» Mbledhja e Task Forcës për sezonin turistik
Postuar më: 02/08/2018

Mbledhja e Task Forcës për sezonin turistik

Fjala e Drejtorit te Departamentit per Sigurine Gjovalin Loka ne mbledhjen e Task Forces per sezonin turistik 2018:

I nderuar z.Ministër,

të nderuar kolegë të Task Forcës,

Policia e Shtetit në zbatim të Urdhërit të Kryeministrit ka hartuar planin e masave, dhe në bazë të tij, plan shpërndarjen e forcave dhe mjeteve që merren me menaxhimin e sezonit turistik veror 2018.

Risi e ketij viti është që përveç 4 stacioneve provizore të policisë që kishim vjet, këtë vit kemi ngritur edhe stacionin e Tales.

Kemi shtuar numrin e sporteleve në vendkalimet kufitare, kemi rritur masat e sigurisë në akset rrugore, nga vendkalimet kufitare në vendet e destinacionit, njëkohësisht kemi shtuar edhe praninë e policisë në zona turistike dhe plazhe.

Policia e Shtetit nga data 1 gusht ka kaluar në shërbim të përforcuar, që do të thotë prezencë më e madhe e policisë në të gjithë akset rrugore, dhe në të gjithë ambientet që frekuentohen nga pushues vendas e të huaj.

Ajo që vlen të theksohet deri tani, është që nuk kemi pasur ngjarje të rënda kriminale që lidhen me sezonin turistik veror.

Kjo është falë masave që ka marrë Policia e Shtetit, e cila ka detajuar detyrat për secilin sektor dhe strukturave në varësi të saj.

Krahas forcave vendore, që kanë drejtoritë të cilat kanë plazhe në zona turistike, në dizpozicion të tyre kemi vendosur Forcat e Posaçme Operacionale në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat janë një ndihmë që u jepet strukturave vendore.

Përveç saj, nga Drejtoritë Vendore, në thellësi të territorit ku kryesisht popullsia e tyre spostohet për plazhe, kemi marrë efektiva dhe i kemi vendosur në dispozicion të këtyre strukturave.

Do vazhdojmë të jemi të vendosur ashtu siç e tha Ministri, të jemi korrekt dhe ligjor, të mostolerojme askënd në shkeljen e ligjshmërisë, dhe për këtë japim garanci të plotë që do vazhdojmë ashtu siç deri më sot, që të mos kemi asnjë lloj problemi dhe asnjë lloj ankese nga qytetarët, në adresë të Policisë.

Mirëpresim çdo lloj vërejtje dhe çdo lloj sugjerimi çdo lloj informacioni nga qytetarët vendas dhe të huaj, të cilët konstatojnë qëndrim jokorrekt dhe ligjor të punonjësve të policisë.

Secili nga ne e ka të qartë detyrën dhe është i vendosur për ta zbatuar atë deri në fund. Ne nga ana jonë, do ti shkojmë deri në fund rasteve sporadike që mund të kemi, shpresojmë që jo, ashtu siç deri më sot, për gjithë ata punonjës që do të shkelin ligjin.

Faleminderit!