» Tiranë/Takim sensibilizues për parandalimin e kultivimit të kanabisit 2018
Postuar më: 15/03/2018

Tiranë/Takim sensibilizues për parandalimin e kultivimit të kanabisit 2018

Prefektura e Tiranës nën kujdesin e Prefektit të Qarkut, organizoi një takim sensibilizues për komunitetin në kuadër të parandalimit e kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2018.

Në këtë takim morën pjesë Zv/Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme, znj. Aida Hajnaj, Drejtori i Drejtorisë Vendore Policisë Tiranë Kastriot Skënderaj, përfaqësues të pushtetit vendor, të agjencive ligjzbatuese, përfaqësues nga Drejtoria Arsimore, Shefat e Komisariateve të Policisë, shefat e sektorëve dhe specialistët e Policimit në Komunitet pranë këtyre komisariateve.

Në fjalën e saj në këtë takim, Prefekti i Qarkut Tiranë, znj. Suzana Jahollari ka kërkuar bashkëpunim, koordinim dhe raportime të punës javore nga të gjithë strukturat dhe agjencitë ligjzbatuese, për të arritur qëllimin për kontrollin dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Gjithashtu u kërkua të krijohet harta e sipërfaqes totale të zonave të mundshme për kultivimin e bimëve narkotike.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, theksoi angazhimin maksimal për të parandaluar mbjelljen, kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, duke arritur objektivin e Qeverisë Shqiptare në minimizimin dhe zhdukjen e këtij fenomeni, si kusht për integrimin e vendit në BE.

“Ne si polici kemi hartuar disa objektiva për të parandaluar këtë fenomen, ku qëllimi kryesor ka të bëjë me angazhimin për kontrollin e plotë të territorit, për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike të kultivuara, duke rritur kapacitetet e strukturave të Policisë në luftën kundër këtij fenomeni, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që merren me këtë lloj aktiviteti kriminal”.

Zv/drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Aida Hajnaj, ka theksuar se s’duhet të mbetemi vetëm në kuadrin e parandalimit dhe kultivimit të bimëve narkotike, por të thellojmë luftën për goditjen e grupeve kriminale.

“Kontrollet duhet të vazhdojnë jo vetëm në zonat që janë kontrolluar një herë, por edhe në ambientet e mbyllura. Duhet të rritet bashkëpunimi midis agjencive të tjera që kanë detyrime për këtë fenomen. Të forcohet pjesa e goditjes së grupeve kriminale, nuk do të ketë tolerim për askënd”.