Vjenë – Koordinatori Antitrafik në konferencën e OSBE

VJENË – Më datat 11-12 prill 2016, zv/ministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebrea, Koordinatore Kombëtare për Luftën kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore, mori pjesë në Konferencën rajonale me pjesëmarrje nga vende të Europës dhe Ballkanit e organizuar nga OSBE-së në Vjenë, me temë “Trafikimi i qënieve njerëzore me qëllim aktivitetin e detyruar kriminal”.

Në konferencë  morën pjesë autoritete shtetërore dhe ekspertë të luftës kundër trafikimit në njerëz, të cilët diskutuan mbi mjetet efikase për të luftuar këtë formë komplekse shfrytëzimi.

Konferenca ishte një forum i shkëlqyer diskutimi mbi gamën e gjerë të aktiviteteve të paligjshme të përfshira në këtë formë shfrytëzimi, sfidat në lidhje me hetimin e veprës penale, identifikimi dhe të drejtat e personave të trafikuar me qëllim shfrytëzimin për aktivitet të detyruar kriminal.

Në fjalën e saj, zv/ministrja Gjebrea prezantoi arritjet dhe sfidat në luftën kundër trafikimit në njerëz në Shqipëri, duke theksuar rritjen e mbështetjes shtetërore ndaj shërbimeve shoqërore për personat e trafikuar.

Në lidhje me temën në fokus të konferencës, Gjebrea shprehu gatishmërinë për reflektimin e kësaj tematike në legjislacionin shqiptar.