“Zgjidhni mundësitë, jo migracionin e parregullt!” – Tur takimesh në Dibër

Në vijim të aktiviteteve ndërgjegjësuese në zbatim të projektit “Mbi parandalimin e migracionit të parregullt”, Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave në bashkëpunim me Komitetin Rajonal Antitrafik, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Departamenti për Kufirin dhe Migracionin)  dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në datat 15 dhe 16 nëntor zhvilluan takime informuese në qarkun e Dibrës.

Përgjatë dy ditëve u zhvilluan takim me anëtarët e Komitetit Rajonal Antitrafik dhe të Tryezës Teknike për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e tyre lidhur me parandalimin e migracionit të parregullt drejt Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian me sloganin “Zgjidhni mundësitë, jo migracionin e parregullt!, ku morën pjesë 30 persona.

Më pas u zhvillua workshop me anëtarë të Komitetit Rajonal dhe Tryezës Teknike Antitrafik, si dhe përfaqësues nga Këshilli i qarkut, nënprefektët, sistemi arsimor, njësitë e qeverisjes vendore, etj., ku u diskutua rreth identifikimit të viktimave të trafikimit, migracionit të parregullt, rolit të shkollës në parandalimin  e trafikimit dhe të migracionit të parregullt, etj., me 30 pjesëmarrës.

Gjithashtu, u zhvillua një takim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të çdo qarku, ku morën pjesë 25 pjesëmarrës, për të vijuar më pas me 2 takime (1 takim me 35 mësues të shkollës së mesme “Said Najdeni” dhe takim me 4 punonjësit e Zyrës Rajonale të Punësimit), ku u informuan për fushatën kombëtare dhe ngritjen e vetëdijes lidhur me parandalimin e migracionit të parregullt.

Po kështu u zhvilluan sesione informimi me nxënësit e shkollës së mesme “Said Najdeni” me rreth 35 nxënës, si dhe u shpërndanë fletëpalosje në bare të ndryshme kafeje dhe në vende të tjera publike. Gjithsej në qarkun Dibër po shpërndahen 4000 fletëpalosje.

Sipas kalendarit kombëtar të fushatës informuese, në datat 22-23 nëntor do të zhvillohen takime në Elbasan.