vlerësuan shkëmbimin shumë të mirë të informacionit, që ekziston mes të gjithë strukturave policore të cilat janë anëtare dhe përfaqësohen në SEPCA, si dhe mbi mundësitë për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit policor rajonal në të ardhmen.

Takimi i 20-të i Grupit të Punës të PC SEE

11 dhjetor 2018 – Vendi ynë, në cilësinë e kryesuesit të radhës, organizoi takimin e 20-të të vendeve pjesëmarrëse në Konventën e Bashkëpunimit Policor të Vendeve të Europës Juglindore. Në këtë takim, përshëndeti në emër të Policisë së Shtetit, Zv/drejtoresha e Përgjithshme Aida Hajnaj, e cila në fjalën e saj theksoi se ky takim “është një kontribut i çmuar nё forcimin e mёtejshёm tё bashkëpunimit ndёrmjet Policive tё vendeve tё Rajonit dhe të Evropës, nё luftёn e pёrbashkёt ndaj krimit tё organizuar dhe tё gjitha llojeve tё trafiqeve tё paligjshme, pёrfshirё kёtu dhe luftёn kundёr trafikut tё qenieve njerëzore dhe azil kërkimin e paligjshëm”. Ajo më tej falënderoi për mbështetjen e dhënë nga Zvicra, Komisioni Evropian, DCAF dhe Lihtenshtejni, në financimin dhe mbështetjen e takimeve të grupeve të ndryshme të punës dhe Sekretariatit të Konventës. Hajnaj vuri në dukje se “Policia e Shtetit shqiptar ka mbështetur pa rezerva programin 18 mujor të sugjeruar nga Sekretariati i Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, duke theksuar dhe ndjekur me precedencë prioritet për Shqipërinë duke ndërmarrë hapa tё rëndësishëm nё disa fusha.”

OPERACIONI “FORCA E LIGJIT”

11 dhjetor 2018 – Në Elbasan, në  kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, policia ka sekuestruar pasuri dhe asete që rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një shtetasi, të arrestuar që në tetor 2018. Ndaj këtij shtetasi, autoritetet ligjore italiane kishin lëshuar një urdhër ndalimi ndërkombëtar, për shkak të përfshirjes në aktivitete kriminale të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në Itali si dhe një sërë veprash të tjera penale. Autoritetet ligj zbatuese shqiptare kanë bashkëpunuar ngushtë me ato italiane dhe në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në terren, u siguruan prova të pa kontestueshme, mbi të cilat Gjykata e Elbasanit vendosi sekuestro preventive për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të shtetasit të arrestuar dhe familjarëve të tij. Janë vënë nën sekuestro preventive disa ndërtesa me afërsisht 2000 m2 sipërfaqe banimi dhe shfrytëzimi, një sipërfaqe toke prej 5200 m2 dhe 100% të kuotave të një shoqërie tregtare në emër të autorit. Vlera e blerjes së këtyre pasurive, të deklaruara në deklaratat noteriale të përpiluara tek noteri, kap shumën prej 70.819.000 lekësh. Vlera aktuale e tregut e këtyre pasurive çmohet shumë herë më e madhe. Në muajin tetor 2018, autorit i janë sekuestruar edhe 39 makina luksoze dhe 6 motomjete, të dyshuara se janë të përfituara nga veprimtaria kriminale. E.K është drejtuesi i një grupi kriminal të skeduar nga “Forca e Ligjit”.

OPERACIONE POLICORE

12 dhjetor 2018 – Në Shkodër Policia arrestoi një shtetas dhe shpalli në kërkim 2 të tjerë në kuadër të një operacioni kundër prodhimit të parave, kartëmonedhave, të falsifikuara. Autori, 63 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua pas një hetimi disamujor me metoda speciale. Atij iu gjetën në banesë 46 kartëmonedha “Euro” me prerje 100-she të falsifikuara, këtij shtetasi, të cilat iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

11 dhjetor 2018 – Në Fier, dy punonjës policie i shpëtuan jetën një shtetaseje, e cila ishte hedhur dhe po mbytej në ujërat e lumit Seman. Gjatë këtij veprimi punonjësit e policisë janë ndihmuar edhe nga qytetarë, që janë gjetur rastësisht në atë vend. Shtetasja ishte banore e Fierit dhe pasi u nxor nga ujërat, u dërgua në Spitalin Rajonal nën kujdesin e mjekëve.

11 dhjetor 2018 – Në portin e Durrësit u kap një kamion në brendësi të të cilit kishte 5.3 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë. Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e kamionit dhe shpalli në kërkim një tjetër, si bashkëpunëtor. Gjatë kontrollit të kamionit në vijën e dytë, policia gjeti në kabinën kamioni kanë gjetur të fshehur lëndë narkotike. Në një aksion tjetër, Policia kufitare arrestoi në flagrancë tre shtetas të huaj, të cilët u kapën duke kaluar kufirin me dokumente të falsifikuara. Të arrestuarit ishin përkatësisht 2 me shtetësi turk dhe një nga Filipinet dhe po tentonit të kalonin drejt Italisë.

14 dhjetor 2018 – Në Korçë, policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit M. Xh, 34 vjeç dhe L.M. 36 vjeç, të dënuar më parë, pasi gjatë kontrollit të ushtuar ndaj tyre ‘u; gjetën dhe sekuestruan 423.8 gramë lëndë narkotike e dyshuar Heroinë, një sasi lëndë narkotike e dyshuar si kanabis, 19 tableta metadoni, si edhe fishekë luftarakë.

13 dhjetor 2018 – Nga Specialistët e Z.Q.K Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Frankfurti/Gjermani drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar A. Xh., 51 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, më datë 17.06.2015, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të “Kontrabandë e mallrave që paguajnë akcizë”, parashikuar nga neni 172 i Kodit Penal. Shtetasi A. Xh. në cilësinë e administratorit të një shoqërie private ka tjetërsuar në mënyrë të kundra ligjshme një sasi prej 4.889.107 litra, naftë virxhin, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 242.755.600 lekë si pasojë e mospagimit të taksës së akcizës.  Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbadeni, Gjermani, u bë i mundur arrestimi i tij në Gjermani, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.