Vjenë, takim për parandalimin e migracionit të paligjshëm

Në datat 6 dhe 7 korrik 2015, Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, njëkohësisht Koordinatore Kombëtare për Anti-Trafikimin, Elona Gjebrea si dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri morën pjesë në Konferencën e 15-të të nivelit të lartë të Aleancës kundër Trafikimit të Personave.

Takimi u mbajt në Vjenë, organzizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Tema e konferencës ishte “Njerëz në rrezik – lufta kundër trafikimit në njerëz në rrugën e migracionit”.

Qëllimi i takimit ishte nxitja e bashkëpunimit ndërkombëtar për të trajtuar çështjet kundër trafikimit, në kontekstin e proceseve të migracionit.

Në konferencë u diskutua gjithashtu nevoja për menaxhimin efektiv të migracionit për të parandaluar trafikimin dhe shfrytëzimin e personave.

Përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse në OSBE, të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile theksuan nevojën për ndërgjegjësimin e autoriteteve të migracionit, të personelit diplomatik dhe konsullor si dhe të personave që migrojnë, në lidhje me çështjet e trafikimit të personave.

Zv/ministrja Elona Gjebrea u takua gjatë punimeve të konferencës me Përfaqësuesen e Posaçme të OSBE-së  për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Ambasadoren Madina Jarbussynova.

Gjebrea i shprehu interesin për bashkëpunim të mëtejshëm dhe e ftoi për një vizitë në Shqipëri për t’u njohur nga afër me arritjet dhe sfidat në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri përfshire dhe ato të migrimit.