Memorandumi i qëllimit Shqipëri-SHBA për instalimin dhe përdorimin e sistemit për krahasimin dhe vlerësimin e sigurt të identifikimit personal

QËLLIMI I PROJEKTAKTIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË ARRIHEN

Ky projektligj ka për qëllim ratifikimin e memorandumit të qëllimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për instalimin dhe përdorimin e sistemit për krahasimin dhe vlerësimin e sigurt të identifikimit personal (PISCES).

Me anë të këtij memorandumi, qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bien dakord që kjo e fundit të instalojë Sistemin për Krahasimin dhe Vlerësimin e Sigurt të Identifikimit Personal (PISCES), për monitorimin e lëvizjes së udhëtarëve në pikat e kontrollit kufitar që do të përcaktohen bashkërisht nga palët.

Nëpërmjet bashkëpunimit të qeverisë së Shqipërisë, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të instalojë dhe do të mirëmbajë të gjitha pajisjet elektronike të nevojshme për funksionimin e sistemit PISCES, duke filluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Në vijim, instalimi i sistemit PISCES do të zgjerohet edhe në aeroporte apo pika të tjera kufitare, të caktuara nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bazuar në përcaktimet e memorandumit, qeveria e Shqipërisë do të fillojë përzgjedhjen e personelit që do të operojë me sistemin PISCES dhe do ta mirëmbajë atë. Trajnimi i personelit, me qëllim dhënien e njohurive të duhura dhe krijimin e kapaciteteve të kualifikuara, do të realizohet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Miratimi, në parim, i memorandumit është bërë me vendimin nr.479, datë 28.6.2017, të Këshillit të Ministrave, ndërsa nënshkrimi në datën 22 mars 2018.

  1. Marreveshja shqip
  2. RATIFIKIMI AMERIKE-PISCES
  3. RELACION RATIFIKIMI AMERIKE-PISCES