» Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 64
Postuar më: 10/12/2018

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 64

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 64

3 dhjetor – 9 dhjetor 2018 

MINISTRI

Kroaci/Memorandum bashkëpunimi me homologun kroat për sigurinë kufitare

4 dhjetor 2018 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka firmosur me homologun e tij kroat Davor Božinović, një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë së kufijve të të dy vendeve. Kjo marrëveshje mes dy ministrive synon luftë efikase kundër të gjitha kërcënimeve ndër-kufitare. Në tekstin e nënshkruar parashikohen fushat e bashkëpunimit, strukturat përkatëse të zbatimit të saj, format e shkëmbimit të informacionit, etj. Sipas marrëveshjes palët angazhohen të forcojnë bashkëpunimin reciprok me qëllim parandalimin e migracionit të parregullt dhe të kërcënimeve ndaj sigurisë së kufijve të vendeve pjesëmarrëse. Në të parashikohen operacione të përbashkëta dhe mbështetje logjistike reciproke. Ministri Lleshaj ishte pjesë e delegacionit, kryesuar nga Kryeministri Edi Rama që zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci, në kuadër të Samitit të Kryeministrave të Iniciativës së Evropës Qendrore. Ata janë takuar gjithashtu me Kryetarin e Parlamentit kroat Gordan Jandroković, si dhe me Kryeministrin e vendit Andrej Plenković.

Takim me përgjegjësit e Gjendjes Civile dhe strukturat e Policisë, për adresarin e shtetasve

6 dhjetor 2018 –  Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim pune me Prefektët, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorët Vendore të Policisë, si dhe përgjegjësit e Zyrave të Gjendjes Civile në të gjithë vendin, në lidhje me ecurinë e punës për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.  Ministri është ndalur në problematikën e mungesës së përcaktimit të saktë të adresave për shtetasit shqiptarë, apo përdorimin e kodeve 999, 888 e 000. Z.Lleshaj ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për koordinimin e punës nga të gjitha hallkat përgjegjëse, nën vëmendjen e Prefektëve të Qarqeve dhe strukturave vendore të Policisë, në mënyrë që të përshpejtohet puna në të gjithë vendin për identifikimin dhe plotësimin e plotë të Adresarit Kombëtar të Gjendjes Civile

MINISTRIA E BRENDSHME

Publikohet ekstrakti i parë i listave zgjedhore

3 dhjetor 2018 – Ministria e Brendshme publikoi ekstraktin e parë të listave zgjedhore për zgjedhjet vendore, të datës 30 Qershor 2019. Nga të dhënat paraprake të gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, rezulton se të drejtën e votës e kanë 3.549.909 shtetas. Ndër ta, rreth 50.5% e zgjedhësve janë meshkuj dhe rreth 49.5% femra. Nga lista janë hequr emrat e 1.264 personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të “Dekriminalizimit”, si dhe janë hequr 1.309 emra të shtetasve mbi 100 vjeç. Ndërkaq DPGjC u ka kërkuar të gjitha Zyrave të Gjendjes Civile të gjenerojnë ekstraktin elektronik të përbërësve zgjedhorë, në përbërje të të cilit janë të gjithë shtetasit me të drejtë vote, të cilët mbushin moshën 18 vjeç deri më datën 30 Qershor 2019. Brenda datës 4 Dhjetor 2018, zyrat e Gjendjes Civile në bashki apo njësi administrative, kanë detyrimin ligjor të printojnë ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhore të të gjithë zgjedhësve sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial. Ky ekstrakt firmoset nga kryetari i bashkisë dhe publikohet në ambientet e bashkive/njësive administrative/në vende me hyrje të lirë të aksesueshme për publikun.

Takim konsultativ për Strategjinë Kombëtare për Qeverisjen e Migracionit 2019-2022

7 dhjetor 2018 – Ministria e Brendshme organizoi një takim konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile në kuadër të konsultimit publik të Strategjisë së re Kombëtare për Qeverisjen e Migracionit dhe Planin e saj të Veprimit (2019-2022), e cila është hartuar me mbështetjen e IOM – Agjencisë së Migracionit të OKB-së. Takimi është kryesuar nga zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, e cila në fjalën e saj ka theksuar se strategjia e re do të kontribuojë në zbatimin e Paktit Global për Migracionin (GCM) dhe veçanërisht arritjen e targetit 10.7 të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, që synon të lehtësojë migrimin e rregullt, të sigurt dhe të përgjegjshëm, duke përfshirë zbatimin e politikave të planifikuara dhe të mirë -menaxhuara të migracionit. “Strategjia dhe plani i veprimit organizohen rreth 4 objektivave strategjike: Garantimi i qeverisjes strategjike të migracionit në Shqipëri; Garantimi i migracionit të rregullt nga, përmes dhe drejt Shqipërisë; Zhvillimi i politikave të efektshme për migracionin për motive punësimi duke rritur ndikimin pozitiv të migracionit në zhvillimin socio-ekonomik kombëtar dhe lokal; si dhe Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të migrantëve dhe integrimi i tyre”, është shprehur Voda. Objektivi i tryezës së sotme ka qenë marrja e mendimeve dhe sugjerimeve nga shoqëria civile në lidhje më Strategjinë dhe Planin e Veprimit të cilat mund të përfshihen në draftin final që Ministria e Brendshme do t’i paraqesë Këshillit të Ministrave për miratim.

Konferenca kombëtare kundër krimit mjedisor

7 dhjetor 2018 – Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, ka marrë pjesë në konferencën kombëtare për krimin mjedisor, të organizuar nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.  Në fjalën e saj në këtë aktivitet Kuko ka theksuar se situata e  rënduar mjedisore e trashëguara ka ardhur  kryesisht si rezultat i ndërhyrjeve brutale e të pa kontrolluara në mjedis në periudhën e tranzicionit.  “Institucionet e përcaktuara  për mbrojtjen me ligj të mjedisit  dhe gjykatat  kanë  qenë  jo  efikase,  ndërsa bashkëpunimi  institucional në këtë  aspekt  gati inegzistent. Për këtë arsye, është e domosdoshme rritja e ndjeshmërisë publike dhe përgjegjësisë  së institucioneve  shtetërore për trajtimin e dëmtimit të mjedisit si krim mjedisor, të dënueshëm edhe nga ligji penal”, është shprehur ajo.  Më tej Kuko ka theksuar se pushteti vendor ka funksion kyç në parandalimin e krimeve mjedisore. Sipas saj fusha e kësaj veprimtarie në bashkitë e vendit është mjaft e gjerë dhe konsiston kryesisht në përcaktimin sa më të mirë të kritereve në rastet e licencimit të veprimtarive tregtare apo prodhuese, si dhe në menaxhimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane, në zbatim të kompetencave që rrjedhin nga ligji 139/2015 apo vendimeve specifike të këshillave bashkiake.

Këshilli konsultativ Qeveri Qendrore – Vetëqeverisje Vendore

8 dhjetor 2018 – U zhvillua mbledhja e Këshillit Konsultativ me pjesëmarrjen e aktorëve të pushtetit qendror dhe atij vendor. Ky ishte takimi i 7-të i Këshillit për vitin 2018. Kjo mbledhje u kryesua nga zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko, e cila prezantoi raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit “Projekt Raport Auditim Performance, funksionimi i Bashkive në kuadër të reformës administrativo-territoriale të vitit 2014”. “Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore është e angazhuar që ky Këshill të jetë instrument sa më funksional dhe efikas”, është shprehur Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Bekim Murati. Mes çështjeve të diskutuara ishin projektligjet “Për akuakulturë”; “Për shërbimin veterinar”; “Për mbrojtjen sociale”; “Për përcaktimin e formës dhe formulës së privatizimit të klubeve sportive”; “Për referendumet vendore”; “Për ndryshimet klimatike”, projektvendimi “Për miratimin e kërkesave për menaxhimin e mbetjeve metalike” raporti i shtetit për Konventën e të Drejtave të Fëmijëve si dhe monitorimi i Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

POLICIA E SHTETIT

4 dhjetor 2018 – Policia Kufitare e Rinasit po zbaton një plan masash të detajuar për muajin dhjetor 2018 me qëllim përballimin e fluksit në hyrje- dalje në aeroportin e Rinasit. Gjatë muajit Nëntor, Policia e Rinasit ka evidentuar dhe goditur 66 raste të paligjshmërisë. Janë arrestuar dhe proceduar 10 persona për përdorim të dokumenteve të falsifikuara. Në drejtim të parandalimit të azil kërkimit, u është refuzuar dalja 207 shtetasve të cilët nuk plotësonin kriteret për të lëvizur në hapësirën Shengen. Po gjatë muajit Nëntor nga Policia Kufitare janë kapur 9 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale për llogari të DVP-ve. Si dhe janë proceduar penalisht 52 shtetas për kalim të paligjshëm kufiri. Gjatë muajit Nëntor kanë hyrë dhe dalë nëpërmjet aeroportit të Rinasit 203694 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

4 dhjetor 2018 – Policia e Shkodrës në bashkëpunim me Prokurorinë, arrestoi një shtetas nën dyshimet për disa vepra kriminale, trafik droge etj., pastrim i produkteve të veprës penale etj. Shtetasi B.P., prej disa vitesh kishte filluar ndërtimin për qëllime përfitimi të një objekti 10-katësh në Shkodër, pa u pajisur me lejet përkatëse të lëshuara nga organet kompetente. Nga hetimet del se objekti është financuar nga të ardhura që dyshohet se kanë ardhur si rrjedhojë e aktivitetit kriminal që ky shtetas ka kryer më parë. Për këtë arsye është vendosur dhe masa e sigurimit pasuror me vendim gjykate “Sekuestro preventive”, për objektin 10- katësh që ndodhet në qytetin e Shkodrës në pronësi të tij, objekt i cili kap vlerën 2 milion Euro. Ndaj autorit gjykata vendosi si masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Ndërtim pa leje”.

5 dhjetor 2018 – Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Il L’ atitante”, i cili është realizuar fal bashkëpunimit mes Policisë Shqiptare, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Karabinierisë së Barit. Pas një hetimi intensiv disa mujor me metoda speciale nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Policia e Shtetit dhe Arma e Karabinierëve të Barit, Itali u zbulua vendbanimi dhe u arrestua me qëllim ekstradimi shtetasi italian Giovanni Di Cosimo, 40 vjeç, lindur dhe banues në Bari, Itali.  Në ngarkim të tij, Gjykata e Barit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

6 dhjetor 2018 – Vijojnë kontrollet në dyqane dhe pika shumicash në bazë të planit të masave për parandalimin dhe sekuestrimin e kapsollave dhe lëndëve piroteknike me rrezikshmëri për jetën. Në qytetin e Durrësit, Krujës dhe Shijakut u kontrolluan 34 subjekte të ndryshme (dyqane, supermarkete dhe pika shumice).  Si rezultat i kontrolleve deri më tani nuk janë konstatuar kapsolla apo fishekzjarre që dyshohet se kanë në përbërje lëndë shpërthyese me rrezikshmëri për jetën. Gjithashtu kontroll u ushtrua edhe në lidhje me elementët e sigurisë me të cilat duhen të jenë të pajisura subjektet tregtare siç janë kamerat e vëzhgimit apo pajisja me fikëse zjarri. Policia e Shtetit fton qytetarët për të denoncuar çdo rast të tregtimit të lëndëve të mësipërme në numrin pa pagesë 112 apo në aplikacionin “Komisariati Dixhital”.

4 dhjetor 2018- Në Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, është bërë e mundur kapja e ndalimi i shtetasit E. Ç, 29 vjeç, banues në Orikum, Vlorë. Ndaj këtij shtetasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”. E.Ç dyshohet se është autor i ngjarjes së ndodhur më 27 korrik të 2016-ës, ku në bulevardin e Orikumit ka tentuar të vrasë me mjete prerëse shtetasin M.A.

5 dhjetor 2018- Në Korçë, specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar, kanë ndaluar shtetasit:  E.G, 34 vjeç, ish-punonjës në ZVRPP-Korçë; A.H., 28 vjeçe, me detyrë regjistruese në ZVRPP-Korçë;  E. A, 36 vjeç, ish-punonjës në ZVRPP-Korçë dhe  A. Z, 65 vjeç. Ndalimi i tyre u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendim datë 05.12.2018, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se iu kanë marrë qytetarëve sasi lekësh duke iu përpiluar dokumente fiktive, për regjistrim pasurish të cilat rezultonin me probleme në përfitimin e certifikatës së pronësisë.