» Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 61
Postuar më: 19/11/2018

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 61

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 61 

(12 – 18 nëntor 2018)

MINISTRIA

Bruksel – Takim në Komisionin Evropian për procesin ‘screening’, Kapitulli 24

12, 13, 14 nëntor 2018 – Një delegacion me zyrtarë të lartë të qeverisë dhe institucioneve të tjera zhvilloi një takim 3-ditor pune në Bruksel me zyrtarë të Komisionit Evropian. Delegacioni kryesohej nga zv.ministrat e Brendshëm Romina Kuko, Rovena Voda, Julian Hodaj, Besfort Lamallari dhe zv.ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Genti Cakaj. Pjesë e delegacionit ishin gjithashtu zyrtarë të tjerë nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, Dogana, Prokuroria dhe Banka e Shqipërisë. Çështjet që u diskutuan që kanë të bëjnë me procesin e “screening”, si një hap ndihmës në prag të çeljes së negociatave për anëtarësim. Në fokus të bisedimeve ishte Kapitulli 24 i “acquis” për anëtarësim, që ka të bëjë me “Sigurinë, Drejtësinë dhe Lirinë”. Ministria e Brendshme është institucioni lider për koordinimin, trajtimin dhe ndjekjen e çështjeve të Kapitullit 24, për çështje të sigurisë. Përfaqësues të Komisionit Evropian, nën drejtimin e z.Marc Jorna nga Departamenti për Çështjet e Drejtësisë, vlerësuan progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e analizës së përafrimit të kuadrit ligjor me atë të BE-së si dhe rezultatet e prekshme në luftën kundër krimit të organizuar. Procesi ‘screening’ është një analizë e hollësishme e kuadrit ligjor shqiptar në tërësi dhe ecurisë së përafrimit të legjislacionit, si një ndër hapat që vendi po hedh për hapjen e negociatave vitin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në ditën e parë bisedat u fokusua në Bashkëpunimin Gjyqësor në Çështjet Penale dhe Civile. Ekspertët evropianë prezantuan bazën ligjore në terma të përgjithshëm, si dhe u fokusuan në mënyrë më të detajuar mbi metodologjinë se si do të implementohet i gjithë korpusi ligjor i “acquis”.

Në ditën e dytë të procesit ‘screening’ të Kapitullit 24, për “Sigurinë, Drejtësinë dhe Lirinë”, fokusi ishte te çështjet e migracionit të paligjshëm dhe azilit, kufijtë e jashtëm, kodin e Schengenit, si dhe politikën e vizave. Përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme/ Policisë së Shtetit, adresuan një mori pyetjesh, kryesisht të karakterit teknik dhe në veçanti, mbi shkëmbimin e informacioneve me agjencitë ligj-zbatuese evropiane. Zyrtarët e Komisionit vlerësuan dhe përgëzuan Shqipërinë për arritjet në këto fusha specifike.

Në ditën e tretë u diskutuan çështjet e luftës kundër krimit të organizuar ku delegacioni shqiptar i njohu përfaqësuesit e lartë të KE-së me rezultatet e arritura gjatë këtij viti në luftë kundër krimit. Në raportimin për zyrtarët e BE u theksuan rezultatet e arritura nga Task Forca Speciale në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, duke përmendur goditjen e rreth 11 grupeve kriminale, arrestimin e 175 drejtuesve dhe anëtarëve të këtyre grupeve dhe sekuestrimin e aseteve dhe pasurive kriminale që arrijnë deri në shifrën 20 milionë euro.

Pasi u njohën me këto rezultate, përfaqësuesit e Komisionit Evropian i vlerësuan ato dhe inkurajuan Shqipërinë që të vijojë më tej. Ky takim i parë për “screening” kishte si synim kryesor një prezantim të parë zyrtar të të gjithë legjislacionit të BE-së për Kapitullin 24 “Liria, Drejtësia, Siguria”, pra për të gjitha fushat që mbulon ky kapitull. Ekspertët e Komisionit Evropian shpjeguan elementet kryesorë të Direktivave të “acquis”, sipas nën fushave kryesore të këtij kapitulli në drejtim të: Bashkëpunimit Gjyqësor në Çështjet Penale dhe Civile; Migracionit, Azilit, Kufijve të Jashtëm dhe Kodit Schengen; Politikës së Vizave; Luftën Kundër Krimit të Organizuar përfshirë Trafikimin e armëve, qenieve njerëzore, konfiskimi i aseteve, bashkëpunimin me EUROPOL, CEPOL, etj., luftën Kundër drogës, luftën kundër terrorizmit. Nga takimi shpjegues rezulton se baza dhe aktet ligjore e Kapitullit 24, që përfshijnë: konventa, Vendime të Komisionit dhe të Këshillit, Direktiva, marrëveshje dypalëshe dhe shumëpalëshe, rezoluta, rregullore, protokolle, propozime legjislative dhe zbatuese, raporte të komisionit, plane të veprimit, etj., përllogaritet në një total prej 400 aktesh. Duke shpjeguar rreth këtij takimi dhe rëndësisë së procesit ‘screening’, për Kapitullin 24  zv.ministri Hodaj tha se “eshtë proces shpjegimi dhe verifikimi për të kuptuar, nga njëra anë – Bashkimi Evropian se në çfarë pike qëndron legjislacioni shqiptar dhe, nga ana tjetër, – ne për të kuptuar se në ç‘pikë jemi për sa i përket procesit të përafrimit.  Ne kuptuam që në disa pika legjislacioni shqiptar është në harmoni dhe në disa pika duhet akoma të përmirësohet. Kapitulli 24 është shumë voluminoz, me shumë pjesë legjislacioni por besojmë që përveç Ministrisë së Brendshme që mund të konsiderohet lider përsa i përket përafrimit të legjislacionit në këtë kapitull, duhet edhe bashkëpunimi i institucioneve të tjera, duke filluar që nga Prokuroria dhe duke mbaruar tek agjencitë e tjera ligj zbatuese,” tha ai.

15 nëntor 2018 – Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari mori pjesë në Forumin ndërkombëtar për sigurinë rajonale, të mbajtur në Budva të Malit të Zi, emërtuar “Forumi i Rimëkëmbjes për Ballkanin Perëndimor”. Në këtë takim, morën pjesë ministra të Brendshëm të vendeve të rajonit, si dhe zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, përkatësisht Zëvendësndihmës i Sekretarit, Zyra për Konflikte dhe Operacione të Stabilizimit, z.Pete Marocco, Zëvendës Koordinatori për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, z. Christopher Harnisch. Z.Lamallari, duke diskutuar në panelin mbi ‘Sfidat e Sigurisë Rajonale dhe bashkëpunimi  në Ballkanin Perëndimor’, theksoi se Shqipëria është vlerësuar si mbështetëse e fortë e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe se ka forcuar bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e sigurisë.

POLICIA E SHTETIT 

14 nëntor 2018 – Përfundon testimi fizik për pranimin në Kolegjin e Policisë, për Patrullë të Përgjithshme. Testimi u zhvillua në ambientet e Komandës së Forcave Speciale, Zall Herr, Tiranë, ndërmjet datave 5 – 14 Nëntor 2018. Kjo është faza e dytë e testimit, i cili është zhvilluar normalisht, transparent dhe pa kontestime. Në testin fizik morën pjesë 561 aplikantë, prej të cilëve dolën 400 fitues. Ky proces u monitorua nga Drejtoria e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Drejtoria e Standardeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si edhe nga misionet e huaja, si PAMECA. Faza e tretë është ajo e testimit psikologjik, ku Akademia e Sigurisë ka marrë të gjitha masat për zhvillimin sa më normal, korrekt e transparent të këtij procesi.

Policia e Shtetit ka publikuar listën e personave të shpallur në kërkim në qarqet Vlorë, Fier, Dibër, Berat e Gjirokastër. Lista përbëhet nga persona me rrezikshmëri shumë të lartë, kryesisht të dënuar me burgim të përjetshëm  ose me disa vite burg. Policia e Shtetit fton cilindo që ka dijeni mbi vendndodhjen e tyre të telefonojë Policinë në numrin pa pagesë 112, duke garantuar anonimatin. Ndihmo dhe ti në sigurinë publike!

POLICIA KUFITARE

Në drejtim të parandalimit të azil kërkimit, u është refuzuar dalja 88 shtetasve të cilët nuk plotësonin kriteret për të lëvizur në hapësirën Schengen. Gjatë dy javëve të fundit në Rinas nga Policia Kufitare janë kapur 4 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale për llogari të DVP-ve. Janë proceduar penalisht 6 shtetas me dokumente të falsifikuara. 12 shtetas janë proceduar për kalim të paligjshëm kufiri.

OPERACIONE POLICORE

Policia e Shtetit mori pjesë në një tjetër operacion ndërkombëtar, tashmë kundër ndotjes detare, i koduar “30 ditë në det”. Operacioni u krye i koordinuar nga Programi për Sigurinë Mjedisore i Interpol-it dhe në partneritet të ngushtë me EUROPOL. Ky ishte operacioni i parë i këtij lloj në hapësirat detare të vendit tonë, me qëllim zbatimin e ligjit kundër krimeve të ndotjes detare. Ai u zhvillua gjatë një harku kohor njëmujor (1-31 tetor) dhe u përfshinë 276 agjenci të zbatimit të ligjit dhe agjencive mjedisore në shumë rajone të botës. Autoritetet në Shqipëri parandaluan një rast ndotje duke siguruar ujërat përreth, ku një mjet peshkimi që po mbytej kishte 500 litra naftë me vete. Më shumë se 58 inspektime u ndërmorën në hapësirën detare të Shqipërisë, gjatë të cilave u kryen 91 kontrolle të mjeteve detare, u kryen më shumë se 135 orë punë, u angazhuan 150 forca dhe 49 mjete lundruese. Gjatë operacionit janë kontrolluar 104 mjete lundruese për ndotje detare.

16 nëntor 2018 –Në Tiranë, Policia arrestoi në flagrancë 2 shtetas pasi gjatë kontrollit u gjetën sasi të ndryshme lëndë narkotike heroinë e armë zjarri, lëndë eksplozive dhe sende të tjera të paligjshme. Policia kishte grumbulluar informacion nga burime të ndryshme se dy shtetasit shpërndanin lëndë narkotike heroinë. Autorët u kapën në një lokal pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit” në kushtet e flagrancës. Gjatë kontrollit, njërit prej autorëve iu kapën me vete 22 doza heroinë ndërsa tjetrit një dozë heroinë dhe një sasi e madhe parash, të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Në dyqanin e këtij të fundit u gjetën një sasi tjetër Heroinë, kanabis, peshore elektronike, dy armë zjarri pistoleta, një pushkë sportive me dylbi, municione luftarake etj.,  të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

15 nëntor 2018 – Në qarkun Lezhë policia ka arrestuar 5 persona për vepra të ndryshme kriminale në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit në Territor”. Një shtetas në Mirditë u arrestua pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet me vete një pistoletë dhe një sasi kanabis. Një tjetër në Kurbin u arrestua pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë e ftohtë. Policia ndaloi një shtetas i cili ishte në kërkim pas vendimit me burgim të gjykatës së Apelit i cili tentoi të largohej nga Shqipëria. Dy shtetas të tjerë në kërkim, me vendim gjykata, u arrestua gjithashtu në Kurbin.

15 nëntor 2018 – Në Dibër, Bulqizë dhe Mat, policia kreu një operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim, si autorë të veprave të ndryshme penale ose të dënuar nga gjykatat. Në Mat, u arrestua një shtetas në kërkim, pjesëtar i një grupi që kryenin vjedhje automjetesh në Tiranë. Në Bulqizë, u kap një shtetas në kërkim i dënuar me 3.4 vite burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

14 nëntor 2018 – Në Tiranë policia arreston në flagrancë një shtetas, të cilit iu sekuestruan 183 gramë kokainë dhe 3 thika që plotësojnë kushtet ligjore si armë të ftohta. Aksioni u zhvillua pas informacioneve se autori, shiste lëndë narkotike kokainë, në sasi të konsiderueshme, e destinuar në lokalet e natës në Tiranë. Shtetasi u arrestua dhe nga kontrolli iu gjet një qese me 183.2 gramë kokainë. Përveç akuzës për drogën, ndaj shtetasit është ngritur edhe akuzë për dhunë në familje, pasi ndaj tij ishte bërë kallëzim edhe bashkëshortja për dhunë fizike dhe psikologjike.

13 nëntor 2018 – Në Durrës policia arrestoi 2 të rinj me moshë 22 dhe 18 vjeç, pasi gjatë kontrollit u gjetën në makinë 2 armë zjarri, fishekë dhe mjete të tjera të paligjshme. Ky aksion u zhvillua u zhvillua në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit në Territor” dhe u finalizua pas një hetimi 2 mujor nën dyshimet për trafik të armëve dhe municioneve luftarake.

13 nëntor 2018 – Në Fier policia arrestoi një shtetas 24 vjeç, pasi gjatë kontrollit iu gjetën në makinë dy armë zjarri, pistoleta, fishekë dhe një sasi kanabis. Skuadra “Shigjetat” në DVP Fier e arrestuan autorin gjatë kontrolleve të befasishme për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike. Ky aksion u zhvillua në kuadër të operacionit “Ndëshkimi i të fortëve”.

13 nëntor 2018 – Në Rinas Policia Kufitare arrestoi një shtetas i cili tentoi të korruptojë punonjësen e Policisë Kufitare Rinas, me 50 Euro për të kaluar në hapësirën ‘Schengen’.