Takimi i anëtarëve të Mekanizmit Kombëtar të Referimit

14 Maj 2018, Tiranë – Në Ministrinë e Brendshme, u zhvillua takimi i radhës i anëtarëve të Mekanizmit Kombëtar të Referimit, kryesuar nga Zëvendësministrja e Brendshme dhe njëkohësisht Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, Znj.Rovena Voda.

Në takim morën pjesë anëtarët e Marrëveshjes së Funksionimit të Mekanizmit Kombëtar të Referimit: Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Znj.Artemis Dralo, Zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Znj.Ardiana Jaku, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nga Shërbimi Social Shtetëror, nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, nga Ambasada Angleze, Organizatat Ndërkombëtare, IOM, World Vision, ARSIS dhe Koalicioni Kombëtar i Strehëzave Antitrafik etj.

Temat e diskutimit përfshinë: ngritjen e Bordit Këshillimor të Viktimave të Trafikimit dhe hartimin e termave të referencës;  planin e punës të hartuar nga Zyra e Koordinatorit Kombëtar për përmbushjen e Rekomandimeve të Progres Raportit 2018 lidhur me fushën antitrafikim; marrjen e masave për organizimin e fushatave informuese gjatë periudhës së verës; çështje të tjera të rëndësishme për mirëfunksionimin e MKR-së, si mbështetja nga Koordinatori Kombëtar lidhur me fondet e alokuara për stafin e qendrave dhe parashikimi i fondit të ushqimit.

Takimi doli me rekomandime lidhur me termat e  referencës së Bordit, zbatimin e aktiviteteve të parashikuara në planin e punës për adresimin e Rekomandimeve të Progres Raportit, adresimin e problematikës së fondeve për qendrat jopublike, vazhdimin e trajnimeve me punonjës të strukturave ligjzbatuese dhe profesionistëve që operojnë në fushën antitrafikim, të fushatave ndërgjegjësuese për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit, për fëmijët e pashoqëruar dhe fëmijët në situatë rruge.