Takime ndërgjegjësuese në qarkun e Fierit lidhur me fëmijët e pashoqëruar

21-22 Qershor 2018, Fier – Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave në bashkëpunim me Komitetin Rajonal Antitrafik, Shërbimin Social Shtetëror, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Departamenti për Kufirin dhe Migracionin) dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në vijim të zbatimit të fushatës kombëtare verore antitrafikim dhe të takimeve në qarkun e Elbasanit, në datat 21 dhe 22 qershor, zhvilluan takime ndërgjegjësuese në qarkun e Fierit lidhur me fëmijët e pashoqëruar në vendet e BE-së dhe kryesisht në Itali.

Takimet e organizuara përfshinin:

– Workshop me Kryetaren e bashkisë Patos dhe punonjës të Shërbimeve Sociale, Zyrës Arsimore Patos, punonjës socialë për dhunën në familje në Komunën Patos, Shërbimi Social Shtetëror i Qarkut Fier, Sekretar i Përgjithshëm i  Institucionit të prefektit të qarkut, etj. Gjithsej ishin të pranishëm 13 persona. Në takim u prezantuan qëllimet dhe objektivat e fushatës, u dha informacion mbi rreziqet që lidhen me emigrimin e fëmijëve të pashoqëruar nga Shqipëria në Itali dhe mundësitë për hyrje ligjore në Itali Kryetarja e Bashkisë Patos vuri në dukje nevojën për mbështetje me projektet e zhvillimit për këtë rajon me fokus për të krijuar kushte më të mira për fëmijët, të rinjtë, familjet dhe komunitetin në përgjithësi.

– Takim me anëtarët e Tryezës Teknike Antitrafikim të qarkut Fier, ku morën pjesë rreth 26 persona: përfaqësues nga Këshilli i Qarkut, bashkia, Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve, DVP, Shërbimi Social Shtetëror, Drejtoria Rajonale Arsimore, punonjës Socialë nga Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve nga Njësitë Administrative Radostinë, Afrim i Ri, organizata “Terre des Hommes”, etj. Pjesëmarrësit diskutuan hapur për çështjet e fëmijëve të pashoqëruar dhe sfidat me të cilat ballafaqohen. Mungesa e mundësive për individët dhe vështirësitë që hasin familjet për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për ta, janë faktorët kryesor shtytës të artikuluar nga pjesëmarrësit.

– Workshop me përfaqësuesit e Bashkisë Roskovec, ku morën pjesë 17 pjesëmarrës. Pjesëmarrësit diskutuan dhe ngritën problematikën e mungesës së shërbimeve në bashki, duke theksuar se komuniteti i tyre përballet me sfidën e mungesës së shërbimeve, mundësive të punësimit dhe mbështetjes adekuate për aktivitetet që gjenerojnë të ardhura, kryesisht për fermerët.

– Takim me drejtorin dhe stafin e Qendrës Sociale “MURIALDO”, ku u diskutua rreth mundësive që ofron qendra për formim profesional apo kurse, të cilat janë një opsion, ku të rinjtë mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre.