» Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 60
Postuar më: 12/11/2018

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 60

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 60

(5-11 nëntor 2018)

MINISTRI

Ministri i dorëhequr Xhafaj, takim lamtumire me drejtues të MB dhe Policisë së Shtetit

5 nëntor 2018 – Ministri i Brendshëm Xhafaj, pas dorëheqjes, ka zhvilluar një takim përshëndetës me drejtues të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit ku i ka falënderuar ata për bashkëpunimin  dhe mbështetjen e dhënë. Xhafaj tha se ndihej krenar për ekipin me të cilin kishte punuar gjatë gjithë kësaj duke vlerësuar profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin e secilit. Gjatë fjalës bëri një panoramë të plotë të reformave dhe rezultateve të arritura gjatë kohës që ai ishte në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Xhafaj u shpreh se ndihej mirë që “në përballimin e kësaj situate specifike kam pasur mbështetjen e Kryeministrit, të kolegëve të grupit parlamentar dhe padyshim të bashkëpunëtorëve të mi të afërt,” ndërsa rezervoi kritika për atë pjesë të politikës që synon të baltosë gjithçka.

Kuvendi miraton shkarkimin e Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm

6 nëntor 2018 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi shkarkimin e z. Fatmir Xhafaj nga posti i ministrit të Brendshëm, në një seancë të jashtëzakonshme plenare. Në fjalën e mbajtur në këtë seancë, Kryeministri Rama shpjegoi hollësisht ngërçin e shkaktuar nga vendimi i Presidentit Meta për mos dekretimin e kandidaturës së propozuar të z. Lleshaj, në postin e Ministrit të Brendshëm. Rama nënvizoi se në kompetencat kushtetuese të Presidentit, nuk ekziston ajo e refuzimit për emrat e ministrave të cilët janë përfaqësues të vullnetit të përgjithshëm të dalë nga zgjedhjet.

Vendim i Këshillit të Ministrave për drejtuesin e ri të MB

6 nëntor 2018 – Këshilli i Ministrave mori vendimin për emërimin e z. Sandër Lleshaj  si zëvendësministër i Brendshëm.  Ky vendim i jep zgjidhje ngërçit të krijuar nga Presidenca me mosdekretimin e z.Lleshaj në postin e Ministrit. Tashmë ai është i deleguar me vendim qeveritar të drejtojë Ministrinë e Brendshme deri në postin e zv/ministrit, deri në zgjidhjen institucionale të këtij ngërçi.

Kryeministri Rama prezanton zv.ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj

6 nëntor 2018 – Kryeministri Edi Rama prezantoi personalisht zëvendësministrin e ri të Brendshëm z.Sandër Lleshaj, të cilit i janë deleguar kompetencat e ministrit të Brendshëm pas dorëheqjes së z.Fatmir Xhafaj nga detyra. Gjatë ceremoninë së dorëzimit të detyrës në Ministrinë e Brendshme ishin të pranishëm edhe ish-ministri Xhafaj, 4 zëvendësministrat e Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe Sekretari i Përgjithshëm i MB-së.

Miratohet në parim projekt buxheti i MB-së për 2019, në Komisionet parlamentare

7 nëntor 2018 – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni për Sigurinë Kombëtare shqyrtuan dhe miratuan në parim projektligjin për vitin 2019, për Ministrinë e Brendshme. Të ftuar në mbledhjet e Komisioneve ishin Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i MB-së, Dritan Palnikaj. Zv.ministri Hodaj tha se p/buxheti i parashikuar për vitin 2019 është rreth 20.9 miliard lekë. Për të dytin vit radhazi, ky është buxheti më i madh i akorduar nga Qeveria shqiptare për Ministrinë e Brendshme.

Shpallen persona të padëshiruar në Shqipëri, 52 shtetas grekë

9 Nëntor 2018 – Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë vendosi shpalljen person të padëshiruar të 52 personave të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike. Lajmi u bë i ditur nga zv/ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një dalje publike një ditë pas ngjarjeve të ndodhura në Bularat gjatë ceremonisë mortore të shtetasit K.K.  “Këta persona dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat tona të sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në këtë vend, për periudhën e parashikuar në ligj. Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”, theksoi z. Lleshaj.

Takimi i përbashkët i vendeve ballkanike në kuadër të nismës së MARRI-t

7 nëntor 2018 – Në Budva të Malit të Zi u zhvillua takimi i radhës mes vendeve ballkanike në kuadër të Nismës MARRI (Nisma Rajonale për Migracionin, Azilin dhe Refugjatët) ku u diskutua rreth problemeve që ka shkaktuar në rajon dyndja e refugjatëve të paligjshëm. Sipas IOM (Organizatës Botërore të Refugjatëve) gjatë vitit 2018 në Bosnje, Malin  Zi dhe Shqipëri kanë hyrë 21,413 refugjatë, çka përbën një numër 10-fish më të lartë se një vit më parë. Në këtë takim u ra dakord që të rigjallërohen mekanizmit e rrjetit të ri pranimit për refugjatët, qoftë mes vendeve ballkanike, ashtu edhe me ato të BE.

Itali/Mbyllen negociatat për Memorandumin e Mirëkuptimit për parandalimin e fenomenit të të miturve të pashoqëruar;

8 nëntor 2018 – Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda zhvilloi një vizitë pune në Itali, me qëllimin përfundimin e negociatave për nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi me Italinë në fushën e luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore. Palët ranë dakord për variantin e përbashkët përfundimtar dhe në një takim të radhës ai do të nënshkruhet nga zyrtarët e të dy vendeve. Ky memorandum parashikon masa për frenimin e fenomenit të trafikimit të njerëzve, sidomos të fëmijëve të mitur, zakonisht të pashoqëruar, drejt Italisë. Objektivat kryesorë madhorë të memorandumit janë: parandalimi i fenomenit të të miturve të pashoqëruar; lufta kundër trafiqeve dhe ri integrimi i të miturve në shoqërinë shqiptare.

 “Ndëshkimi i të fortëve”

5 nëntor 2018 – Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka ka bërë publike  rezultatet javore të operacioneve  përkatësisht “Ndëshkimi i të fortëve” dhe “Forca e Ligjit në Territor”. Gjatë javës që u mbyll, u arrestuan 54 persona, të identifikuar me precedentë kriminalë apo si prishës të rendit, të konsideruar si “të fortë”. Arrestimi i tyre u bë për armëmbajtje pa leje apo për shkak se janë në kërkim kombëtar e ndërkombëtar. Ndër provat e sekuestruara janë edhe 8 armë zjarri; rreth 3.6 kg Kokainë e Heroinë dhe rreth 110 kg  kanabis.

Operacione Policore

5 nëntor 2018 – Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë identifikuar autorin e dyshuar të një vrasjeje të ndodhur në 14 Janar 2018, i njohur si H.Xh. i cili akuzohet për “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim. Për arsye hetimi në funksion të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarje, nuk bëhen me dije shumë detaje të tjera.

5 nëntor 2018 – Kandidatët për në Akademinë e Sigurisë kanë nisur testin fizik për pranimin në “Kolegjin e Policisë” për Patrullë të Përgjithshme. Ky testim do të vijojnë deri më 14 nëntor 2018 dhe në të marrin pjesë të gjithë ata aplikantë që në testimin me shkrim kanë marrë 50 pikë e sipër. Testimin fizik do ta kryejnë rreth 570 konkurrentë, për 150 vende.

6 nëntor 2018 – Në kuadër të Konventës së Bashkëpunimit Policor në Evropën Juglindore (PÇ SEE) në Tiranë u zhvillua Takimi i 8-të i këtij forumi në të cilin Shqipëria mban kryesinë e radhës. Ekspertët e vendeve anëtare prezantuan gjendjen në lidhje me format, metodat dhe keqpërdorimin e dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit, si dhe masat e marra për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të tilla.

7 nëntor 2018 – Në Lezhë, Policia arrestoi në flagrancë një shtetas 21 vjeç, të cilit iu gjet në makinë dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës një armë zjarri pistoletë me fishekë. Kapja e tij u bë në kuadër të operacionit “Ndëshkimi i të fortëve”.

7 nëntor 2018 –  Në Mat, policia arrestoi shtetasin A.U, pasi me datë 07.02.2018, në bashkëpunim me vëllain e tij, i cili është në kërkim, janë futur të maskuar dhe të armatosur në lokalin e një shtetasi në Baz të Matit dhe kanë qëlluar me armë zjarri automatik në ajër disa herë dhe më pas kanë goditur me qytën e pistoletës duke i shkaktuar dëmtime pronarit të lokalit. Konflikti dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.

7 nëntor 2018 –  Në Rinas policia arrestoi një shtetas italian, A.G., 41 vjeç, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Parisi/Francë. Ky shtetas po udhëtonte nga aeroporti i Romës në drejtim të aeroportit të Rinasit.

8 nëntor 2018 –  Në Korçë,  policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë finalizuar operacionin e koduar “Pritja” duke arrestuar në flagrancë tre punonjës të Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë. Këta punonjës në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke favorizuar një subjekt tregtar në qytetin e Korçës.

8 nëntor 2018 – Në Berat, policia arrestoi në flagrancë dy shtetas për trafik droge pranë shkollave dhe zonave ku qëndrojnë adoleshentë e të rinj. Autorët u vunë në pranga pas një hetimi disamujor me metoda speciale. Gjithashtu në vijim të këtij hetimi u bë arrestimi në flagrancë i një shtetasi tjetër, të cilit iu gjetën në banesë dhe 3 krehra pistolete, 76 fishekë dhe një jelek antiplumb.

8 nëntor 2018 –  Policia e Shtetit mori një sërë masash për të garantuar mbarëvajtjen e ceremonisë mortore të shtetasit K.K., në Bularat,  si dhe me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme që mund të lindnin nga prezenca e personave me prirje ekstremiste. Në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavije, Policia kreu kontrolle të imta ndaj personave që vinin nga Greqia për të marrë pjesë në ceremoninë mortore. Gjatë kontrolleve nuk u lejuan të hyjnë në Shqipëri 44 qytetarë grekë, pasi disponoheshin të dhëna se ata mund të krijonin incidente në fshatin Bularat. Gjithashtu, gjatë verifikimeve janë evidentuar dhe proceduar penalisht për nxitje të urrejtjes, dy shtetas, të cilët mbanin me vete banderola dhe uniforma që nxisnin urrejtjen. Gjatë ceremonisë mortore, janë evidentuar elemente që kanë shpërdorur ceremoninë për qëllime propagandistike ekstremiste. Në përfundim të ceremonisë Policisë ka shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër 12 shtetas. Ndaj personave të shoqëruar po kryhen veprimet e nevojshme procedurale nga Prokuroria.

11 nëntor 2018–  Efektivët e Komisariatit të Policisë nr. 6 në kryeqytet, kanë arrestuar në flagrancë një 31 vjeçar me akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve eksplozive”. Gjatë kontrollit të ushtruar atij iu gjetën dhe sekuestruan 8 kallëpe tritol, një sasi lënde eksplozive tritol që shërben për përgatitjen e minave me telekomandë, si dhe një granatë mësymëse.

Policia rrugore, aksion në kryeqytet

9 Nëntor 2018 – Policia Rrugore e Tiranës organizoi disa pika kontrolli të ndryshme në rrugët e kryeqytetit, me qëllim monitorimin, sensibilizimin por edhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor. Nga kontrollet janë konstatuar shkelje dhe janë ndëshkuar 65 drejtues mjetesh për mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve dhe 45 drejtues mjetesh për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjeteve. Ndërkohë gjatë kontrolleve policore janë vendosur 478 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.