Takim përmbyllës i vizitës tematike të delegacionit të Komitetit të Ekspertëve mbi Çështjet e Romëve dhe Njerëzve që Shtegtojnë (CAHROM) pranë Këshillit të Evropës

Në datën 6 mars 2015, nën drejtimin e Zëvendësministres së Punëve të Brendshme, Zj. Elona Gjebrea, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, u organizua takimi përmbyllës i vizitës tematike 3-ditore të delegacionit të Komitetit të Ekspertëve mbi Çështjet e Romëve dhe Njerëzve që Shtegtojnë (CAHROM).

Në takim u bë një përmbledhje e takimeve të organizuara me institucione të ndryshme dhe tryezës së rrumbullakët, masave të marra nga qeveria shqiptare për luftën kundër trafikimit në përgjithësi, si dhe për mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve për grupet vulnerabël në veçanti, ku përfshihet edhe komuniteti Rom dhe Egjiptian.

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme theksoi vijimin e bashkëpunimit me organizatat rome, të cilat janë pjesë e BKTF-së dhe pjesë e Bordit të Shoqërisë Civile pranë Koordinatorit Kombëtar (ngritur në nëntor 2013). Gjithashtu u diskutua rreth intensifikimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, marrëveshjeve të nënshkruara me vendet e rajonit dhe më gjerë, si me: Greqinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Mbretërinë e Bashkuar, funksionimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit, regjistrimin e fëmijëve në Regjistrin Civil, si dhe ngritjen e kapaciteteve të strukturave ligjzbatuese dhe jo vetëm dhe ndërgjegjësimit publik.

Delegacioni CAHROM do të prodhojë një raport për vizitën tematike, arritjet, për praktikat më të mira, shkëmbimin e përvojave mes shteteve, si dhe do të përfshihen edhe rekomandimet përkatëse.