» Sezoni turistik 2018 – Siguria
Postuar më: 18/10/2018

Sezoni turistik 2018 – Siguria

Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në aktivitetin përmbyllës të sezonit turistik të zhvilluar në Golem. Në takim morri pjesë edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, Prefektët, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të pushtetit lokal:

Mirëmbrëma të gjithëve,

Jam shumë dakord me kolegun tim, ministrin Klosi, se vetë ky resort kaq i mrekullueshëm, tërësisht i ndryshuar në infrastrukturë dhe në shërbim, transformuar edhe me pak vite më parë, plotësisht në standarde evropiane, është dëshmia më e mirë e pasionit dhe vullnetit të biznesit shqiptar për të bërë punë të mira në këtë vend.

Sezoni turistik veror, ka të drejtë zoti Klosi që sezoni vazhdon, ka qenë më i suksesshmi në bazë të statistikave dhe shifrave zyrtare, treguesve të tjerë që bëjnë vlerësimin në këtë fushë. Këto shifra janë inkurajuese dhe kanë interes për të gjithë, pasi ndikojnë pozitivisht në ekonominë e vendit dhe veçanërisht në biznesin e turizmit.

Ministria e Turizmit, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, autoritetet e pushtetit vendor, gjithë qeveria, kanë qenë mjaft të angazhuar për mbarëvajtjen e këtij sezoni.

Jo për reciprocitet, por për realitet dhe për një të vërtetë të madhe, dëshirojë të vlerësojë në mënyrë të veçantë punën e kolegut tim, z. Klosi, ministri përgjegjës i fushës dhe i ekipit të tij të mrekullueshëm, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme me një përkushtim dhe pasion të veçantë për të na dhënë një fytyrë të re të turizmit, një sezon turistik shumë herë më të mirë krahasuar edhe me vitin e kaluar. Dëshiroj t’i falënderoj ata dhe jo rastësisht e bëra këtë gjë, edhe për frymën shumë të mirë të bashkëpunimit e koordinimit midis nesh, çka na e ka bërë punën tonë të vështirë shumë më të lehtë se vjet.

Plani i veprimit i miratuar nga Kryeministri para nisjes së sezonit, u zbatua në të gjitha pikat e tij, për sa i takon pjesës që lidhej me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, lidhur me sigurinë e vendit e qetësinë publike në të gjitha zonat turistike të vendit.

Në fillim të sezonit turistik publikisht ne bëmë pesë premtime, pesë angazhime konkrete. Sot është momenti të bëjmë bilancin e tyre, transparencën dhe llogaridhënien e punës sonë.

Drejtoresha e Kufirit, Drejtori i Departamentit të Sigurisë Publike bënë një panoramë të qartë të  punës së policisë, strukturave vendore dhe strukturave qendrore të Policisë së Shtetit, por më lejoni të ndalem pikërisht në këto 5 premtime, 5 angazhime konkrete.

Ne premtuam një sezon me më shumë qetësi, me më shumë rend dhe parandalim më të mirë të incidenteve dhe akteve kriminale. Një premtim tërësisht i mbajtur, i realizuar përmes punës dhe sakrificës të mijëra punonjësve të policisë, të drejtorive vendore të policisë: të Vlorës, Fierit, Durrësit, Tiranës, Lezhës, Shkodrës, Gjirokastrës, etj., si dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit, të Shkodrës, të Tiranës, Delta Forcë dhe RENEA-s, si dhe seksioneve të Qarkullimit Rrugor të Drejtorive Vendore të këtyre qarqeve, të cilat kanë shërbyer me orare të zgjatura dhe në kushtet e motit të nxehtë, duke bërë një punë vërtetë të lavdërueshme, të respektueshme dhe unë besoj edhe të vlerësueshme nga ana e Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve të departamenteve, por besoj se dhe nën urdhrat e tyre edhe nga sektori i Financës. U angazhuan mbi 1 mijë forca policore në funksion të sezonit turistik, mjete shtesë në funksion të tyre, u ngritën stacione policore provizore në Theth, në Valbonë, në Tale, në Gjirin e Lalëzit, në Ksamil, etj.

Rezultati? Numri i ngjarjeve të rënda në zonat turistike ishte zero. Pati gjithashtu një ulje të ndjeshme të numrit të vjedhjeve në territoret e plazheve.

Së dyti, ne premtuam menaxhim më të mirë të trafikut dhe forcimin e sigurisë rrugore.

Premtim i realizuar përgjithësisht mirë përsa i përket mundësive dhe përgjegjësive që lidhen me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit dhe veçanërisht përsa i përket menaxhimit të trafikut rrugor në kushtet e situatës aktuale të infrastrukturës rrugore. U vendosën shërbime shtesë, në akset problematike; u forcua regjimi i kontrollit në qarkullimin rrugor etj.

Rezultati: gati 100 aksidente më pak dhe një ulje e ndjeshme e aksidenteve me pasoja.

Së treti, ne premtuam forcim të kontrollit në plazhe; sidomos në përdorimin e mjeteve ujore. Dhe këtu u pasqyrua gjerësisht rreth këtij aspekti.  Premtim i mbajtur si asnjëherë tjetër. Në bashkëpunimin me bashkitë, me operatorët privatë dhe me biznesin, u vendosën rregulla për qarkullimin e mjeteve ujore dhe njëkohësisht për zonat e larjes në det të pushuesve dhe natyrisht rregulla më të forta për përdoruesit e mjeteve.

Rezultati: për herë të parë nuk kemi asnjë lloj incidenti me mjetet ujore në vijën bregdetare të të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Së katërti, ne premtuam më shumë rregull e qetësi në zonat turistike. Kryesisht e lidhur kjo me zhurmën akustike; disiplinim të kohës për përdorimin e muzikës në lokalet në zonat turistike, etj., problematika këto shumë shqetësuese në vitet e mëparshme, siç e theksoi edhe kolegu Klosi.

I përmbushur plotësisht, në vlerësim tonë por jo vetëm në vlerësimin tonë, kryesore dhe mbi të gjitha, të qytetarëve dhe të operatorëve, edhe ky premtim. Në saje të një marrëdhënie shumë të mirë të krijuar me pushtetin vendor, dhe me biznesin, u vendosën rregulla më të qarta, dhe unë këtu në mënyrë të veçantë, dëshiroj të vlerësoj bashkëpunimin shumë të mirë përgjithësisht me të gjitha bashkitë e vendit, dhe veçanërisht rolin aktiv dhe koordinues të prefektëve të qarqeve respektive.

Një fakt kuptimplotë: Në numrin 112, gjatë këtij sezoni turistik kishim gati 90% më pak ankesa nga viti i kaluar lidhur me zhurmat në oraret e vona të natës.

Së pesti, ne premtuam menaxhim më të mirë të hyrje-daljeve në Pikat e Kalimit Kufitar.

Besoj se e realizuam më së miri këtë premtim. Këtë vit ka pasur rreth 25% më shumë hyrje se në vitin 2017 të njerëzve, dhe rreth 15% më shumë mjete në territorin shqiptar.

Futëm për herë të parë, siç e sqaroi gjerësisht dhe qartësisht Drejtoresha, “lëvizjen me procedurë të përshpejtuar”, në pikat kyç, sidomos në Morinë, në Muriqan, në Kapshticë edhe në Kakavijë.

Për herë të parë është arritur të merren vlerësime pozitive nga Tour Operatorët, nga shoqëritë turistike, lidhur me mënyrën se si është proceduar, në trajtimin e flukseve turistike në pikat tona të hyrjes në kalimit kufitar.

Natyrisht ka probleme, natyrisht ka pasur edhe mangësi. Dhe unë bie dakord me kolegun Klosi që është koha që të reflektojmë edhe mbi gabimet, edhe mbi të metat, edhe mbi dobësitë për ta bërë një sezon akoma më të mirë, sezonin e pritshëm turistik të vitit të ardhshëm. Përvoja e këtij viti është një bazament i sigurt për të ndërtuar në të ardhmen, një plan veprimi shumë më efikas, në mënyrë që shtetasit shqiptarë dhe turistët e huaj, të përfitojnë maksimalisht nga kushtet e sigurisë dhe qetësisë, që ofrojnë pikat turistike në bregdet apo kudo qoftë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Fjalën time dua ta përmbyll me një dedikim të veçantë dhe plotësisht të merituar: Faleminderit! Faleminderit! Shumë faleminderit të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të policisë të angazhuar në këtë sezon! Faleminderit Prefektëve, ekipeve të tyre! Faleminderit bashkive, kryetarëve të bashkive, ekipeve përkatëse! Si dhe njerëzve të biznesit, jo vetëm shoqatës së zotit Bregasi, por të gjithë atyre që punojnë në këtë fushë. Padyshim, falënderimi më i madh, punonjësve të policisë, që kanë punuar drejtpërsëdrejti në terren, në kushte të vështira, në një shërbim me shumë sakrifica dhe me përkushtim në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarëve. Në përmbyllje, siç e do zakoni, një falënderim dëshiroj t’i bëj edhe Irfanit, pronarit të këtij resorti të mrekullueshëm dhe menaxherëve shumë të mirë të tij, që na mundësuan organizimin e këtij eventi në këtë mjedis të bukur.

Faleminderit të gjithëve dhe natën e mirë!