» Elbasan/”Forca e Ligjit”, sekuestro preventive për pasuri të dyshuara nga veprimtari kriminale
Postuar më: 11/12/2018

Elbasan/”Forca e Ligjit”, sekuestro preventive për pasuri të dyshuara nga veprimtari kriminale

Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar si dhe gjurmimit, evidentimit dhe  sekuestrimit të pasurisë që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, Departamenti i Policisë Kriminale dispononte informacione se shtetasi E.K. alias K.K., 37 vjeç, lindur dhe banues ne Elbasan, i dënuar, ka qenë  përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në Itali si dhe në veprimtarinë kriminale të simulimit të krimit (krijimin e provave të rreme), mashtrime në dëm të kompanive të sigurimit dhe përvetësim të kundërligjshëm të auto-veturave, në Peskara, Itali.

Pas grumbullimit, administrimit, analizimit dhe referimit të materialeve të para nga strukturat e Drejtorisë Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka regjistruar procedimin penal, viti 2018 për veprën penale të ”Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, në ngarkim të tij.  Për këtë procedim penal është bashkëpunuar dhe shkëmbyer informacion i vazhdueshëm me Misionin Ndërlidhës Policisë Italiane (INTERFORCA).

Në datë 17.10.2018 si rezultat i komunikimeve të vazhdueshme me Misionin Ndërlidhës Policisë Italiane, shtetasi E.K. u shpall në kërkim nga ZQK Interpol Tirana, pasi Prokuroria e Peskarës, Itali, ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar datë 11.09.2018 për kryerjen e veprave penale “Organizata kriminale”, “Trafikim i narkotikëve”, “Mashtrimi” dhe “Kallëzim i rremë”. Në datë 17.10.2018 është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit E.K. me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Bazuar në aktivitetin kriminal të shtetasit E.K., nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore Qendrore, në bashkëpunim dhe nen drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Elbasan u kryhen hetime intensive në lidhje me transaksionet financiare të dyshimta, kryer në bankat e nivelit të dytë, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme si dhe biznese në emër të tij dhe lidhjeve të tij familjare, të cilat dyshoheshin se burojnë nga aktiviteti kriminal, kryer në Itali.

Në përfundim te veprimeve hetimore të kryera në terren, u siguruan prova të pa kontestueshme  dhe  Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, vendosi sekuestro preventive për pasuritë të luajtshme dhe të paluajtshme, të shtetasit E.K. dhe familjarëve të tyre.

Në datën 11.12.2018 oficerët e Njësisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit,  kanë ekzekutuar Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan Nr. 913 date 07.12.2018, për sekuestro preventive për pasuritë:

  • 1 ndërtesë 5-katëshe, me sipërfaqe banimi 1502 m2, në Elbasan;
  • njësi shërbimi me sipërfaqe 400 m2, në Elbasan;
  • sipërfaqe toke prej 5200 m², në Elbasan;
  • sekuestro 100% të kuotave të zotëruara nga shtetasja I.K në shoqërinë tregtare “K… TRANS” shpk.;
  • 48 makina luksoze dhe 6 moto-mjete në 3 pika shitje të mjeteve të dyshuara se janë të përfituara nga veprimtaria kriminale në pronësi të E.K.

Vlera e blerjes së këtyre pasurive nga shtetasi E.K, të deklaruara në deklaratat noteriale të përpiluara tek noteri, kap shumën rreth 70 milion lekë.  Vlera aktuale e tregut e këtyre pasurive është shumë herë më e madhe.

E.K. është drejtuesi i një grupi kriminal, skeduar nga “Forca e Ligjit”.

Hetimet vazhdojnë për të verifikuar pasuri të luajtshme apo të paluajtshme si dhe llogari bankare të dyshuara me prejardhje kriminale.