» Ekstremizmi i dhunshëm/Kuko: Agjencitë modernizojnë sistemet e teknologjisë, shoqëria civile është aleat në ndërgjegjësimin e komuniteteve rreth risqeve
Postuar më: 17/10/2018

Ekstremizmi i dhunshëm/Kuko: Agjencitë modernizojnë sistemet e teknologjisë, shoqëria civile është aleat në ndërgjegjësimin e komuniteteve rreth risqeve

Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm/Kuko: Agjencitë modernizojnë sistemet e teknologjisë, shoqëria civile është aleat në ndërgjegjësimin e komuniteteve rreth risqeve

Tiranë – Fjala e Zv.ministres së Brendshme Romina Kuko gjatë prezantimit të botimit “Roli i shoqërisë civile për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm: duke u përqendruar tek Evropa Juglindore”, organizuar nga Njësia e Veprimit kundër Terrorizmit në Departamentin për Kërcënimet Trans-nacionale në Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë:

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuar anëtarë të panelit,
Të nderuar ish-kolegë, miq,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Aktiviteti i sotëm është një lajm i mirë për të gjithë ne, për Ministrinë e Brendshme, por edhe për mua personalisht. Është lajm i mirë, sepse shoh të kurorëzuar një punë të gjatë, të cilën e kemi nisur bashkërisht me kolegët e misioneve të OSBE, gjatë kohës kur unë drejtoja portofolin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Prezencën e OSBE, në Shqipëri.

Kam qenë pjesë e bisedave fillestare në hartimin e manualit për rolin e shoqërisë civile në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe sot, nga pozita e zv.ministrit të Brendshëm, me krenari shoh rezultatin e kësaj pune dhe një produkt, i cili na shërben të gjithëve ne.

Gjej këtu rastin të përgëzoj Departamentin e Kërcënimeve Trans-nacionale në Sekretariatin e OSBE në Vjenë, për krijimin e një pune sistematike dhe gjithëpërfshirëse duke drejtuar një proces gjithëpërfshirës edhe në misionet lokale. Gjithashtu e falënderoj që zgjodhi Tiranën për të zhvilluar këtë aktivitet, duke falënderuar gjithashtu prezencën e OSBE në Shqipëri për partneritetin e vazhdueshëm dhe të shkëlqyer në këtë proces.
Kur flasim për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, impulsi i parë që vjen është se kjo është një çështje e agjencive ligj zbatuese, por nga puna jonë kemi kuptuar një të vërtetë. Dhe kjo e vërtetë është se, nëse çështja mbërrin në dyert e agjencive ligj zbatuese, atëherë ne jemi shumë vonë.

Lufta e vërtetë e ndaj këtij fenomeni është parandalimi. Ekstremizmi i dhunshëm që çon në terrorizëm është fenomen global. Sfidat tona janë të përbashkëta, në rajon, por edhe më gjerë, e megjithatë efektet dhe dëmet e tij afektojnë komunitetet, të rinjtë dhe familjet.

Dhe ndonëse agjencitë ligj zbatuese duhet të jenë pjesë integrale e përpjekjeve për parandalim, roli i shoqërisë civile është thelbësor. Është fuqia e butë, e cila depërton aty ku autoriteti i shtetit nganjëherë nuk mund dhe nuk duhet të depërtojë.

Teksa agjencitë ligj zbatuese përgatisin oficerët e vijës së parë në komunitet, për t’iu përgjigjur problemeve të komunitetit, shoqëria civile është aleat, sepse mund të angazhojë komunitetet duke rritur ndërgjegjësimin rreth kërcënimeve. Teksa agjencitë ligj zbatuese janë të përfshira në procese burokratike, shoqëria civile është aleat, sepse përfshihet natyrshëm në ndërtimin e ripërtëritjes së komuniteteve, në trajtimin e hershëm të problemeve të tyre.

E ndërsa ne modernizojmë sistemet e teknologjisë duke fuqizuar Departamentin e Krimit Kompjuterik, për të hetuar dhe zbuluar abuzuesit online, llogaritë e rreme, të cilat kërcënojnë, bëjnë bullizëm, rekrutojnë, apo për të goditur rekrutuesit, apo çerdhet e rekrutuesve, si dhe monitorimin e transaksioneve të tyre të nëndheshme në botën online – shoqëria civile është aleat në ndërgjegjësimin e prindërve, edukatorët dhe komuniteteve rreth këtyre risqeve.

Puna me komunitetet, puna kërkimore, ruajtja e standardeve të të drejtave të njeriut, puna me komunitetet fetare, puna me të rinjtë do të ishte e mangët dhe nganjëherë e pamundur nëse nuk do të ishte roli instrumental i shoqërisë civile.

Si prioritet i Ministrisë së Brendshme portofoli i Policimit në Komunitet, të cilin kam nderin të drejtoj, një frymë e re e cila ri-formaton Policinë duke e kthyer nga një forcë, në një shërbim, ka si gur themeli bashkëpunimin me shoqërinë civile. Siguria kërkon gjithë përfshirje dhe gjithë përfshirja është zëri i qytetarëve, është garancia më e mirë për vendime të cilat i rezistojnë kohës, dhe gjithë përfshirja mendoj do të jetë fjala kyç e takimit të sotëm.

Ju uroj shumë suksese në diskutimet tuaja!
Faleminderit!