Tahiri letër Nishanit për gjyqtarin e Kavajës: Me vendimet absurde, dëmton sigurinë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 28/03/2014

Tahiri letër Nishanit për gjyqtarin e Kavajës: Me vendimet absurde, dëmton sigurinë

Letra_28_mars_Tahiri_-_Nishanit

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri i është drejtuar sot Presidentit të Republikës në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe Ministrit të Drejtësisë me një letër në të cilën shpreh shqetësimin e përsëritur në lidhje me gjyqtarin e Gjykatës së rrethit gjyqësor Kavajë, Osman Aliu.

“Vendimet absurde dhe shpeshherë haptazi të kundërligjshme të këtij gjyqtari, përbëjnë shqetësim serioz për Policinë e Shtetit, e cila gjendet e detyruar të luftojë kriminalitetin ndaj të njëjtëve njerëz, që riciklohen të lirë në shoqëri nga vendime të tilla, tërësisht skandaloze”, shkruan ministri Tahiri në letrën e tij.

Ministri i Punëve të Brendshme ka kërkuar nga Presidenti i Republikës që të vërë në lëvizje KLD, duke marrë masa radikale ndaj fenomeneve të tilla që cenojnë rëndë shtetin ligjor dhe drejtësinë.

Bashkëngjitur letrës së tij Ministri Tahiri u ka dërguar Presidentit të Republikës dhe Ministrit të Drejtësisë edhe dosjen e plotë me materialet që vërtetojnë shkeljet nga ana e gjyqtarit Osman Aliu si dhe një listë me disa nga rastet më flagrante të vendimeve të marra prej tij.

Në këtë listë përmenden 9 raste të evidentuara përgjatë muajve shkurt – mars 2014:

• 5 SHKURT – Arrestohet shtetasi Aleksandër Tafa, i akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura, për të cilin prokurori kishte kërkuar “Arrest me burg”, është liruar në sallën e gjyqit. Në 12 shkurt, Gjykata e Apelit e rikthen në qeli.

• 6 SHKURT – Arrestohet shtetasi Astrit Shala, akuzuar për kanosje të punonjësve të CEZ dhe Policisë, për shkak të detyrës, prokurori kërkoi “Detyrim paraqitje”, gjyqtari Aliu e liroi në sallë pa masë.

• 7 SHKURT – Arrestohet shtetasi Fatjon Metushi, akuzuar për vjedhje, prokurori kërkon “Arrest me burg”, gjyqtari Aliu e liron pa asnjë masë dhe Gjykata e Apelit e rikthen të akuzuarin në burg nën masën e arrestit.

• 25 SHKURT – Arrestohet shtetasi Ermir Gjuzi, punonjës i Task Forcës së CEZ, i dyshuar se ka përvetësuar 1 mln lekë nga persona të ndryshëm në shpërdorim të detyrës. Gjyqtari nuk ka vendosur asnjë masë sigurie për të dhe nuk ka zbardhur ende vendimin, megjithëse ka detyrim që t’a kryejë brenda 5 ditësh, duke penguar prokurorin t’a apelojë vendimin.

• 16 MARS – Arrestohet shtetasi Marsel Prifti, prokurori ka kërkuar “Detyrim paraqitje” për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt, gjyqtari Aliu e ka liruar menjëherë nga salla e gjyqit pa asnjë masë sigurie.

• 17 MARS – Arrestohet shtetasi Nebi Hoxha, prokurori kërkon “Detyrim paraqitje” për dhunë në familje, gjyqtari Aliu e vlerëson ndalimin të paligjshëm, e liron në sallën e gjyqit, çështja është apeluar.

• 17 MARS – Arrestohet shtetasi Saimir Tatani, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt prokurori kërkon “Arrest me burg”, gjyqtari Aliu e liron në sallën e gjyqit pa asnjë masë sigurie.

• 20 MARS – Arrestohet shtetasi Ardjan Elmadhi, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, prokurori kërkon “Detyrim paraqitje”, gjyqtari Aliu e liron në sallë pa asnjë masë.

• 23 MARS – Arrestohet shtetasi Kujtim Proshka. Prokurori kërkoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Proshkën, pasi u kap me armë luftarake dhe armë gjahu e municione pa leje, si dhe kundërshtoi forcat e policisë. Gjyqtari Aliu nuk vendosi asnjë masë për të, e liroi në sallën e gjyqit.