» Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 62
Postuar më: 26/11/2018

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 62

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 62

(19 – 25 nëntor 2018)

MINISTRI

Z.Sandër Lleshaj, emërohet Ministër i Brendshëm

23 nëntor 2018 – Z. Sandër Lleshaj është betuar si Ministër i Brendshëm, tek Presidenti i Republikës. Një ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën plenare të datës 22 nëntor emërimin e z. Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm. Të pranishëm në sallë ishin 77 deputetë dhe në votim të gjithë votuan pro emërimit të tij. Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi Lleshajn, si ministër i Brendshëm në datë 16 nëntor 2018. Më herët, në 6 nëntor 2018, Sandër Lleshaj u emërua si zv.ministër i Brendshëm. Ai ka mbajtur 5 vitet e fundit detyrën e Këshilltarit të Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare.

134 mjete të reja për flotën e Policisë së Shtetit

24 nëntor 2018 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përshëndeti në veprimtarinë “Siguri, Inovacion, Progres”, të zhvilluar në sheshin ‘Nënë Tereza’, me rastin e shtimit në flotën e Policisë së Shtetit të 134 mjeteve të reja. Në këtë event mori pjesë edhe Kryeministri Rama, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të trupit diplomatik dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministri Lleshaj theksoi se “futja në inventarin e Policisë së Shtetit të një numri të konsiderueshëm prej 134 autoveturash dhe 30 motoçikletash është vetëm një paketë e radhës në kuadër të një programi të gjerë modernizmi të Qeverisë shqiptare për Policinë e Shtetit”. Më tej ai nënvizoi se shumë shpejt trupa e policisë do të pajiset me mjete teknologjike të fjalës së fundit, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë dhe një kontroll sa më të mirë të territorit. “Së shpejti, presim që flota e automjeteve të zgjerohet në mënyrë të dukshme, që të zgjerohen kapacitetet e monitorimit mobil të trafikut rrugor, që të krijohet një flotë e re e droneve të vëzhgimit ajror, që të përmirësohet dukshëm teknologjia e monitorimit të kufijve, etj.” Lleshaj tha se duhet punuar që në sistemin arsimor, të trajnimit dhe në Akademinë e Sigurisë që efektivët e Policisë së Shtetit t’u përafrohet modeleve më të përparuara evropiane.

Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi se fokusi i qeverisë është te gjenerata e re, ripërtëritja e vazhdueshme dhe “rritja e vazhdueshme e përqindjes se punonjësve të policisë me arsim të lartë” me qëllim që policia jonë të kapë standardet dhe një nivel performance të krahasueshëm me mesataren evropiane. Rama nënvizoi edhe domosdoshmërinë e modernizimit të praktikave të policisë dhe aplikimit të teknologjive moderne. “Duhet të kalojmë në sistemin e teknologjisë, ashtu sikundër, duke pasur edhe kamerat, duhet të garantojmë që teknologjia ta bëjë këtë punë”, nënvizoi ai. Në ceremoni përshëndeti edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ndërsa pas përfundimit të ceremonisë së zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, mjetet e reja bënë një parakalim demonstrues në bulevardin kryesor të Tiranës.

“Krimi kompjuterik, kërcënimi kibernetik dhe siguria kombëtare”

21 nëntor 2018 – Ministri i Brendshëm i dekretuar nga Presidenti, Sandër Lleshaj, mori pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare “Krimi kompjuterik, kërcënimi kibernetik dhe siguria kombëtare”, e cila u zhvillua në një nga sallat e Akademisë së Sigurisë në Tiranë dhe në të cilën ishin të pranishëm zv.kryetarja e Parlamentit, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit. Ky aktivitet u zhvillua gjithashtu me mbështetjen e organizmave ndërkombëtare si BE, NATO, OSBE, Ministria e Brendshme e Italisë, Pameca, IPA etj. Në fjalën e mbajtur në këtë veprimtari, z.Lleshaj theksoi se sulmet kibernetike janë me natyra të ndryshime si “sulmet financiare, ideologjike, sabotimi i bizneseve, dëmtimi i reputacionit të kompanive apo thyerja e masave të sigurisë për autoritetet dhe rrjetet shtetërore.”

Ai nënvizoi se “Shqipëria është një vend me risk shumë të lartë në fushën kibernetike,” për shkak të shkallës së lartë të përdorimit të internetit dhe përdorimit të shërbimeve online. Duke bërë një përqasje në vite, ai tha se sipas të dhënave të Policisë, në vitin 2017 janë regjistruar mbi 3 herë më shumë krime kompjuterike në krahasim me vitin 2010, ndërkohë që “niveli i zbulueshmërisë së tyre është vetëm 27%. Pra, rreth 3 herë më i ulët se mesatarja e zbulueshmërisë së krimeve të tjera.” Lleshaj e konsideroi këtë fakt si “një ndër sfidat më të rëndësishme për të gjitha institucionet e sigurisë dhe në veçanti për Policinë e Shtetit shqiptar.” Ai the se për ta ndryshuar këtë gjendje duhet  që “Akademia e Sigurisë të shndërrohet në promotor të këtij shndërrimi modernizues. Kurrikulat e saj duhet që në mënyrë progresive të krijojnë hapësirë për teknologjinë e informacionit, për programimin kompjuterik, për financat, për ekonominë digjitale,” ndërsa shtoi më tej se “Akademia duhet të hapë dyert dhe të bëhet tërheqëse për një profil të ri studentësh dhe pedagogësh, të cilët janë futur ndërkohë në botën e re, që zotërojnë njohuritë, mjeshtëritë dhe pasionin e domosdoshëm për të lundruar dhe për të pasur sukses në këtë realitet të ri”. Lleshaj tha në fund të fjalës së tij se: “Hartimi i një strategjie kombëtare për sigurinë kibernetike do të jetë një ndër hapat e rëndësishëm, i cili do të përcaktojë objektivat, rrugët dhe burimet e nevojshme për të realizuar këtë qëllim.”

17-20 nëntor 2018 – Ministri i Brendshëm i dekretuar nga Presidenti, Sandër Lleshaj, ka zhvilluar takime në drejtoritë vendore të disa prej qarqeve kryesore të vendit, si Lezhë, Gjirokastër e Berat. Fokusi kryesor i takimeve ka qenë intensifikimi i punës për rritjen e zbulueshmërisë dhe goditjen e grupeve të rrezikshme kriminale, forcimi i luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike, etj. Lleshaj ka kërkuar performancë nga ana e trupës policore dhe goditje të shpejtë dhe pa asnjë tolerancë ndaj krimit, në të gjitha format e tij. Më herët Ministri i Brendshëm i dekretuar nga Presidenti, Sandër Lleshaj ka zhvilluar takime në drejtoritë vendore të policisë së Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës.

23 nëntor 2018 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përcolli në aeroportin “Nënë Tereza” punonjësen e forcave “Shqiponja” Ina Nuka, duke i uruar shërim të shpejtë. Ai i inkurajoi familjarët e punonjëses Nuka që të kenë besim se bija e tyre do të shërohet shpejt. Nuka u dërgua në një spital në Turqi ku do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të specializuar kirurgjikale. Nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Rama është siguruar gjithë procedura për të kryer operacionin si dhe trajtimin e nevojshëm për rehabilitim. Efektivja Nuka u plagos rëndë një ditë më parë në protestat e dhunshme të banorëve të unazës së Tiranës para Parlamentit.

MINISTRIA

21 nëntor 2018 – Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, në cilësinë e koordinatores kombëtare të Task Forcës Qendrore Antikanabis, drejtoi takimin e programuar të kësaj njësie, në të cilën morën pjesë përfaqësues nga ministri e institucione të ndryshme, të ngarkuara me zbatimin e “Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017-2020”. Në këtë takim të Task Forcës Qendrore, u diskutua në detaje për masat e ndërmarra nga institucionet përkatëse mbi luftën ndaj këtij fenomeni. Anëtarët e institucioneve përgjegjëse dhe mbështetëse raportuan mbi aktivitetet e kryera në përputhje me masat respektive për periudhën Janar-Tetor 2018. Në mbyllje të takimit, u përcaktuan detyrat e reja për raportimin në vijim, si dhe u diskutua mbi planifikimin e takimit të ardhshëm të kësaj Task Force.

Austri –  Pjesë e panelit ku ishte i pranishëm dhe Ministri i Brendshëm Austriak Kickl zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko në fjalën e saj shpjegoi rrugën e gjatë që ka përshkuar Shqipëria në rrugën e integrimit evropian. Ajo bëri një krahasim të Evropës së viteve ’80, ku demokracia lulëzonte dhe Shqipërisë së atyre viteve ku të drejtat e njeriut ishin arbitrare duke përçuar mesazhin “Mos i merrni vlerat evropiane të mirëqena. Për një vend që nuk i ka patur ato (respektin për dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut, siguria etj) ato janë mëse të çmuara. Skeptikët e BE janë ata që nuk kanë përjetuar ndonjëherë konfliktin në jetën e tyre ndërkohë që ne në Evropën Juglindore kemi kaluar plot trazira për të mos t’i marrë të mirëqena. Ajo theksoi se Shqipëria është duke ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme, siç është ajo e Drejtësisë, ku një pjesë e mirë e prokurorëve dhe gjyqtarëve të vendit po kalojnë procesin e Vettingut, duke çuar në një reformim real të sistemit të drejtësisë dhe kjo, nuk do të ishte e mundur pa ndihmën dhe partneritetin e BE-së. “Mendoj se ka ardhur koha që të ketë një mekanizëm të ri për të mbrojtur vlerat evropiane, mendoj se ka ardhur koha për një Ide të re për të promovuar dhe mbrojtur këto vlera, dhe jo vetëm të izoluar brenda vendeve të Unionit, por dhe ato të fqinjësisë, edhe ne vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të transmetohen këto vlera edhe në vende të tjera. Nganjëherë kemi iluzionin se komunikojmë me njëri-tjetrin por në fakt nuk komunikojmë vërtet. Duhet të nisë një dialog i ri; se si të komunikohen vlerat evropiane pjesës tjetër. Në këtë mënyrë edhe debati rreth pranimit të njeri-tjetrit do të jetë më i butë”, u shpreh Zv.Ministrja Kuko.

20 nëntor 2018 – Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me projektin e qeverisë zvicerane “Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Vendor” DLDP, i zbatuar në Shqipëri nga “Helvetas Swiss Intercooperation”, zhvilluan konkursin Kombëtar të Praktikave të Mira 2018. 39 bashki kanë paraqitur aplikimet e tyre, të përzgjedhura nga fusha të ndryshme të veprimtarisë së qeverisjes vendore. Aplikimet e ardhura janë ndarë sipas fushave në tre kategori konkurrimi: Shërbime, Ekonomike dhe Komunitare/Sociale. Vlerësimi i tyre do të bëhet sipas kategorive dhe fituesit do të dalin për secilën kategori.

23 nëntor 2018 – Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko mori pjesë në në konferencën kombëtare “Shqipëria, decentralizim në progres” në të cilën ishin të pranishëm zv.kryeministrja Senida Mesi, kryetarë të bashkive të vendit, përfaqësues të trupit diplomatik dhe ekspertë të çështjeve të pushtetit lokal. Kuko bëri një ekspoze të situatës para reformës administrative territoriale dhe nënvizoi problemet e krijuara me organizimin e vjetër në bashki e komuna. Ajo e vuri theksin te fragmentarizimi i thellë i strukturave të pushtetit vendor dhe inefikasitetit të skajshëm të administratës së vjetër.  “Kjo situatë ka prodhuar ngërçe të vazhdueshme për njësitë vendore, në veçanti për polet e rëndësishme të zhvillimit ekonomik si qytetet më të mëdha të vendit, të cilat janë përballur me një fait accompli në zhvillimin kaotik dhe të dendur urban në komunat përreth tyre” tha Kuko. Më pas ajo shpjegoi rëndësinë dhe përfitimet që solli reforma administrative territoriale, qoftë në sistemin fiskal, ashtu edhe në mirëqeverisje dhe ofrimin e shërbimeve për publikun. “Reforma Administrativo territoriale, patjetër shoqëruar me proceset decentralizuese në vend, mbetet ndër reformat më të thella dhe më të suksesshme e ndjekur në funksion të rritjes së cilësisë së qeverisjes vendore, eficencës së përdorimit të burimeve njerëzore dhe financiare, shfrytëzimin sa më racional të burimeve natyrore të vendit dhe modernizimin e shërbimeve ndaj qytetarëve,” theksoi në ajo në konkluzionet që bëri mbi RAT.

POLICIA E SHTETIT 

18-21 nëntor 2018 – Një delegacion i policisë shqiptare i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Drejtori i Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar Drejtues Andi Likaj, morën pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit në Dubai. Gjatë këtij aktiviteti, Drejtori Veliu zhvilloi takime të shumta me zyrtarë të lartë të policive dhe qeverive që janë pjesë e Interpol. Në këtë kuadër mund të përmenden takimet e ditës së parë me delegacionin e Ministrisë së Brendshme të Emirateve të Bashkuara Arabe; ai me Zv/Presidentin e Interpolit Z. Kim Jong Yang dhe më pas me Shefin e Delegacionit të USA me Drejtorin Ëayne H. Salzgaber, me Zv/Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Italiane si dhe me delegacionin e Argjentinës. Në ditën e dytë takimi më i rëndësishëm ishte me znj. Lynne Owens (Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjensisë Kombëtare për Krimin – NCA), të Britanisë së Madhe. Oëens ka vlerësuar rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit dhe veçanërisht nga Forca e Ligjit, si dhe ka premtuar mbështetje për Policinë Shqiptare në asistencë teknike dhe logjistikë. Në ditën e tretë, Asambleja e Përgjithshme zgjodhi përmes votimit, Presidentin e ri të Interpol-it, z.Kim Jong Yang, cili  më parë ka mbajtur detyrën e Zv.presidentit të Asamblesë. Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu uroi drejtuesin për detyrën e rëndësishme. Z. Kim Jong Yang pasi e falënderoi Veliun i shprehu mbështetjen për policinë shqiptare, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe rëndësinë e forcimit të këtij bashkëpunimi. Asambleja e Përgjithshme e Interpolit është eventi më i madh botëror në lidhje me bashkëpunimin policor ndërkombëtar. Në këtë asamble e cila u mbaj në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, morën pjesë 173 shtete, të cilët u përfaqësua nga 85 Drejtorë të Përgjithshëm të Policisë dhe 40 Ministra.

21 nëntor 2018 –  Policia e Shtetit ka qenë pjesëmarrëse në “Panairin ndërkombëtar të Tiranës” të organizuar në Pallatin e Kongreseve, nga datat 21-24 Nëntor 2018, nga Klik Ekspo Group, në Seksionin kushtuar Sigurisë dhe Mbrojtjes. Në këtë panair ekspozohen pajisjet dhe shërbimet e strukturave të Policisë Rrugore, Njësisë “Shqiponjat”, Repartit Special RENEA dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, në kuadër të iniciativave të ndërmarra për rritjen e bashkëpunimit të policisë me publikun.

21 nëntor 2018 – Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në kuadër të programit të policimit në komunitet, ka organizuar takime sensibilizuese në disa shkolla 9-vjeçare të qarkut Lezhë. Në këto bashkëbisedime të hapura të oficerëve të policisë me nxënësit është vënë theksi në rrezikun që paraqet përdorimi i substancave të rrezikshme për shëndetin e njeriut, duke përfshirë edhe duhanin e alkoolin. Specialistë të fushës kanë folur për efektet negative të duhanit dhe alkoolit në trupin e njeriut dhe kanë tërhequr vëmendjen ndaj përdorimit të çdo lloj substancash psikotrope. Takimet e bëra synojnë rritjen e parametrave të sigurisë me fillimin e vitit shkollor, dhe kryhen në kuadër të programit “Stop alkoolit dhe substancave të tjera të rrezikshme për shëndetin”. Ky aktivitet u zhvillua nën moton “Së bashku për një shëndet dhe mjedis të sigurt” dhe synon në parandalimin e fenomeneve negative në mjediset e shkollave.

FORCA E LIGJIT NË TERRITOR

21 nëntor 2018 –  Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit në Territor”, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Elbasan në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në aksin rrugor Prrenjas -Pogradec kanë bllokuar një automjet furgon “Iveco”, në të cilin  u gjetën dhe u sekestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike prej 578 kilogramë kanabis. Gjithashtu u bllokuan dhe dy automjete të marra me qira nga këta shtetas në Fier, automjete të cilat shoqëronin automjetin me lëndë narkotike, konkretisht mjeti tip “Ford Focus” me drejtues shtetasin A. C., si dhe mjeti tip “Toyota Corola” me drejtues mjeti E.H. U sekuestruan gjithashtu 14 aparate celularë dhe 5800 euro. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i 8 shtetasve dhe u shpall në kërkim një tjetër. Lënda narkotike po transportohej në drejtim të Pogradecit dhe Korçës, ku do pritej nga dy shtetas tashmë të ndaluar nga policia.

OPERACIONE POLICIE

19 nëntor 2018 – Në Durrës, Policia Kufitare ka arrestuar disa shtetas për tentativë kalimi të paligjshëm në portin e Durrësit, nëpërmjet fshehjes nëpër kamionë që transportojnë mallra drejt Italisë. Në këtë kuadër, u arrestuan 2 persona, drejtues kamionësh, të cilët kishin fshehur në mënyrë të paligjshme brenda në kamion, dy shtetas kundrejt pagesave që shkonin 1500-2500 euro. Gjatë kontrolleve policia ndaloi dhe ndëshkoi me masa administrative edhe 6 shtetas të tjerë, të cilët tentuan të kalonin Portin e Durrësit duke iu shmangur kontrollit të dokumentacionit. Gjashtë shtetasit e ndaluar rezultuan me probleme për të lëvizur në hapësirën Schengen prandaj u ndëshkuan secili me nga 20 mijë lekë si masë administrative. Policia arrestoi gjithashtu  një shtetase të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane.

20 nëntor 2018 –  Seksioni i Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në vijim të punës hetimore në ngarkim të shtetasit J.J, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë penale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ka bërë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorit në zbatim të vendimit penal, datë 17.11.2018, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit pasuror sekuestro preventive mbi pasuritë e mëposhtme : 2 apartamente banimi në lagjen “10 Korriku” Vlorë, 2 ambiente shërbimi – dyqan, në lagjen “Pavarësia” Vlorë, 2 vende parkimi në lagjen “Pavarësia” Vlorë, 6 garazhe të ndryshme në lagjen “10 Korriku” Vlorë, 1 automjet tip BMË. Vlera totale e këtyre pasurive arrin deri në 360.000 euro. Dyshohet se pasuritë e sekuestruara janë përfituar si pasojë e veprimtarive të shtetasit J.J në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

23 nëntor 2018 – Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë publike, nga forcat policore të Mirditës dhe Kurbinit, janë ushtruar kontrolle me qëllim goditjen e veprimtarive të paligjshme dhe kapjen e personave në kërkim. Si rezultat, u ndalua me qëllim ekstradimi drejt shtetit Italian, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar, I. M, 39 vjeç, banues në Kurbin. Arrestimi provizor i tij u bë pasi Gjykata e Azizzes Itali me vendimin Nr. 1/1 datë 14.12.2003, e ka dënuar me 6 vite e 4 muaj burg për veprën penale ” Plagosje e rëndë me pasojë vdekjen”. U arrestuan gjithashtu edhe shtetasit:  V. B, 31 vjeç, banues në Mirditë, i dyshuar si posedues i rreth 3 kg lëndë narkotike cannabis sattiva të cilën e kishte fshehur në një bunkier, si dhe shtetasit F.K. 25 vjeç dhe E.M. 28 vjeç, banues në Mirditë, pasi gjatë kontrollit në mjetin e tyre iu gjetën një sasi e vogël lënde narkotike ( 20 doza).

23 nëntor 2018 –  Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër kanë finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Prita 2”. Tre shtetas janë ndaluar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi në automjetin e me targa AA 523 DF janë gjetur një sasi prej 30 kilogramë e 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Pas informacioneve të marra në rrugë operative se me automjetin me targa AA 523 DF po transportohej një sasi lënde narkotike, janë organizuar shërbimet për kapjen e autorëve. Drejtuesi i automjetit, K.R, 25 vjeç nga Tepelena, kur ka konstatuar se po ndiqej nga Policia, në afërsi të fshatit Sofratikë ka braktisur automjetin dhe është larguar duke përfituar nga errësira. Ai është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.