» Konferenca rajonale kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm
Postuar më: 01/11/2018

Konferenca rajonale kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm

Fjala e zv.ministres së Brendshme Romina Kuko në konferencën rajonale për “Trajtimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm që çojnë në terrorizëm…”

Të nderuar Ambasadorë të pranishëm,

Zonja dhe Zotërinj,

Përpara 2 vitesh së bashku me kolegët asokohe të OSBE-së, ishim të angazhuar të mbështesnim Qeverinë shqiptare në zbatimin e Strategjisë ndër-sektoriale të Luftës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Aksioni u fokusua në dy shina kryesore: e para ishte shina e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm kryesisht nëpërmjet angazhimit qytetar, Policimit në Komunitet dhe bashkëpunimit të policisë me pushtetin vendor dhe institucionet e arsimit para universitar. Shina e dytë ishte ndërhyrje sistematike në sistem, në institucione të vuajtjes së dënimit ku prezenca e OSBE hartoi një projekt ambicioz për rritjen e kapaciteteve të stafeve të burgjeve si dhe vlerësimin e riskut në këto institucione në mënyrë që të kishim një ide të qartë për riskun që ekstremizmi i dhunshëm përbënte.

Të gjitha këto përpjekje u zhvilluan në bashkëpunim të ngushtë me zyrën e Koordinatorit Kombëtar Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, sot, Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Ky projekt duhet të konsiderohet si një shërbim i madh që i bëhet jo vetëm institucioneve, por shoqërisë në tërësi. Në literaturën e ekstremizmit të dhunshëm, burgjet konsiderohen si inkubatorë të përhapjes së ideologjisë, por edhe aksioneve ekstremiste nëse risku që kjo të ndodhë neglizhohet.

Praktikat e mira të cilat paraqiten sot në këtë event janë rezultat i një pune të gjatë dhe janë jo vetëm të dobishme, por edhe një domosdoshmëri për të siguruar dhe/apo imunizuar këto institucione nga ky rrezik.

Ndonëse burgjet janë një pjesë e punës, ajo që dua të theksoj është çështja e rehabilitimit të atyre që rikthehen në shoqëri pas vuajtjes së dënimit.

Është detyrim që të përmirësojmë të gjitha mekanizmat ri-integrues si dhe të shtojmë programet e shkëputjes nga ideologjia ekstremiste.

Kjo nuk mund të arrihet vetëm në prizmin individual. Ri-integrimi është një çështje e dinamikave të grupit, dinamikave të cilat të gjitha bashkë sjellin në rezultante një rrugë të sigurt dhe larg rrugës së ri-kthimit në ekstremizmin e dhunshëm që çon në terrorizëm.

Përshëndes punimet e kësaj Konference dhe qëndrojmë të angazhuar për të bashkëpunuar në të gjitha pikat e takimit në këtë ndërmarrje, e cila në radhë të parë i shërben kohezionit tonë social në Shqipëri.

Faleminderit!