Raporti i SHBA per eleminimin e punes per femijet dhe identifikimin e viktimave te trafikimit

Departamenti i Punës së Shteteve të Bashkuara publikoi sot Raportin Ndërkombëtar për Format më të Këqija të Punës së Fëmijëve. Ky raport vlerëson hapat që qeveritë e 143 shteteve kanë ndërmarrë për eliminimin e formave më të këqija të punës së fëmijëve.

Raporti klasifikon vlerësimin për përpjekjet që shtetet kanë bërë në:

  • të rëndësishme
  • të moderuara
  • minimale
  • pa asnjë përparim.

Ndryshe nga viti 2012, ku Shqipëria renditet ndër vendet që bënin përpjekje “të pakta” për eliminimin e punës së fëmijëve, sot ne renditemi ndër 13 vendet, nga 143 që janë vlerësuar për “përparime të rëndësishme” në përpjekjet për eliminimin e formave më të këqija të punës së fëmijëve, si dhe për adresimin e trafikimit të fëmijëve, si një prej këtyre formave.

Një rol të rëndësishëm në identifikimin e viktimave të trafikimit të shfrytëzuara për punë ka luajtur edhe trajnimi i 37 prokurorëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të policisë në lidhje me këto çështje. Policia e Shtetit, gjatë periudhës së raportimit ka referuar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda 11 raste të trafikimit të fëmijëve.

Raporti vlerëson punën e bërë nga Koordinatori Kombëtar Antitrafik, për rivitalizimin e mekanizmave koordinues për adresimin dhe referimin e rasteve të trafikimit të fëmijëve. Në vitin 2013, Koordinatori Kombëtar Antitrafik siguroi trajnimin e anëtarëve të 12 Komiteteve Rajonale, nëpunësve të institucioneve kryesore shtetërore, si dhe të 245 mësuesve e 50 inspektorëve të punës mbi identifikimin, referimin dhe asistimin e viktimave të trafikimit.

Takimet e rregullta të Mekanizmit Kombëtar të Referimit për trajtimin e disa rasteve të identifikuara të viktimave të trafikimit, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile, vlerësohen po ashtu si hapa pozitivë në përmirësimin e punës për identifikimin e viktimave të trafikimit që shfrytëzohen për punë në Shqipëri.

Për Ministrinë e Punëve të Brendshme kjo është një arritje e rëndësishme, por vetëm një pikënisje për të shtuar përpjekjen në luftën kundër këtij fenomeni.

  1.  Albania Raport