Takim informues e ndërgjegjësues me nxënës e psikologë të 6 shkollave

Vlorë – Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra e Koordinatorit Kombëtar dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në datë 18 prill 2016, organizuan 2 takime informuese me nxënës të 6 shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të qytetit të Vlorës.

Aktiviteti i parë u zhvillua me nxënës të klasave VI – IX të shkollave 9-vjeçare “Lef Sallata” dhe “Ismail Qemali”, ndërsa aktiviteti i dytë, me nxënës të klasave X – XII të katër shkollave të mesme “Ali Demi”, “Mustafa Qemal Ataturk”, “Jani Minga” dhe “Halim Xhelo”. Në takime morën pjesë rreth 210 nxënës të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare, si dhe psikologë e mësues të këtyre shkollave.

Qëllimi i takimeve ishte:

  • Ndërgjegjësimi i fëmijëve për fenomenin  e trafikimit dhe vendosja e urave të komunikimit me ta, të cilët jodomosdoshmërisht janë një grup në risk të lartë trafikimi;
  • Diskutimi i mënyrave se si vetë fëmijët mund të kontribuojnë në ndërgjegjësimin e bashkëmoshatarëve;
  • Krijimi i një rrjeti nxënësish kundër trafikimit të personave;
  • Mbështetja e bisedave mes nxënësish mbi trafikimin e personave;
  • Përcjellja e informacionit tek nxënësit e tjerë.

 

Përfaqësuesit e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, e Drejtorisë së Policisë Vendore të qarkut Vlorë dhe të qendrës “Vatra” informuan nxënësit mbi format e trafikimit, mënyrat dhe treguesit për identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit, asistencën dhe ndihmën që iu jepet këtyre viktimave, format e raportimit, nëpërmjet Linjës Kombëtare 116006 dhe Aplikacionit “Raporto! Shpëto!”. Po kështu u shkëmbyen mendime dhe u sqaruan pyetjet e drejtuara nga nxënësit dhe psikologët.

Gjatë takimeve u shpërndanë materiale ndërgjegjësuese, si:

  • 150 bluza dhe 70 kapele me logon e Linjës Kombëtare falas 116006 dhe Aplikacionin “Raporto! Shpëto!”;
  • 200 kopje  të fotonovelës “Një ëndërr e shkelur” dhe “Një fillim i ri”;
  • 100 fletëpalosje dhe 60 kopje cikël temash “Trafikimi i personave” për nxënës të shkollës së mesme dhe studentë.