Takim konsultativ për hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Personave 2018-2020

12 Dhjetor 2017, Ministri e Brendshme – Meqenëse, Strategjia e Luftës kundër Trafikimit të Personave përfundon në fund të këtij viti, Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave zhvilloi një takim konsultativ për hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Personave 2018-2020.

Në takim morën pjesë Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale, Znj. Ardiana Jaku, kryetarë të Tryezave teknike antitrafik në qarqe, anëtarë të MKR-së dhe Autoritetit Përgjegjës, përfaqësues nga ambasada Amerikane dhe organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare që operojnë në fushën antitrafikim.

Takimi u drejtua nga Zëvendësministrja e Brendshme dhe njëkohësisht Koordinatore kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, znj. Rovena Voda.

Në fjalën e saj Znj. Voda theksoi rëndësinë që ka hartimi i këtij dokumenti dhe se do të hartohet në një proces konsultativ dhe gjithëpërfshirës.

« Plani është një dokument i cili mbledh bashkë institucionet e ndryshme të administratës qendrore, institucionet e pavarura shtetërore, si dhe aktorë dhe faktorë të tjerë të shoqërisë, në një dakordësi mbi situatën e trafikimit të personave, sfidat e hasura dhe mënyrat e mjetet për t’i tejkaluar ato. Është baza e një qasjeje të frytshme dhe të harmonizuar ndërinstitucionale dhe ndërsektoriale, pasi paracakton kuadrin për bashkërendimin dhe bashkëpunimin mes të gjithë aktorëve, si dhe rolet e përgjegjësitë e tyre.

Nisur edhe nga gjetjet dhe rekomandimet nga monitorimi Strategjisë në vitin 2016,  Plani të jetë një dokument i thjeshtë, konkret, me aktivitete të matshme dhe të realizueshme, dhe me afate të mirëpërcaktuara. Plani Kombëtar i Veprimit është gjithashtu me rëndësi kyçe për sigurimin e mbështetjes politike si edhe financiare, aq të nevojshme për zbatimin e synimeve strategjike, objektivave specifike dhe masave të përfshira në to.

Në thelb, aktivitetet e parashikuara në PKV 2018-2020 kanë si synim të përmirësojnë funksionimin e një sistemi gjithëpërfshirës nëpërmjet forcimit të mekanizmit të identifikimit, mbrojtjes dhe riintegrimit të viktimave të trafikimit. 

PKV ruan frymën e një bashkëveprimi të ndërsjellë të krijuar tashmë ndërmjet të gjithë aktorëve shtetërorë dhe joshtetërore dhe synon forcimin e këtij bashkëpunimi dhe institucionalizimin e tij nëpërmjet aplikimit të një politike të hapur, proaktive dhe gjithëpërfshirëse.

Duhet një angazhim serioz dhe konkret me qëllim finalizimin  e një dokumenti koherent, të thjeshtë, të aplikueshëm dhe me rezultate të matshme, qoftë në rritjen e numrit të ndjekjeve penale, përmirësimit të legjislacionit, mbrojtjes së vt/vmt, parandalimit dhe ndërgjegjësimit të komunitetit dhe koordinimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve antitrafikim », theksoi në fund të fjalës së saj Zv.Ministrja e Brendshme Voda.

Pjesëmarrësit në takim vunë theksin tek parashikimet për ndryshime në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, tek bashkëpunimi ndërsektorial dhe tek fuqizimi i mekanizmave vendorë, me synimin vazhdimin e praktikave pozitive të deritanishme  bashkëpunimit mes prokurorisë dhe policisë, ndërsa parashikohen trajnime të vazhdueshme të punonjësve të strukturave ligjzbatuese.

Zyra e Koordinatorit Kombëtar do të shpërndajë tek të pranishmit  për mendim draftdokumentin me sugjerimet e bëra gjatë takimit të sotëm. Ky takim do të vijojë me takime të tjera, me grupe teknike, etj.