Selanik: Konsultim për ligjin “Për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit”

Në kuadër të vizitës në Selanik, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe deputetë të Komisionit parlamentar të Sigurisë zhvilluan një takim me komunitetin shqiptar që jeton në Greqinë e Veriut. Ministrat vlerësuan rolin e pazëvendësueshëm të komunitetit shqiptar në Greqi si një urë solide në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe çmuan kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë gjatë këtyre 25 viteve.

Ministri Tahiri dhe Bushati njohën të pranishmit me ligjin Për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. «Ky është një borxh historik që u kthejmë emigrantëve që kane kontribuar aq shumë për shtetin tonë, duke u dhënë shërbime aty ku ndodhen e jetojnë. Mendoni sa fushata janë bërë në emrin tuaj, kjo është qeveria e parë që hedh një hap, pas 25 vitesh për emigrantët», tha ministri Tahiri.

Ministri Bushati shprehu angazhimin e Qeverisë shqiptare për të punuar së bashku me palën greke që të njëjtin shërbim për lëshimin e certifikatave të lindjes, familjare, të martesës dhe të vdekjes për shtetasit shqiptarë që ofrohet në Konsullatat tona në Itali, të ofrohet edhe në Greqi.