"Angazhim për ta hequr vendin nga harta e zezë e kultivimit dhe trafikut të drogës" - Ministria e Brendshme
Postuar më: 31/05/2014

“Angazhim për ta hequr vendin nga harta e zezë e kultivimit dhe trafikut të drogës”

Deklarata e zv/ministres së Punëve të Brenshme Elona Gjebrea:

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit po vijojnë me intensitet dhe vendosmëri zbatimin e Planit Strategjik të Veprimit kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikut të drogës, duke shënuar rezultate të rëndësishme në këtë drejtim.

Bashkëpunimi i ngushtë me policitë e vendeve fqinje çdo ditë e më shumë po konfirmohet si mjaft i suksesshëm duke dhënë rezultate të rëndësishme. Edhe dy ditët e fundit ka pasur goditje të suskesshme të realizuara në bashkëpunim me policitë e Italisë dhe Greqisë.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka nisur të kontrollojë të gjitha zonat për të cilat ka informacione se janë kultivuar bimë narkotike në të gjithë vendin. Ditët e fundit një operacion të gjerë antidrogë është zhvilluar në zonën e Kurveleshit, duke shkatërruar mbi 3500 fidanë bime narkotike.

Ministria e Punëve të Brendshme rikonfirmon edhe një herë angazhimin e saj të plotë në këtë aksion me rëndësi kombëtare, për ta hequr një herë e mirë Shqipërinë nga harta e zezë e kultivimit dhe trafikut të drogës. Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe monitorimi nga ajri i gjithë territorit të vendit, që do të nisë shumë shpejt, për të identifikuar çdo sipërfaqe sado të vogël ku është mbjellë drogë.

Ky vit nuk do të këte asgjë të përbashkët me vitin e kaluar, ku u lejua në mënyrë të papërgjegjshme të mbillej drogë në sipërfaqe të mëdha, duke krijuar një situatë të vështirë në përballimin e trafikut të drogës. Këtë vit Ministria e Punëve të Brendshme nuk do të lejojë asnjë metër territor të jetë jashtë kontrollit dhe vëmendjes së Policisë së Shtetit.