Ministri Tahiri pret Drejtorin për Zgjerim në BE (VIDEO) - Ministria e Brendshme
Postuar më: 23/05/2014

Ministri Tahiri pret Drejtorin për Zgjerim në BE (VIDEO)

VIDEO – Konferenca për media e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri me Drejtorin për Zgjerim në BE, Christian Danielsson

Ministri Saimir Tahiri: – Pata kënaqësinë të takohem me z.Danielsson, Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në BE dhe të ndaj me të angazhimet e qeverisë, gjatë këtyre kohëve lidhur me reformat e ndërmarra në kuadër të garantimit për qytetarët shqiptarë dhe për partnerët ndërkombëtarë të standardeve të sigurisë në vend.

Pa dyshim i bëra me dije angazhimin e qeverisë në kuadër të ndërtimit dhe garantimit të vlerave të bashkimit europian dhe e sigurova se qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë thellësisht të angazhuar për të luftuar pa asnjë dyshim krimin e organizuar dhe korrupsionin, veçanërisht korrupsionin e niveleve të larta, trafiqeve të paligjshme dhe trafikun e qenieve njerëzore.

E garantova Drejtorin e Zgjerimit, për angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe vullnetin tonë për të mos u ndalur për asnjë çast përballë cilësdo vështirësi në luftën pa asnjë kompromis në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

E informova për rezultatet e Policisë së Shtetit që nga momenti që kemi marrë detyrën, rezultate të cilat në vlerësimin të japin të gjithë motivin për të shpresuar se vendi është duke shkuar në drejtimin e duhur dhe se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme, trafikut të qenieve njerëzore është në rrugën e duhur dhe jemi duke bërë maksimumin për të garantuar standardin e sigurisë që kërkojnë qytetarët shqiptarë.

Siç e informova për kantierin e reformës në fushën e sigurisë me të gjitha ligjet e kuadrit në fushën e sigurisë të cilat tashmë kanë përfunduar, një pjesë e tyre janë miratuar në qeveri dhe janë në procedura parlamentare për miratim, një pjesë tjetër është në fazën finale të diskutimit me partnerët ndërkombëtarë dhe natyrisht në ligjin bazë, që është ligji për Policinë e Shtetit, i cili së bashku me partnerët, ka përfunduar fazën e hartimit, është në fazën finale të diskutimit, dhe garanton, në vlerësimin tonë një standard shumë më të lartë të punës së Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe gjithashtu për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë një standard sigurie deri dje vërtet të paimagjinueshëm.

E informova gjithashtu dhe për përpjekjen tonë për të ndërtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, e cila tashmë është pjesë e ligjit të ri për Policinë e Shtetit, ka përfunduar faza e arkitekturës së Byrosë Kombëtare të Hetimit, përfshirë këtu strukturën, burimet njerëzore, kapacitetet, kompetencat dhe natyrën ose thelbin e hetimeve që do të zhvillojë Byroja Kombëtare e Hetimit duke e siguruar se standardi i hetimeve dhe i ndëshkueshmërisë për veprat penale që do të mbulojë BKH do të jetë shumë herë më i lartë, kjo falë edhe bashkëpunimit që do të ketë BKH me partnerët tanë.

Një gjë është e sigurt, që rezultatet e Policisë së Shtetit deri tani janë produkt i përbashkët i policisë shqiptare dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Dhe këto janë rezultate të cilat ne i konsiderojmë një bazë mjaft të mirë për të ndërtuar një histori suksesi në të ardhmen në vend. Janë rezultate të cilat nuk do të kishin ardhur të tilla pa ndihmën dhe bashkëpunimin konkret me partnerët tandë ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese në vend.

E sigurova z.Drejtor për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të luftuar trafikun e drogës dhe trafikun e qenieve njërëzore, siç e garantova që qeveria shqiptare nuk do të lejojë më të përsëritet situata që gjetëm kur morëm detyrën vitin e kaluar me mbjellje masive të lëndëve narkotike, por do të marrim masa siç kemi filluar të marrim masa nëpërmjet planit strategjik të veprimit të miratuar të Policisë së Shtetit, i cili është hartuar bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të parandaluar kultivimin e lëndëve narkotike dhe për të luftuar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike.

Unë jam vërtet shpresë-plotë që bashkëpunimi i Policisë Shqiptare, Ministrisë së Punëve të Brendshme, i qeverisë me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere, siç ka dhënë rezultate deri më sot, do të japë rezultate ende më të mira, në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht korrupsionit elitar, dhe pa asnjë dyshim në luftën kundër paligjshmërisë në tërësi.

Ne jemi të vendosur që këtë luftë ta çojmë përpara dhe rezultatet, siç kanë ardhë deri tani, do të jenë shumë më të mira në vijim.

Z. Christian Danielsson: – Faleminderit z. Ministër!

Faleminderit po kështu për këtë takim që sapo patëm! Ministri Tahiri më ka dhënë informacion tejet të dobishëm për reformat që po kryhen në Shqipëri dhe për KE-në kjo është e rëndësishme dhe natyrisht do të vijë koha për raportin e tetorit ku ne do të bëjmë vlerësimin e Shqipërisë dhe për masat që do ndërmarrë Shqipëria përsa i përket proçesit të aderimit të saj në BE.

Ky takim ka qenë i rëndësishëm edhe për raportin që ne do të dorëzojmë javën që vjen. Dhe natyrisht kjo ka të bëjë me vazhdimësinë për qëndrueshmërinë e punës dhe luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe natyrisht edhe për reformën në drejtësi. Dhe kjo i përket dhe fazës së diskutimeve që do të bëhen ndërmjet shteteve anëtare në muajin qershor.

Përsa i përket statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, besojmë që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kërkesa thelbësore për progresin e Shqipërisë në integrimin e saj në BE, dhe janë pikërisht krimi i organizuar dhe korrupsioni ata elementë  të cilët minojnë aftësinë e individëve dhe komuniteteve, bizneseve për të gëzuar ato të drejta që janë të thëna fare mirë si shtyllat kryesore te demokracisë.

Dhjetorin e kaluar shtetet anëtare të BE-së bënë një gjë të qartë që e ardhmja eropiane do të varet nga aftësia e Shqipërisë për të siguruar që ka një shtet të së drejtës që është i fortë dhe rezultatet të jenë të forta, solide por edhe të qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Dhe ky do jetë edhe fokusi që do të dalë në raportin e KE-së javën që vjen. Përsa i përket këtyre fushave BE-ja ka dhënë një asistencë financiare të konsiderueshme në mënyrë që të ndihmohet Shqipëria që t’i sjellë kapacitetet e saj sa më afër BE-së.

Pra asistenca jonë synon të përmirësojë funksionimin e Policisë së Shtetit, por edhe zyrës së Prokurorisë, të cilët janë natyrisht kontribues shumë të rëndësishëm në luftën e madhe që bëhet dhe duhet të bëhet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit , dhe mezi po pres së bashku me ministrin Tahiri mbas këtyre fjalëve ne të kemi mundësinë që të bëjmë një vizitë tek PAMECA.

Dhe së fundmi më lejoni që të theksoj që BE-ja vazhdon të mbetet me ju, si mbështetësi juaj dhe i aspiratave të Shqipërisë për të vazhduar në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

Dhe që të sigurohet shteti i së drejtës sundimi i ligjit duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe këto janë aspektet kyçe në këtë fushë. Natyrisht këto nuk duhen të shihen si elementët të rëndësishën vetëm se pse Shqipëria vazhdon rrugëtimin drejt BE. Por mbi të gjitha këto elementë janë tejet të rëndësishëm për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe për çdo qytetar shqiptar apo çdo aktor tjetër të shoqërisë shqiptare.

Do të thotë përmirësimi i standarteve të jetesës dhe natyrisht mirëqenie për të gjithë. Dhe ne kemi kuptuar që këtë presin qytetarët shqiptarë nga udhëheqësit e tyre politik, prandaj suksesi për këto punë, për këto përpjekje do të varet shumë nga dëshira për të lënë çdo gjë tjetër mënjanë.

Le të lemë pra çdo konsideratë tjetër politike mënjanë për të siguruar që pikërisht e ardhmja europiane e Shqipërisë është objektiv kombëtar.

Gazetari Julian Kasapi, TV ABC: A keni një koment në lidhje me protestën e opozitës?

Ministri Tahiri: Nuk kam ndonjë koment shumë të madh për protestën e opozitës. Eshtë një e drejtë legjitime dhe demokracia fundja kjo është, e drejta e secilit për të zgjedhur kauzën që do, për të thirrur publikun në protestë. Nga ana tjetër, siç e shihni, unë jam në punë, qeveria është në punë, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, jemi në detyrë për të garantuar që qytetarët shqiptarë janë më të sigurt në një vend që me reformat që po ndërmarrim, me siguri do të jetë shumë më i mirë nga ç‘ishte kur e morëm.
Z. Christian Danielsson: Nuk kam ndonjë koment për këtë pyetje.

Gazetari Sokol Bregu, TV T.Ch.:  Është rritur lufta kundër trafiqeve në këto 6 muaj?

Z. Christian Danielsson: Edhe pse sot është vërtet fantastike që jam në Shqipëri, dhe që është edhe një mundësi shumë e mirë të flas përpara jush, nuk besoj se ju prisni që unë t’ju flas juve për ato gjëra që ne shkruajmë në raport, përpara se raporti të jetë miratuar. Çfarë mund të them, është ajo që po shikojmë ne, e cila është detyra që na kanë lënë shtetet anëtare të BE dhe ajo është të shikojmë zhvillimet në Shqipëri që prej muajit dhjetor, si dhe vazhdimësi ose qëndrueshmëria e zhvillimeve, dhe përpjekjeve për reforma që po bën qeveria shqiptare në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër korrupsionit dhe reforma në gjyqësor.

Dhe natyrisht këto janë përpjekje për reformë që kanë disa vite që po bëhen!