» Ministri Xhafaj i ftuar në emisionin “Real Story” në Vizion Plus
Postuar më: 24/09/2018

Ministri Xhafaj i ftuar në emisionin “Real Story” në Vizion Plus

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i ftuar në emisionin “Real Story”, me gazetarin Sokol Balla, në Vizion Plus:

VIDEO pj.1 

VIDEO pj. 2

VIDEO pj. 3

Sokol Balla: Me goditjen e grupit “Bajri”, një grup i cili, kreu i tij i dënuar me 9 vite jashtë, e megjithatë ai operonte pothuajse në kushtet e një lirie totale në qarkun e Shkodrës. Goditja e këtij klani është natyrisht e mirëpritur, por shumë veta mund të pyesin a mos ishte e vonuar dhe a ka një arsye pse?

Ministri Xhafaj: Besoj se kur flasim për grupe kriminale duhet të mbajmë në konsideratë se për Policinë, për Prokurorinë, për organet ligj zbatuese që merren me ndjekjen, hetimin dhe goditjen e tyre, nuk është një punë e lehtë. Është një proces jashtëzakonisht i vështirë gjurmimesh, ndjekjesh, krimit, provave dhe dokumentimit të provave.

Në rastin konkret për të cilin flasim, grupi i “Bajrave” që quhet ndryshe ose tek ne ka një kod tjetër, ka së paku prej 6 muajsh, që është nën një proces intensiv ndjekjeje, gjurmimi dhe hetimi të pandërprerë nga Task-Forca e Policisë së Shtetit, sepse është një nga ato grupe kriminale që janë të listuara dhe që janë pjesë e operacionit “Forca e Ligjit”. Është një nga grupet kriminale që ndiqet drejtpërsëdrejti për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore nga Task Forca Qendrore në Policinë e Shtetit.

Operacioni “Forca e Ligjit” i filluar në nëntor të vitit të kaluar, është siç mund të jeni në dijeni ju edhe publiku, e ka mbështetur të gjithë aktivitetin e vet në strukturë të posaçme të krijuar posaçërisht për këtë operacion të quajtur Task Forca Speciale, e cila është në dy nivele, në nivel qendror dhe në nivel rajonal dhe çështjet më të rëndësishme mbahen pikërisht nga Task Forca Qendrore.    Është një çështje që është marrë nga Policia Kriminale e Shkodrës, është tërhequr në muajin shkurt të këtij viti dhe që nga ajo periudhë ka filluar një hetim intensiv nga Task Forca. Janë dashur orë të tëra, ditë të tëra gjurmimesh në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe mbledhjen provë pas prove për të arritur deri në goditjen finale.

Është një ndër grupet që operojnë në zonën e Shkodrës, padyshim një nga grupet më të rrezikshme në veri të vendit, por do të thosha një ndër gjashtë-shtatë grupet më të rrezikshme që kemi ne në shkallë vendi. Ka disa arsye që e tipizojnë si të tillë.

Sokol Balla: Janë nga ato grupimet e famshme që përmendi ambasadori amerikan një vit më parë?

Ministri Xhafaj: Nuk po e lidh me të, sepse nuk e di çfarë ka pasur konkretisht, por besoj që po. Nga shkëmbimi i informacioneve që kemi pasur në atë periudhë besoj që është nga ato grupe, i cili ka disa karakteristika të veçanta. Së pari është një grup i mire-strukturuar kriminal që ka për bazë lidhje të forta familjare dhe krahinore, së dyti është një grup që ka shtrirje të aktivitetit kriminal në vite. Aktet e para kriminale janë në vitet ‘96, ‘97 dhe pastaj pothuajse vit pas viti anëtarët e këtij grupi kriminal kanë ushtruar aktivitet të rregullt kriminal dhe dyshohen për ngjarje të caktuara kriminale në qytetin e Shkodrës dhe jo vetëm në këtë qytet.

Një karakteristikë tjetër e rëndësishme është lidhja me grupet e tjera kriminale.

Sokol Balla: Këtë desha të pyesja, ka pasur bashkëpunim me këto grupe kriminale?

Ministri Xhafaj: Një nga tiparet e tjera të këtij grupi kriminal është lidhja dhe ndërveprimi, po e ritheksoj këtë, me disa grupe të tjera kriminale që janë grupe të rëndësishme që janë gjithashtu pjesë e Task Forcës Qendrore në Tiranë, në Elbasan dhe në ndonjë qytet tjetër të vendit.

Gjithashtu një karakteristikë tjetër është shtrirja e aktivitetit të një pjese të rëndësishme të grupit, të asaj që quhet kupola drejtuese e grupit jashtë vendit, kryesisht në territorin e Holandës dhe Belgjikës.

Janë të dyshuar me akuza të ndryshme, për përdhunime dhe për vënie eksplozivi. Gjithashtu nuk duhet nënvlerësuar dhe fakti që është një grup që ka pasur lidhje ose influenca shtetërore, në kohë të ndryshme në nivel lokal dhe në nivel qendror, duke fituar përfitime dhe mbështetje në heshtura apo në forma aktive. Të gjitha këto e përcaktojnë atë, jo thjesht dhe vetëm thjesht nga pikëpamja strukturore, nga pikëpamja e tipologjisë penale, si një grup të mirëfilltë të strukturuar kriminal, por dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Për të ardhur deri këtu, padyshim deri në goditjen finale të tij, është dashur jashtëzakonisht punë nga oficerët e Policisë së Shtetit.

Ne kemi pas një grup të dedikuar për hetimin e këtij grupi kriminal që siç thashë e gjithë kjo veprimtari e zhvilluar në territorin e Republikës së Shqipërisë, pjesa tjetër pastaj, legjendat që thuhen janë…

Sokol Balla: Ideja është, kjo që thoni ju është shumë e rëndë nëse ky është një person që ka operuar ose ky grup le të themi mos të themi një person, ka operuar me mbështetje të fuqishme shtetërore?…

Ministri Xhafaj: Jo, nuk thashë me mbështetje të fuqishme shtetërore, por thashë kanë qenë influentë në lidhje, sepse ka përfituar. Fakti që ka përfituar…

Sokol Balla: Pra nga pushteti lokal, policia lokale etj…

Ministri Xhafaj: Patjetër patjetër. Ne kemi marrë masa dhe gjatë muajve të kaluar për t’ia hequr influencën në radhët e Policisë, atje ku kemi pasur dyshime, mbetet të provohet tani nga hetimi në vijim se të ç’natyre dhe sesa këto lidhje kanë influencuar apo kanë mbështetur fuqizimin e aktivitetit e këtij grupi kriminal, që siç thashë nuk daton as në 2016, as në 2017, jo e jo në 2018, por veprimtarinë e parë kriminale e ka me vrasjen e një polici në mos gaboj në vitin 1996 a 1997. Dhe i ka shpëtuar drejtësisë në mënyrë të përsëritur. Dhe për ironi të fatit, disa nga ata, madje shefa Komisariati apo Drejtorë policie që rrinin poshtë dritares sime gjatë verës, kanë qenë shefa komisariati dhe drejtorë policie në atë periudhë në qytetin e Shkodrës.

Por kjo është një histori që s’ka fare rëndësi në gjithë këtë diskutim që bëjmë. Ajo që është shumë e rëndësishme këtu është fakti që duke dokumentuar këtë veprimtari, oficerët e policisë, oficerët që punojnë tek Taks Forca, kanë arritur në mënyrë indirekte ta ndërlidhin këtë edhe me një sërë grupesh të tjera kriminale. Besojmë që shumë shpejt në një kohë më të përshtatshme të mundshme, kur tërësia e provave të dokumentohen në mënyrë që ne të jemi të aftë të jemi në gjendje për ta mbrojtur këtë përpara Prokurorisë, prokurorëve të çështjes, për të kërkuar mbështetjen e tyre dhe më pas pastaj përballë Gjykatës. Besoj që do të marrin dhe ata ndëshkimin e merituar.

Sokol Balla: Pra ka pasur lidhje edhe me grupe kriminale në Tiranë dhe me ngjarje në nivel kombëtar, le të themi, jo thjesht nivel lokal!?

Ministri Xhafaj: Ngjarjet në vetvete, kanë impakt, patjetër…

Sokol Balla: Me impakt nacional flasim?

Ministri Xhafaj: Sigurisht, sigurisht. Natyrisht është momenti që të bëj një falenderim publik për të gjithë ata oficerë të Policisë së Shtetit, për prokurorët që i kanë mbështetur ose më saktë për ata prokurorë që mundën të tregojnë forcë dhe kurajo për të firmosur dhe për ta mbështetur këtë hetim sepse realisht kanë bërë një punë të shkëlqyer. Por jo vetëm njerëzit e hetimit, po them edhe shumë oficerë policie që janë sot në Shkodër, njerëzit e Operacionales dhe Forcat Speciale gjithashtu që nga Drejtoria e Përgjithshme deri tek Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, të cilët janë duke bërë realisht një punë me shumë sakrificë, me shumë përkushtim. Sepse, nga njëra anë, janë në përballje me grupe të tilla kriminale dhe, nga ana tjetër, me një sulm të paprecedent, të pamoralshëm edhe të pandershëm të opozitës dhe një pjesë njerëzish të tjerë apo përfshirë edhe ndonjë portal i shitur apo i blerë, po nga këto grupe kriminale që ushtrojnë një trysni të përditshme mbi Policinë e shtetit në tërësi dhe mbi operacionin “Forca e Ligjit”.

Sokol Balla: Nëse mbaj mend, na keni thënë dikur në intervistë, po ju e rikonfirmoni?

Ministri Xhafaj: Jo vetëm këta por edhe të tjerë, por mbetet ta provojmë. U kam kërkuar oficerëve të Policisë së Shtetit që të gjithë ato çfarë janë dhe ata thonë, duhet të punojnë dhe t’i kërkojnë Prokurorisë që këto t’i kthejnë në prova konkrete, për t’i përballur jo thjesht e vetëm me opinionin publik, por edhe me përgjegjësi penale po të jetë e nevojshme. Është absurde që ndërkohë që Forcat Speciale hyjnë në banesën e dikujt, dhe mesazhi i parë i shkon njerëzve me influencë publike apo mediatike.

Eduart Zaloshnja: Para një viti është publikuar një studim për 20 familje mafioze në Shqipëri, e financuar nga dollarët e USAID-t. Ai studim shërbeu si bazë edhe për deklaratat që bëri Ambasadori Amerikan këtu dhe në qoftë se lexon në atë studim…

Ministri Xhafaj: Më fal, nëse mund të bëj një saktësim, ai studim është mbi bazë të gjithë asaj që kemi përcaktuar ne. Këtu janë të gjithë grupet kriminale, të cilat kanë qenë, janë të njohura ose janë bërë prezent. E kam thënë disa herë publikisht, për të gjitha grupet kriminale në varësi të rrezikshmërisë së shkallës shoqërore që kanë, tipologjinë e tyre, kemi bërë një profil të çdo grupi kriminal.

Edhe për rastin konkret, kam unë këtu një profil të shkurtuar të këtij grupi kriminal. Për çdo grup kriminal është gati rreth 100 faqe. Unë si Ministër mbaj një përmbledhje, as emrin nuk e kam, por kanë një kod, psh ky që kam këtu ‘2018042’, kodi i tij, sepse Ministri nuk është drejtues i operacionales, është drejtues institucional.

Eduart Zaloshnja: Megjithatë unë po i referohem atij studimi…

Ministri Xhafaj: Është e drejta juaj, ne nuk e kemi mbështetjen te studimi, por te analiza dhe profilet kriminale që kemi krijuar ne.

Eduart Zaloshnja: Ky është një studim i publikuar që mund ta lexosh, po të futesh në internet mund ta lexosh dhe gjëja që më ka bërë përshtypje te ai studim, ishte që në Shkodër psh. thuhej që familja nr.1, nr.2, kjo familja nr. 1 në Dobraç, ku është zona, është pikërisht ky grup që po flasim, dhe me radhë përmendeshin në Elbasan, Fier. Gjëja që më ka bërë përshtypje te ai studim është se këto grupe janë rivale dhe kanë njëfarë anësie politike, nuk lidhen me emra konkret. E para, ky grup ka qenë më i afërt, të paktën në ato kontaktet lokale që ka pas atje, më i afërt me PS?

Alfred Lela: Por ka edhe akuza konkrete përmes Kryeministrit, për Ministra aktualë të Qeverisë, që janë përfaqësues…

Eduart Zaloshnja: Po ai grupi tjetër i Kirit? Ka më shumë afërsi me PD-në? Ajo që dua të them është se shihet mundësia, t’u bihet grupeve, qoftë atyre që kanë qenë më afër me PS…

Sokol Balla: Kemi edhe një reagim nga gazetari Artan Hoxha që thotë se ‘Bajrat’ kanë patur edhe konkurrentët e tyre dhe goditja ndaj krimit duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

Alfred Lela: Zoti Ministër, goditja e kësaj bande është sigurisht, ka suksesin e vet dhe përpjekja e secilit anë apo individ për ta futur me domosdo në këtë përkufizim politik, e dëmton vetë punën e policies, banda e atij…

Ministri Xhafaj: Nuk mendoj se policia e ka bërë këtë gjë, as nga mua si Ministër.

Alfred Lela: Ajo që dëgjova me vëmendje, ajo që m’u duk interesante, ju jeni i vetmi në Qeveri që e pranoni një bashkëpunim, një infiltrim, një përzierje të krimit me Policinë, pra këtë ‘infeksion’ që askush tjetër nuk është…

Ministri Xhafaj: Nuk është ashtu. Edhe kryeministri në disa raste e ka theksuar këtë gjë.

Alfred Lela: Në terma të përgjithshëm po, por është gjë tjetër ajo që ju keni thënë në një intervistë me Ballën, në fillimet e marrjes së detyrës së Ministrit të Brendshëm, në emisionin ‘Top Story’ të Sokol Ballës, se çfarë i ka bërë kanabisi kësaj që ne njohim si rend, si siguri, si ‘shëndet publik’.

Ministri Xhafaj: Ndjesë, por kanabisin nuk e kanë bërë vetëm në 2016. E kanë bërë vazhdimisht edhe në 2005, 2006 dhe 2007, janë të njohur për këtë gjë.

Alfred Lela: Por ju në vazhdën e të qenurit më i hapur, më transparent edhe më shtetar, do ta pranonit se kurrë s’ka pasur kanabis si në 5 vitet e fundit. Dalja nga Lazarati ishte një lloj preteksti për të “lazaratizuar” Shqipërinë. Duhet të pranoni edhe një gjë tjetër zoti Ministër, që ju po ju them që jeni më i pak i infektuar, por keni hyrë ama në ‘në një shtëpi ku ka rënë kolera’ dhe kolera është lejimi me stampë shtetërore i kanabizimit, ‘lazaratizimit’ të Shqipërisë, dhe kjo bandë që edhe njëherë urime, suksese dhe gjithë të mirat, është vetëm një prej asaj pune që ju duhet të bëni. Pra dua të them që nuk duhet të flemë mbi dafina. Për t’ju cituar edhe ju, se keni thënë në Elbasan se janë 40 banda…

Ministri Xhafaj: Nuk kam thënë 40 banda në atë kuptim, kam thënë 40 grupe kriminale të niveleve të ndryshme, të rrezikshmërie shoqërore dhe strukturash. E kam bërë diferencën.

Alfred Lela: Nëse shkojmë në këtë logjikë jemi minus 1 dhe +39 grupe.

Ministri Xhafaj: Janë 9 të tjera të goditura.

Alfred Lela: Keni shumë punë për të bërë. Është e rëndësishme, mendoj unë se ndoshta mund ta kem edhe gabim, që ju të vazhdoni ta pranoni realitetin, mos bëni si pjesa tjetër e qeverisë që ka atë ‘parimin e strucit’, që ka kokën në rërë dhe nuk sheh gjë. Pra ‘Bajrajt’ janë punë e mire, por janë vetëm fillimi. Këtë ju e dini më mirë se unë, megjithëse ndoshta se thoni sepse e tillë është gjendja. Se ju e dini shumë mirë që ‘Bajrajt’ janë vetëm një nga 40 dhe nuk është zgjidhur me ‘Bajrajt’ ajo që ne quajmë si ‘rend i agravuar’, siguri e paqenë apo pjesërisht e qenë.

Ministri Xhafaj: Së pari, më thatë çështjen e kanabisit që konsiderohet si kolerë. Më fal, a mund t’i gjeni një emërtim tjetër faktit që 900 ton kanabis mbilleshin dhe dilnin çdo vit nga Lazarati me mbrojtje shtetërore nga vitit 2006-2013? 900 ton, jo të thëna prej meje, por në raportet ndërkombëtare. 900 ton në një fshat.

Alfred Lela: Unë e pranoj atë, por ju a e pranoni edhe këtë?

Ministri Xhafaj: Unë e kam pranuar këtë për 2016, problemi që kam unë është se ju duhet të pranoni se ato 900 ton për çdo vit.

Alfred Lela: Unë e pranoj atë 900 ton, por ju a e pranoni shumëzimi me 100?

Ministri Xhafaj: Po, shumëzojeni. Marrim dhe bëjmë analizat. E mos e bëni me analizat e mia si Ministër, por bëjeni me analizat e Guardia di Finanza që ka monitoruar që nga viti 2007-2008, në mos gaboj, deri 2018. Nga viti 2008 që u godit helikopteri në Lazarat dhe nuk u lejua të fluturonte, ndërkohë që mbillej kanabis me bekim dhe me mbrojtje nga shteti dhe ku është fillesa dhe zanafilla e fuqizimit financiar të shumë grupeve kriminale, që nga ai kanabis e filluan dhe shkuan më pas në Evropë dhe merren me heroinë dhe kokainë. Këtë e kam për hir të së vërtetës, jo për debat me ju.

Alfred Lela: Unë e pranoj këtë në Lazarat, por ju duhet të pranoni hartën që u bë ‘Lazarat’ më pas.

Ministri Xhafaj: Siç e pranoni ju goditjen që ju dha Lazaratit dhe asaj që ndodhi në 2016…

Alfred Lela: Më mirë të mos kishte ndodhur Lazarati, sepse u përhap në gjithë Shqipërinë.

Ministri Xhafaj: Unë ju mora vetëm Lazaratin, por po doni ju marr edhe Dukagjinin ku kanë qenë grupi i ‘Bajrajve’, edhe krahina të tjera po në atë kohë, zanafilla dhe aty ka filluar e keqja e madhe, se mbi atë të keqe filloi fuqizimi financiar i grupeve kriminale në Shqipëri. Për mua nuk ka rëndësi nëse është i majtë apo është i djathtë. Për mua është kriminel. Është aktivitet kriminal. Ky është bërë në 2010. Disa nga këto vrasje që i kemi në proces zbulimi, se janë bërë në 2018, janë vrasje për mua. Kriminal ka qenë në 2010, kriminel është edhe në 2018.

Alfred Lela: Z. Xhafaj që ishte një konçesion Lazarati, jua pranoj. Ishte një koncesion, ishte një koncesion i Qeverisë së djathtë. Po qeveria e juaj e bëri PPP kanabisin në të gjithë Shqipërinë. Ishte një lëshim?

Ministri Xhafaj: E pranoj nëse ju e pranoni këtë gjë. Unë ju përgëzoj juve. Jeni i dyti pas Sali Berishës që e pranoni publikisht, në kuptimin si konçesion.

Alfred Lela: Ishte një lëshim i Qeverisë së djathtë. A e pranoni ju që këtë lëshim Qeveria e majtë e bëri gjithandej?

Ministri Xhafaj: Është e vërtetë që fenomeni pati përmasa të rënda në 2016. Është e vërtetë që ajo krijoi jo vetëm thjesht, zgjerim të fenomenit, por edhe implikim të Policisë, por ama është po kaq e vërtetë sa që Policia nuk guxonte të hynte në Lazarat. Dhe ky ishte implikim shtetëror. Ishte krim shtetëror.

Sokol Balla: Kur ju thoni që nga Lazarati u krijuan fondet për financimin e veprimtarive kriminale…

Ministri Xhafaj: Nga ajo periudhë e kanabisit është e provuar. Unë mora Lazaratin, por nuk do të thotë që nuk kishte Lazarat të tjerë në territor. Nuk më thotë dot njeri që nuk mbillej në malësinë e Krujës në atë periudhë, nuk mbillej në Malësinë e Dukagjinit në atë periudhë, nuk mbillej në Lumin e Vlorës në atë periudhë. Sasia që asgjësohej ishte një sasi minimale, ndërsa sasia e asgjësuar në to është e pakrahasueshme. Jam dakord që 2016 ishte një vit i errët në këtë aspekt.

Sokol Balla: Këto para a mund të jenë pikërisht ajo baza e klimës aktive kriminale që edhe ata që nuk janë me opozitën, në fakt e ndjejnë z. Ministër, pra është nuk po them një gjendje ankthi kolektiv, por ngjarjet e raportuara, të paraportuara, akuzat. Ju vetë thoni edhe ky klani në fjalë kishte influencë në polici. Të paktën u tentua në fillim të shtatorit. Nuk e dimë nëse dështoi aksioni për të kapur këta. Njerëzit duan të kuptojnë atë që thotë opozita dhe atë që thoni ju.

Ministri Xhafaj: E kam dëgjuar këtë të fillim shtatorit edhe e kam parë disa portale në atë periudhë që thanë ‘show i Policisë në Shkodër’, si hynë dolën etj. Pavarësisht që në fund të atij operacioni ishin 5 të arrestuar, ku të pestë ishin përfshirë në këtë grup kriminal dhe të pestë ndenjën brenda tani. Janë pjesë e gjithë këtij organizimi kriminal.

Alfred Lela: Po pse u vonuat aq shumë z. Xhafaj? Ishte opozita, shkuat ju. Ndodhën arrestimet…

Ministri Xhafaj: Më vjen keq. Tani nëse kjo çështje ka filluar me opozitën, nëse ju doni ta paraqisni Lulzimin si hetues është gabim. E bastardoni dhe atë vetë, pavarësisht se ai ka qejf të bëjë rolin e policit, por ka qenë Ministër i Brendshëm.

Alfred Lela: Pse u vonuat kaq shumë në kurriz të disa vrasjeve më vonë?

Ministri Xhafaj: Natyrisht policia nuk gdhihet në mëngjes dhe vendos që do ndërhyjë në banesë. Që të hyjë policia në banesë duhet të ketë, ose një ngjarje të çastit, ose duhet të ketë një provë që është e bindur.

Alfred Lela: Policia është edhe parandaluese!

Ministri Xhafaj: Ka rregulla shoqëria. Policia nuk mund të vijë sot në shtëpinë time apo në shtëpinë tuaj, thjesht e vetëm se dyshon polici. Apo jo?! Dhe shyqyr Zotit se kemi më atë Polici. Atëherë që të shkonte Policia këtu, do të duhej të kuptohej pse do të vejë. Nëse hyn, cilat janë provat që ka, ose që mund të sigurojë. Do të duhet që të japë argumente bindëse te prokurori, i cili duhet të lejojë kontrollin e banesës.

Dhe është një proces i tërë. Ndërkohë ne, siç ju thashë me prova konkrete kemi qenë që nga shkurti i këtij viti në hetim për këtë grup. Është dashur orë të tëra përgjimesh, vëzhgimesh, ndalimesh deri në kontrolle banesash. Ajo ka qenë një gjë taktike e llogaritur nga ne, padyshim. Ishte një gjë taktike në funksion për të siguruar provat dhe në funksion të një lëvizje taktike për vendosur disa gjëra në shpejtësinë e duhur, në mënyrë që ne mund të siguronim prova të tjera (E PLOTË)