Bruksel/Procesi ‘screening’, Kapitulli 24 për “Sigurinë, Drejtësinë dhe Lirinë” - Ministria e Brendshme
Postuar më: 15/11/2018

Bruksel/Procesi ‘screening’, Kapitulli 24 për “Sigurinë, Drejtësinë dhe Lirinë”

Mbyllet dita e parë e procesit ‘screening’, Kapitulli 24

12 Nëntor 2018 –  Në Komisionin Evropian u përmbyll dita e parë e procesit ‘screening’, të Kapitullit 24, për “Sigurinë, Drejtësinë dhe Lirinë” për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Delegacioni shqiptar në takimin 3 ditor që po mbahet në Bruksel kryesohet nga zv.ministrat e Brendshëm Romina Kuko, Julian Hodaj, Besfort Lamallari, Rovena Voda, zv.ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Genti Cakaj. Pjesë e delegacionit janë përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, Prokuroria, Dogana, Banka e Shqipërisë.  Përfaqësues të Komisionit Evropian, nën drejtimin e z.Marc Jorna nga Departamenti për Çështjet e Drejtësisë, vlerësuan progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e analizës së përafrimit të kuadrit ligjor me atë të BE-së si dhe rezultatet e prekshme në luftën kundër krimit të organizuar.

Në ditët në vijim do të trajtohet çështjet e menaxhimit kufitar dhe migracionit të paligjshëm, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër drogave dhe ajo kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.  Ministria e Brendshme është institucioni lider për koordinimin, trajtimin dhe ndjekjen e çështjeve të Kapitullit 24, për çështje të sigurisë. Procesi ‘screening’ është një analizë e hollësishme e kuadrit ligjor shqiptar në tërësi dhe ecurisë së përafrimit të legjislacionit, si një ndër hapat që vendi po hedh për hapjen e negociatave vitin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

 

Procesi ‘screening’, Kapitulli 24, dita e dytë

13 Nëntor 2018 – Në ditën e dytë të procesit ‘screening’ të Kapitullit 24, për “Sigurinë, Drejtësinë dhe Lirinë” që po mbahet në Komisionin Evropian, fokusi ishte te çështjet e migracionit të paligjshëm dhe azilit.

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko theksoi rëndësinë e procesit.

“Jemi në ditën e dytë të takimit shpjegues të kapitullit 24 për të cilin Ministria e Brendshme ka rolin e liderit. Kapitulli 24 përfshin një sërë fushash si lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër migracionit të paligjshëm, lufta kundër terrorizmit, për të cilat në morëm një inkurajim shumë të madh edhe nga ana e Komisionit Evropian, të cilët shprehën vlerësimet e tyre për rezultatet e fundit të prekshme të Shqipërisë.

Takimet janë shumë të ngjeshura, është një axhendë shumë e ngjeshur, sepse bëhet shpjegimi i të gjitha direktivave dhe ligjeve të cilat duhet të përafrohen në kuadër të çeljes së negociatave. Ajo që dua të theksoj është që nëse për vendet anëtare ky proces është zhvilluar pas çeljes zyrtare të negociatave, me vendin tonë dhe me Maqedoninë gjithashtu, e cila është së bashku me ne, ky proces po zhvillohet shtatë muaj përpara çeljes së mundshme të negociatave, çka do të thotë një avantazh për ne, por në të njëjtën kohë edhe një axhendë shumë e ngjeshur për sa i përket punës që duhet të vijojë. Dita e tretë do të jetë e fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër terrorizmit”, u shpreh Kuko.

Zv.ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, që është koordinator kombëtar për këtë proces, Gent Cakaj vlerëson rëndësinë politike të procesit.

Rëndësia e procesit të ‘screening’ për Shqipërinë është e dyfishtë, nga njëra anë ky proces mbart një rëndësi të veçantë politike për Shqipërinë për shkak se, përkundër faktit që negociatat pritet të hapen zyrtarisht në qershorin e vitit të ardhshëm, Shqipëria aktualisht ka filluar fazën përgatitore për hapjen e negociatave, ngaqë ‘screening’ në vetvete është faza elementare përgatitore për procesin e negocimit për anëtarësim. Në këtë kuptim Shqipëria nuk ka mbetur në një vakum politik, por mbase koha në dispozicion është një kohë në shërbim të përgatitjes thelbësore për procesin e negocimit.

Nga ana tjetër ka një rëndësi të veçantë teknike meqenëse procesi i ‘screening’ është procesi i njoftimit fillestar me legjislacionin evropian dhe Shqipëria tashmë është veçse duke i shqyrtuar përmbajtjen e të gjithë kapitujve të legjislacionit evropian që në fund mbase duhet të adaptohen në legjislacionin vendor.

Rëndësia e këtij procesi në terma teknikë për Shqipërinë është edhe më e madhe sesa njoftimi me legjislacionin evropian, për shkak se është një mekanizëm i jashtëzakonshëm për shqyrtimin e përputhshmërisë së legjislacionit vendor me legjislacionin evropian dhe për pasojë edhe përgatitjen e brendshme për adaptimin e legjislacionit evropian në Shqipëri”, nënvizoi zv.ministri i Jashtëm.

Pjesë e delegacionit shqiptar në takimin 3 ditor që zhvillohet në Bruksel janë përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, Policia e Shtetit, Dogana, Banka e Shqipërisë.

 

Procesi ‘screening’ kapitulli 24, dita e tretë

KE vlerëson rezultatet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar

14 Nëntor 2018 – Në ditën e tretë të procesit ‘screening’ të Kapitullit 24, për “Sigurinë, Drejtësinë dhe Lirinë” që po mbahet në Komisionin Evropian, fokusi ishte lufta kundër krimit të organizuar.

“Në ditën e tretë të procesit ‘screening’ për Shqipërinë dhe Maqedoninë që po zhvillohet këtu në Komisionin Evropian, shfrytëzuam mundësinë për t’i njohur përfaqësuesit e lartë të KE-së mbi rezultatet e arritura gjatë këtij viti në luftë kundër krimit të organizuar. Konkretisht, rezultatet e arritura nga Task Forca Speciale në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, duke përmendur goditjen e rreth 11 grupeve kriminale, arrestimin e 175 drejtuesve dhe anëtarëve të këtyre grupeve dhe sekuestrimin e aseteve dhe pasurive kriminale që arrijnë deri në shifrën 20 milionë euro. Pasi u njohën me këto rezultate, përfaqësuesit e Komisionit Evropian i vlerësuan ato dhe inkurajuan Shqipërinë që të vijojë më tej”, nënvizoi zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.

 

Bruksel – Procesi ‘screening’, Kapitulli 24

14 Nëntor 2018 – Në përmbyllje të takimit 3 ditor në Komisionin Evropian, zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko ka shpjeguar gjithë procesin.

Çfarë synimi kishte ky takim 3-ditor që u mbajt në Komisionin Evropian në Bruksel?

Në kuadër të hapjes së procesit negociues me Bashkimin Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit, nga datat 12 deri më 14 nëntor, në Bruksel, u zhvillua takimi shpjegues, në kuadër të procesit “screening” për Kapitullin 24, institucioni lider i të cilit është Ministria e Brendshme.

Synimi kryesor konsiston në një prezantim të parë zyrtar të të gjithë legjislacionit të BE-së për Kapitullin 24 “Liria, Drejtësia, Siguria”. Ky takim konsistoi në prezantimin të detajuar të të gjithë “acquis” së BE-së për të gjitha fushat që mbulon ky kapitull.

Duke marrë parasysh se në disa vende fqinje, të cilat janë aktualisht duke negociuar, periudha nga “screening” në çeljen e negociatave ka qenë relativisht e gjatë (pothuajse dy vjet), si dhe duke marrë në konsideratë që takimi zhvillohet pothuajse 7 muaj para çeljes së mundshme të negociatave për anëtarësim, ky takim për palën Shqiptare pati rëndësi si nga pikëpamja politike dhe strategjike, por edhe teknike, pasi procesi do të vijojë me një punë të mëtejshme në drejtim të analizës së legjislacionit shqiptar në raport me atë të BE-së duke na vënë në avantazh.

Cilat ishin tematikat e secilës ditë dhe ecuria e tyre?

Ekspertët e Komisionit Evropian shpjeguan elementet kryesorë të Direktivave të “acquis”, sipas nën fushave kryesore të këtij kapitulli në drejtim të:

Bashkëpunimit Gjyqësor në Çështjet Penale dhe Civile; Migracionit, Azilit, Kufijve të Jashtëm dhe Kodit Schengen; Politikës së Vizave; Luftën Kundër Krimit të Organizuar përfshirë Trafikimin e armëve, qenieve njerëzore, konfiskimi i aseteve, bashkëpunimin me EUROPOL, CEPOL, etj., luftën Kundër drogës, luftën kundër terrorizmit.

Referuar çështjeve që përmban agjenda, takimi u organizua në tre ditë.

Dita e parë u fokusua në Bashkëpunimin Gjyqësor në Çështjet Penale dhe Civile, ku nga ekspertët evropianë u prezantua e gjithë baza ligjore në terma të përgjithshëm, si dhe u fokusuan në mënyrë më të detajuar mbi metodologjinë se si do të implementohet i gjithë korpusi ligjor i “acquis”.

Kryesisht për këtë çështje janë të angazhuar përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit, të cilët në fund të çdo sesioni, patën mundësi të merrnin përgjigjet e ekspertëve të Komisionit për pyetjet që u ngritën nga pala shqiptare gjatë takimit shpjegues.

Dita e dytë u fokusua në çështjet që lidhen me Migracionin, Azilin, Kufijtë e Jashtëm dhe Kodin e Schengenit, si dhe Politika e Vizave. Përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme/ Policisë së Shtetit, konkretisht përfaqësuesit e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit adresuan një mori pyetjesh, kryesisht të karakterit teknik dhe në veçanti, mbi shkëmbimin e informacioneve me agjencitë ligj-zbatuese evropiane.

Në ditën e tretë dhe të fundit, objekti i diskutimit ishte Lufta Kundër Krimit të Organizuar përfshirë Trafikimin e armëve, qenieve njerëzore, konfiskimi i aseteve, bashkëpunimi me EUROPOL, CEPOL, etj., Luftën Kundër Drogës, Luftën Kundër Terrorizmit. Për shkak të vetë rëndësisë që mbart ky objekt, takimi u hap me një prezantim të arritjeve më të fundit të Qeverisë Shqiptare në këto fusha.

Sa tema dhe sa Direktiva u diskutuan gjatë këtij procesi?

Nga takimi shpjegues rezulton se baza dhe aktet ligjore e Kapitullit 24, që përfshijnë: konventa, Vendime të Komisionit dhe të Këshillit, Direktiva, marrëveshje dypalëshe dhe shumëpalëshe, rezoluta, rregullore, protokolle, propozime legjislative dhe zbatuese, raporte të komisionit, plane të veprimit, etj., përllogaritet në një total prej 400 aktesh.

Cilat janë konkluzionet dhe hapat e ardhshëm?

Së pari, nga ky takim shpjegues tre ditor, kemi marrë angazhimin për fillimin e menjëhershëm të një procesi intensiv pune, për një analizë të detajuar të legjislacionit shqiptar në raport me atë të BE-së, i cili do të fokusohet sipas fushave të “acquis” për Kapitullin 24.

Referuar kalendarit të përcaktuar nga Komisioni Evropian, pasi procesi i mësipërm të jetë konkretizuar me ngritjen e grupeve të punës dhe administrimit të konkluzioneve paraprake të tyre mbi raportin e legjislacionit të brendshëm me “acquis”, sipas fushave përkatëse (gap analyses), takimi i radhës do jetë në formatin bilateral, brenda tre muajve të ardhshëm, me përfaqësues teknik të secilës palë, mbi diskutimin e dispozitave konkrete, të cilat janë vlerësuar se do të transpozohen në legjislacionin e brendshëm.

Realizimi me sukses i kësaj faze, do të jetë “drita jeshile” për ato që quhen “opening benchmarks” apo kriteret hyrëse.

 

Zv.ministër i Brendshëm Julian Hodaj shpjegon rëndësinë e procesit ‘screening’

15 Nëntor 2018 – Julian Hodaj, Zv.ministri i Brendshëm shpjegon rëndësinë e procesit ‘screening’, Kapitulli 24 dhe çfarë ndodh më tej.

Është proces shpjegimi dhe verifikimi për të kuptuar, nga njëra anë – Bashkimi Europian se në çfarë pike qëndron legjislacioni shqiptar dhe, nga ana tjetër, – ne për të kuptuar se në ç’pikë jemi për sa i përket procesit të përafrimit.

Sa angazhim kërkohet nga ana pala shqiptare?

Këto tre ditë që ishin mjaft të ngjeshura dhe impenjative, kuptuam që në disa pika legjislacioni shqiptar është në harmoni dhe në disa pika duhet akoma të përmirësohet. Kapitulli 24 është shumë voluminoz, me shumë pjesë legjislacioni por besojmë që përveç Ministrisë së Brendshme që mund të konsiderohet lider përsa i përket përafrimit të legjislacionit në këtë kapitull, duhet edhe bashkëpunimi i institucioneve të tjera, duke filluar që nga Prokuroria dhe duke mbaruar tek agjencitë e tjera ligj zbatuese.

Si e transformon ky proces kuadrin ligjor shqiptar?

E sjell në harmoni të plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, që do të thotë, kjo do të diskutohet pastaj në takimet bilaterale gjatë negociatave, do të ketë vend për ndërhyrje. Nuk besojmë  që do të ketë një shndërrim total apo ndërhyrje drastike në legjislacioni shqiptar sa kohë kemi një përpjekje më tepër se 10-vjeçare që përpiqemi gjatë gjithë kohës që të përafrojmë legjislacionin me atë të BE-së.