"Lufta kundër terrorizmit të çdo lloji, pavarësisht motiveve mbi të cilat frymëzohet, sfidë e përbashkët e vendeve demokratike" - Ministria e Brendshme
Postuar më: 05/09/2012

“Lufta kundër terrorizmit të çdo lloji, pavarësisht motiveve mbi të cilat frymëzohet, sfidë e përbashkët e vendeve demokratike”

Ministria e Punëve të Brendshme hedh poshtë me indinjatë akuzat e opozitës, nëpërmjet të cilave ajo synon të shtrembërojë të vërtetën dhe të desinformojë opinionin publik vendas e ndërkombëtar.

Gjatë takimit të sotëm të Ministrit Tahiri me Ministren e Punëve të Brendshme Maqedonase, Gordana Jankulovska për asnjë çast të vetëm nuk është folur për terrorizëm etnik shqiptar në Maqedoni.

Në takimin mes dy ministrave është folur për domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të të gjitha llojeve si dhe terrorrizmit.

Sipas ministrit Tahiri, lufta kundër terrorizmit të çdo lloji, pavarësisht motiveve mbi të cilat frymëzohet, është një sfidë e përbashkët e shteteve demokratike në mbarë botën.

Kjo deklaratë vjen në kontekstin e një qëndrimi tashmë të konsoliduar të të gjithë partnerëve të Aleancës së Atlantikut Perëndimor, ndaj situatës së krijuar në konfliktin fetar dhe etnik që po ndodh në disa vende në rajonin e Lindjes së Mesme, si Siri, Irak, etj.

Fakti se të dy vendet tona janë konsideruar nga terroristët si hapësira të mundshme për të rekrutuar luftëtarë për këto konflikte e bën edhe më të domosdoshëm bashkëpunimin jo vetëm dypalësh por edhe më gjera në rajon.

Çdo deklaratë tjetër e pretenduar nga opozita është krejtësisht e pavërtetë dhe çdo koment keqdashës në lidhje me këtë qëndrim parimor të ministrit të Brendshëm vetëm sa tregon dritshkurtësinë e atyre që deri dje drejtonin politikën e jashtme të këtij vendi.