Takime në 12 qarqe, në zbatim të programit “Zgjidhni mundësitë, jo migracionin e parregullt!”

Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave në bashkëpunim me Komitetet Rajonale Antitrafik, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Drejtoria e Përgjithshme e Kufirit dhe Migracionit) dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në zbatim të projektit “Zgjidhni mundësitë, jo migracionin e parregullt!” po zhvillojnë takime informuese në 12 qarqet e vendit, sipas një kalendari të hartuar bashkërisht.

Aktivitetet informuese janë planifikuar dyditore.

Në ditën e parë do të zhvillohen takime me anëtarët e Komitetit Rajonal Antitrafik dhe të Tryezës Teknike të secilit qark për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin lidhur me parandalimin e migracionit të parregullt drejt Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian me sloganin “Zgjidhni mundësitë, jo migracionin e parregullt!

Në pjesën e dytë, do të zhvillohet një workshop me anëtarë të Komitetit Rajonal dhe Tryezës Teknike Antitrafik, si dhe përfaqësues nga Këshilli i qarkut, nënprefektët, nga sistemi arsimor, njësitë e qeverisjes vendore, etj., ku do diskutohet rreth identifikimit të viktimave të trafikimit, migracionit të parregullt, rolit të shkollës në parandalimin  e trafikimit dhe të migracionit të parregullt, etj., si dhe do të koordinohet shpërndarja e fletëpalosjeve. Numri i pjesëmarrësve të jetë mbi 30 persona.

Gjithashtu, po në ditën e parë, do të zhvillohet një takim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të çdo qarku, për të vijuar më pas me 2 takime (me punonjësit e sistemit arsimor dhe Zyrave Rajonale të Punësimit), për t’i informuar ata për fushatën kombëtare dhe ngritjen e vetëdijes lidhur me parandalimin e migracionit të parregullt.

Në ditën e dytë do të zhvillohen takime sensibilizuese në disa shkolla të mesme dhe 9-vjeçare të secilit qark, sipas një grafiku të përcaktuar nga Drejtoritë Arsimore Rajonale.

Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave në bashkëpunim me IOM kanë prodhuar 50,000 fletëpalosje, të cilat do të shpërndahen në shkolla, institucione, në shëtitore, etj. gjatë takimeve dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese.

Takimi i parë u zhvillua në datat 16-17 tetor në Durrës, në të cilin mori pjesë dhe Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, Znj. Rovena Voda.

Ndërsa takimi i radhës është në datat 15-16 nëntor, në Dibër.

Më pas do të vijohet me takime në qarqet e tjera (22-23 nëntor-Elbasan; 5-7 dhjetor-Kukës; 12-14 dhjetor-Shkodër; 19-21 dhjetor Korçë), për të vazhduar vitin që vjen me aktivitete sensibilizuese në qarqet e tjera.

  1. Choose opportunities, not irregular migration!
  2. Fletepalosje ndergjegjesuese