» Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 63 
Postuar më: 03/12/2018

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 63 

 

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 63 

26 nëntor – 2 dhjetor 2018

MINISTRI

Sandër Lleshaj nis detyrën si Ministër i Brendshëm

27 nëntor 2018 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përshëndeti drejtues të MB, Policisë së Shtetit dhe trupa të Policisë gjatë një ceremonie të mbajtur para memorialit të policëve të rënë në krye të detyrës, që ndodhet pranë ndërtesës së Ministrisë së Brendshme. Në fillim të ceremonisë ministri Lleshaj vendosi një kurorë me lule pranë memorialit të policëve të rënë në detyrë dhe më pas mbajti fjalën  e rastit, gjatë së cilës theksoi se: “Vetëm nëpërmjet nderit dhe integritetit të lartë, Policia e Shtetit, ne, mund të gjejmë rrugën e sigurt për tek besimi i qytetarëve të këtij vendi, besim i cili është parakusht absolut për plotësimin e misionit të vështirë, që kemi marrë përsipër”.

Takim me Presidentin e Këshillit Kombëtar të Austrisë

27 nëntor 2018- Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj priti në një takim Presidentin e Këshillit Kombëtar të Austrisë, Wolfgang Sobotka. Në qendër të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, me fokus të veçantë përmbushjen e kushteve prej Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE-së. Ministri i Brendshëm Lleshaj u shpreh se procesi i integrimit për Qeverinë shqiptare mbetet qëllim kombëtar. Duke u ndaluar tek reformat e realizuara, z.Sobotka theksoi se Vetting-u në sistemin e drejtësisë është një pikë kyçe në këtë proces, dhe në këtë kontekst, vlerësoi dhe inkurajoi përpjekjet e Shqipërisë për të vijuar më tej. Gjithashtu, Presidenti Sobotka tha se lufta kundër krimit të organizuar, jo më kot është një pikë e rëndësishme në kërkesat e BE-së, duke nënvizuar se rezultatet do të bindin edhe vendet ende skeptike. Ai deklaroi se Austria mbetet një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë, e këtu veçoi jo vetëm marrëdhëniet bilaterale, por edhe në një kontekst më të gjerë rajonal (E PLOTË).

Takim në strukturat e Drejtorisë së Policisë Korçë

30 nëntor 2018 – Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim me drejtuesit dhe strukturat e policisë së Korçës. Gjatë takimit ministri Lleshaj ka kërkuar luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, intensifikim i punës për rritjen e zbulueshmërisë dhe goditjen e grupeve të rrezikshme kriminale. Lleshaj ka kërkuar performancë nga ana e trupës policore, shërbim korrekt ndaj qytetarëve, si dhe rritje të parametrave të sigurisë rrugore.

Ministria e Brendshme

Sofje/Forumi Rajonal i Ministrave për çështjet e brendshme dhe luftën kundër korrupsionit

26 nëntor 2018 – Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari mori pjesë në takimin “Forumi Rajonal i Ministrave përgjegjës për çështjet e brendshme dhe luftën kundër korrupsionit” që u mbajt në Sofje të Bullgarisë.  Lamallari në fillim të fjalës së tij shpjegoi në vija kryesor reformën në drejtësi, si një parakusht për të luftuar korrupsionin dhe fenomene të tjera kriminale.“Duke e konsideruar një prioritet absolut, qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë dhe mbështetur disa nisma madhorë me synim parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionin, duke kthyer kësisoj besimin e publikut te institucionet. Një reformë gjithëpërfshirëse, e plotë dhe rrënjësore në drejtësi u aprovua dhe tashmë është duke u implementuar”, tha zv.ministri i Brendshëm. Më tej ai nënvizoi faktin se në kontekstin e përgjithshëm të reformës në drejtësi, objektivi kryesor i qeverisë është të rrisë eficencën në luftën kundër krimit. “Bazuar në të njëjtin vullnet dhe duke reflektuar objektiva të njëjta, Ministria e Brendshme është angazhuar që të përmirësojë organizimin dhe funksionimin e policisë, duke ndërtuar standarde dhe mekanizma që garantojnë një sistem eficient dhe periodik vetëkontrolli”, tha më tej Lamallari.

Budva/Takimi i 10-të rajonal i Komisioneve për Kontrollin e Armëve 26 nëntor 2018 – Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, mori pjesë në takimin e 10-të rajonal të Komisioneve për Kontrollin e Armëve të Vogla e të Lehta të zhvilluar në Budva, të Malit të Zi.  Fokusi i takimit ishin zhvillimet e fundit në rajon në kuadër të implementimit të Udhërrëfyesit Rajonal miratuar në takimin e 9-të , në maj 2018, në Tirane. Gjatë fjalës së saj zvministrja është ndalur tek sfidat e përbashkëta dhe kuadrin e vlerësimit dhe monitorimit të Udhërrëfyesit Rajonal, si dhe ka vlerësuar dialogun e deritanishëm mes Ballkanit Perëndimor dhe SEESAC, për të kontribuar në Strategjinë e re e AVL të Bashkimit Evropian.

Samiti për internet më të mirë për fëmijët dhe adoleshentët

26 nëntor 2018 – Zvministrja e Brendshme Romina Kuko ka marrë pjesë në samitin e nivelit  të lartë “Për internet më të mirë për fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri”.  Gjatë fjalës së saj Kuko ka ngritur shqetësimin se përdorimi i internetit nga fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri tashmë i shndërruar në një fenomen gati të zakonshëm, mbart rreziqe serioze për zhvillimin e tyre.  Rreziqet më të mëdha mbeten aksesi në lojëra të dhunshme, foto apo filmime të papërshtatshme për moshën, si dhe ajo e përdorimit të një fjalori jo qytetar, ekspozimi ndaj ngacmimeve apo bullizmit. Sipas Kuko është e nevojshme të punohet më shumë për sa i përket parandalimit, sidomos nëpër shkolla, por dhe në drejtim të edukimit të prindërve dhe krijimit të shërbimet e specializuara për trajtimin e fëmijëve në rastet e abuzimit dhe shfrytëzimit në internet.

Kuko ka theksuar se është e rëndësishme të punohet sa më shumë në kuadër të parandalimit të këtyre fenomeneve “është mirë të kesh ligje të mira, është mirë të kesh politika të mira, por parandalimi kryesor ndodh në familje. Ministria e Brendshme është duke krijuar Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike, të cilat do të jenë struktura në çdo bashki.  Këto këshilla vendorë do të kenë në përbërjen e tyre kryetarin e bashkisë, drejtorin e policisë, shërbimet sociale, shërbimet shëndetësore, drejtoritë arsimore etj. Në këto këshilla një nga çështjet kryesore do të jetë mbrojtja e të miturve, ndaj dhe unë do kërkoja nga të gjithë sidomos nga partnerët për të na ndihmuar për rritjen e kapaciteteve”.

POLICIA E SHTETIT

Policia e Tiranës në zbatim të planit të masave për kontrollin e dyqaneve dhe tregjeve që tregtojnë apo shesin lëndë plasëse e piroteknike, ka ushtruar kontrolle në dyqanet dhe tregjet e qarkut Tiranë. Gjatë kontrolleve janë konstatuar në shkelje dy subjekte (dyqane) dhe materialet janë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shkeljen e konstatuar në ngarkim të pronarëve të këtyre subjekteve, shtetasin Xh. Rr., 58 vjeç, banues në Tiranë, pasi në dyqanin e tij në rrugën “Hamdi Pepo” ky shtetas mbante dhe tregtonte produkte piroteknike në mospërputhje me kushtet dhe kriteret për mënyrën e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike. Njëkohësisht është ndaluar edhe  D. K., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi në dyqanin e tij në rrugën “Çamëria” ky shtetas mbante dhe tregtonte produkte piroteknike në mospërputhje me kushtet dhe kriteret për mënyrën e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale produkte piroteknike. Kontrollet do vijojnë edhe në ditët në vijim në gjithë dyqanet dhe tregjet e qarkut Tiranë.

26 nëntor 2018 – Policia e Elbasanit vijon takimet sensibilizuese, informuese dhe edukuese, me nxënësit e shkollave 9-vjeçare, në Qytetin e Elbasanit. Ndihmës/Specialistët për Policimin në Komunitet në bashkëpunim me stafet pedagogjike dhe psikologët e shkollave po bashkëbisedojnë me nxënësit , duke bërë prezent shembuj konkretë të ndodhur më parë si dhe nëpërmjet broshurave apo pamjeve filmike të përgatitura nga Policia. Qëllimi i këtyre takime konsiston në ndërgjegjësimin e të rinjve, mbi pasojat shkatërruese për shëndetin dhe ekonominë, si dhe për shoqërinë në tërësi, si rrjedhojë e konsumit të drogës, duhanit dhe alkoolit.

FORCA E LIGJIT NË TERRITOR

25 Nëntor 2018 –  Në kuadër të operacionit Forca e Ligjit në Territor, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë konkretisht shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë në vijim të punës hetimore për parandalimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, pas kontrolleve të befasishme në lagjen nr.4 Sarandë, konstatuan se në automjetin tip “BMV X5”, drejtuar nga shtetasi E. K., (bagazh) u gjet një sasi me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva me peshë totale prej 32 kilogramë. Efektivët e Sarandës kanë bërë arrestimin e 3 shtetasve të cilët dyshohen se janë persona të implikuar dhe autorë përgjegjës në lidhje me ngjarjen: S. Ç., 27 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tepelenë; A. P., 25 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë (i dënuar më parë për vjedhje), si dhe E. K., 31 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë (drejtuesi i mjetit BMV X5). Ndërkohë u bllokuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale një automjet tip BMW.

Operacioni “Ndëshkimi i ‘të fortëve” nga strukturat vendore të Policisë së Shtetit janë kryer kontrolle për personat me precedent kriminal aktiv, personat në kërkim, personat si prishës sistematik të rendit publik dhe persona të arrestuar për mbajtje pa leje të armëve luftarake e municionit e armëve të ftohta, nga         20 shtator – 3 dhjetor:    

  • 600 të arrestuar/ndaluar
  • 100 persona me precedentë
  • 291 në kërkim
  • 121 ‘të fortë’
  • 93 vetë për armëmbajtje pa leje

OPERACIONE

1 dhjetor 2018 – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak në bashkëpunim me Forcat Shqiponja të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë finalizuar operacionin e koduar “Alfa”. Për pasojë një shtetas është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kanë ushtruar aktivitetin kriminal të vjedhjes me  thyerje të 12 banesave kryesisht në qytetin e Shijakut dhe gjithashtu kanë kanosur me  armë një shtetas të mitur. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet, vlera monetare si dhe mjetet e kryerjes së veprimtarisë kriminale si: doreza, kaçavida dhe pinca.

28 nëntor 2018 – Në Tiranë specialistët e seksionit për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “500”, arrestuan në flagrancë shtetasin G. Xh., 37 vjeç, banues në Kavajë. Gjatë kontrollit këtij shtetasi iu gjetën 20.500 euro të dyshuara të falsifikuara të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me mjetin dhe dy aparate celular.

28 nëntor 2018 – Në Librazhd fal reagimit të shpejtë e profesional të policisë është kapur në kohë reale autori i plagosjes me armë të 23-vjeçarit Xh.P.