Vizioni i ri për funksionimin e Komitetit Shtetëror Antitrafik

Nën drejtimin e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri u zhvillua sot mbledhja e Komitetit Shtetëror të Luftës Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, në përbërje të të cilit janë përfaqësues të disa ministrive dhe institucioneve të pavarura.

Lufta kundër  trafikimit të personave është një ndër prioritetet e kësaj qeverie dhe si e tillë, për t’u përballuar me këtë sfidë, qeveria është angazhuar të investohet me të gjitha burimet e duhura njerëzore, teknike dhe financiare për të ndryshuar situatën ku ndodhemi.

“Aktualisht jemi në një situatë jo shumë të favorshme për Shqipërinë dhe rrjedhimisht, rifunksionimi i Komitetit Shtetëror për Luftën kundër Trafikimit të Personave është një angazhim maksimal dhe gjithëpërfshirës për të dalë nga renditja e vendeve problematike”, tha Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, në takim.

Problematikat e ndeshura aktualisht janë të shumëllojshme dhe prekin të gjitha drejtimet e veprimit kombëtar antitrafik, si ndjekja penale, mbrojtja dhe asistimi i viktimave të trafikimit, pa përjashtuar ndërgjegjësimin dhe parandalimin e fenomenit.

“Për sa i takon situatës aktuale, ajo nuk është shumë inkurajuese. Në të gjitha vlerësimet që i bëhen Shqipërisë lidhur me përpjekjet kundër këtij fenomeni, duket qartazi që ende sot nuk kemi një sistem funksional për trajtimin në përputhje dhe në respektim të standardeve ndërkombëtare për të luftuar dhe parandaluar trafikimin e personave në Shqipëri”, u shpreh Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme dhe Koordinatore Kombëtare Antitrafik, Elona Hoxha.

“Trafikimi nuk duhet të konsiderohet si një çështje që i përket vetëm policisë. Ai kurrsesi nuk mund të jetë përgjegjësia e një institucioni të vetëm, përkundrazi përballja me të kërkon një qasje multidisiplinare dhe kontributin e secilit prej nesh, pavarësisht nga roli dhe pozicioni ku ndodhemi”, deklaroi ministri Tahiri.

Në mbledhjen e sotme u vendos që Komiteti të mblidhet rregullisht, sipas një rendi dite të parapërcaktuar dhe të funksionojë mbi bazën e një kalendari pune. Komiteti nuk mblidhej që nga 1 korriku 2011, ndryshe nga sa parashikohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.

Ndër detyrat e tjera të miratuara gjatë mbledhjes, është përcaktimi i qartë i rolit dhe detyrat e KSHLKTQNj, nëpërmjet një projekt-vendim të Këshillit të Ministrave, i cili do të mundësojë zgjerimin e anëtarësimit të këtij Komiteti, si edhe mirë-përcaktimin e funksionit të tij.